MENU
klinika

Dëshmia interesante

Jo gjithnjë kemi pasur bashkëjetesë fetare!

28.09.2019 - 08:15

Bashkëjetesa fetare është një vlerë që sot çmohet shumë, por jo gjithnjë në Shqipëri ka ekzistuar diçka e tillë. Shpesh herë, besimet fetare janë ndarë për çështje të ndryshme: kulturore, arsimore dhe historike.

Një dëshmi interesante na vjen nga dom Ndoc Nikaj i cili në shkrimin e tij “Flamuri e Germat” tregon për përjetimet që pati në Shkodër vendosja e flamurit shqiptar në vend të atij turk. Grupet pro dhe kundër flamurit të ri shqiptar nuk qenë ndarë në bazë të intelektit, por në bazë të besimit (për fat të keq!).

Kjo gjë shkaktoi një grindje të madhe mes “të kshtenve” dhe “muhamedanëve” sikurse i quan dom Ndoci ato që besojnë në krishtërim dhe në islam.

Sipas tij, Nuk dona flamurin me sollrë!… britshin rrugave disa të frymëzuem nga pleqt e vjetër. Dona flamurin e Shqipnis me Shqypen e Skanderbegut britshin Krishtiant në tjetren anë.

Përtej rastit të flamurit, grindje dhe debat pati shkaktuar edhe alfabeti latin. Sikurse keni lexuar edhe më parë, vendosja dhe konsolidimi i alfabetit latin dhe jo atij arab pati krijuar ndasi edhe në Manastir ku po mbahej Kongresi falë të cilit kemi sot një gjuhë të tillë të shkruar.

Dom Ndoc Nikaj thotë: Ata nder muhamedan qi dijshin me shkrue e me këndue, e qi ishin shum të pakët, nuk kishin as fare njoftim për germat latine, edhe ngrehshin qi giuha shqype të shkruhej me germat turqishte, në sa partija katolike që ishte shuma qi dinte me shkrue e me këndue me germat latine lypshin që gjuha shqype të shkruhej me germat latine

Por shkodranët, me sa duket, nuk e lanë me kaq. Nuk u mjaftuan vetëm me debate e ndasi, por gjithçka “mori zjarr” dhe, sikurse dom Ndoci thotë, Qyteti u da dyshë edhe u ndez puna me armë.

Me qi Shkodra ishte e dame dysh nder lagje muhamedane e krishtjane, u pre rruga ndermjet dhe ishte frikë të kalonte njana parti në krah të partisë tjetër. Në njanën anë mbretnonte flamuri i Turkis, kurse në tjetren, aj i Shqypnis.