Kryeministri Edi Rama ishte sot Vlorë, ku inspektoi ecurinë e punimeve të rrugës së lumit të Vlorës, si dhe u takua me banorë të zonave përreth.
“Është një super rrugë, – u shpreh kryetari i Bashkisë së Vlorës Dritan Leli, – Një ëndërr që kur isha unë fëmijë dhe sot jam 50 vjeç, gjithashtu ëndërr dhe nga gjyshërit e mi dhe prindërit e mi po ashtu.”
Rruga me gjatësi thuajse 100 km do të lidhë “Bypassin” e Vlorës me Qeparoin duke kaluar nëpërmjet Urës së Peshkëpisë – Urës së Laskos – Kuç-it dhe një sërë fshatrash të tjerë. Rruga do të ketë dhe një degëzim nga Peshkëpia për në Selenicë dhe në kryqëzimin e autostradës Levan-Tepelenë. Ky korridor i ri, i cili do të lidhë qarkun e Vlorës me bregdetin Jonian, do të jetë më i sigurt dhe më i shkurtër se rruga ekzistuese.
“Kjo hap një pamje tjetër, një Shqipëri tjetër për të gjithë ata që s’kanë kaluar këtej ndonjëherë, është një spektakël i madh nga ana e natyrës, gjithashtu do hapi shumë mundësi për bujqësinë, për blegtorinë, për turizmin. Dalja poshtë në breg është shumë fantastike dhe lidhja me Gusmarin dhe Kuçin poshtë.” -u shpreh kryeministri Rama.
Sipas Ramës, rruga po sjell një transformim rrënjësor, jo vetëm të infrastrukturës, por edhe të hapësirës urbane dhe turistike.