MENU
klinika

Lidhja e Dytë e Prizrenit

“Italianët e gjermanët, e keqja më e vogël para serbo-jugosllavëve”

16.09.2019 - 16:33

     Kuvendi i Prizrenit, më 16 shtator të 76 viteve më parë, që zgjati deri më 20 shtator, vendosi për formimin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, organizatë politike kombëtare, për angazhimin drejt bashkimit dhe mbrojtjes së trojeve etnike.

Lidhja II e Prizrenti mblodhi 45 delegatë, të zgjedhur nga Kosova dhe trevat e tjera shqiptare. Kongresin e udhëhoqi Komiteti Ekzekutiv, me në krye Musa Shehun, i shoqëruar nga Asllan Boletini, Shefqet Shkupi, Qazim Bllaca, Tahir Zajmi, Pjetër Vuçaj, Sheh Hasnai, Qemajl Balila, Hivzi Meraku, Luk Simoni, Haxhi Fahrija dhe Sokol Dobroshi.

Kryetari i Këshillit Ekzekutiv, Musa Shehu, paraqiti rendin e ditës për zgjedhjen e Kryesisë që përbëhej nga kryetari, dy nënkryetarët dhe një sekretar.

Me votim të fshehtë, Musa Shehu, u zgjodh kryetar i kongresit, Aqif Blyta nënkryetar, Rexhep Krasniqi nënkryetar, ndërsa sekretar, Bedri Gjinaj.

 

 

 

 

Kuvendi vendosi formimin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, organizatë politike kombëtare, e cila do të angazhohej për bashkimin dhe mbrojtjen e trojeve etnike. U zgjodh Komiteti Qendror i Lidhjes, i përbërë nga 7 veta. Kryetar i Lidhjes u zgjodh Rexhep Mitrovica, veprimtar i njohur i çështjes kombëtare.

Në Kuvendin e Dytë (17-21 janar 1944) u bënë ndryshime në kreun e Lidhjes. Kryetar i Komitetit Qendror u zgjodh Bedri Pejanin, pas Rexhep Mitrovica ishte emëruar kryeministër i qeverisë që gjermanët ngritën në Tiranë. Kuvendi miratoi edhe statutin e Lidhjes, i cili u dekretua nga Këshilli i Naltë, më 14 mars 1944.

Lidhja do të kishte dhe organin e vet “Lidhja e Prizrenit”, në faqet e të cilit propagandohej ideja e krijimit të Shqipërisë etnike dhe denoncoheshin krimet e kryera nga serbët ndaj shqiptarëve të Kosovës. Lidhja e Dytë e Prizrenit ishte një organizim i krerëve nacionalistë kosovarë, me në krye Bedri Pejanin i inkurajuar në periudhën kur Rexhep Mitrovica ishte kryeministër.

 

 

 

 

Ndryshe nga Lëvizja Nacionalçlirimtare dhe disa grupime nga radhët e nacionalistëve që ishin angazhuar në luftë kundër pushtuesve nazifashistë, forcat kryesore nacionaliste hezitonin që të bënin të njëjtën gjë, t’u bashkoheshin atyre, pasi mendonin se një luftë që udhëhiqej nga komunistët do të përfundonte me rivendosjen e pushtetit jugosllav në krahinë.

Përfaqësuesit më në zë të rretheve nacionaliste i konsideronin pushtuesin italian e më pas atë gjerman, si të keqen më të vogël në krahasim me sundimin serb e jugosllav, që pritej të rivendosej pas tërheqjes së tyre.

Pikërisht për këtë arsye, pas kapitullimit të Italisë, ata përpunuan idenë e thirrjes së një kuvendi kombëtar, që duhej të hidhte bazat e krijimit të një organizate politike në mbrojtje të trojeve etnike nga rreziku i ripushtimit të Kosovës nga forcat jugosllave, pas largimit të trupave gjermane.