MENU
klinika

Hapa mbrapa në Progresin Social

Vështirësohet jeta e shqiptarëve

19.09.2019 - 13:38

Shqipëria ka humbur edhe këtë vit një pozicion në renditjen globale të progresit social. Kështu, në indeksin e progresit social 2019 Shqipëria renditet në vendin e 54-ët ndër 149 ekonomi të botës, nga vend i 53-të i vitit të kaluar.

Edhe në raport me veten, Shqipëria ka bërë hapa prapa në këtë raport, duke qenë se ka humbur pikë në indeksin e përgjithshëm. Por, pavarësisht përkeqësimit, në rajon Shqipëria lë prapa Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut ndërkohë që Serbia është vetëm një vend sipër nesh.

Indeksi i progresit social është i vetmi mekanizëm për matjen e zhvillimit të një shoqërie, me fokus të veçantë te kriteret jo-ekonomike, paçka se këta elementë janë të pashmangshëm në këtë prizëm. Progresi shoqëror definohet si kapaciteti i një shoqërie për të përmbushur nevojat bazike të njerëzve të saj.

Raporti nuk fokusohet kështu ekskluzivisht te indikatorët ekonomikë, por te 51 nënindikatorë socialë dhe ambientalë që kanë për synim të japin një panoramë më të qartë të jetës së përditshme të njerëzve të zakonshëm.

Indeksi përpilohet mbi bazën e shumë kritereve, si mirëqenia, siguria, nevojat bazë të njeriut, apo edhe shanset e barabarta apo përfshirja. Në profilin dedikuar Shqipërisë mund të vëmë re një panoramë më gjithëpërfshirëse, me pikëzim në secilin prej nën-indikatorëve. Në indeksin e nevojave bazë njerëzore, Shqipëria renditet e 58-ta në botë, ndërsa në atë të themeleve të mirëqenies e 39-ta në botë. Në atë të shanseve, jemi të 79-tët në botë, duke regjistruar edhe performancën tonë më të keqe. Në këtë drejtim, Shqipëria ka humbur 6 pozicione krahasuar me një vit më parë.

Kjo do të thotë se, Shqipëria vlerësohet si një vend që i ka bazat për një shoqëri të zhvilluar, por që shanset që i jepen kësaj shoqërie janë të kufizuara, duke bërë që për rrjedhojë edhe zhvillimi i shoqërisë shqiptare të ngecet në vend. Gjithsesi, Shqipëria performon bindshëm më mirë se potenciali që ka.

Duke qenë se në drejtim të PBB për frymë është e 71-ta në botë ndër 146 vende, dhe në atë të progresit social e 54-ta, do të thotë se shoqëria shqiptare performon më mirë se çfarë i jep mundësi ekonomia.