Përgjithësimi i mbledhjes së të dhënave personale na risjell pashmangshmërisht në mendje mbikëqyrjen e “Big Brother” të romanit të Xhorxh Oruell, 1984. Në shoqëritë tona, kjo fuqi, larg të qenit atribut i shteteve totalitare, është një burim fitimi për shumë kompani, siç shkruan amerikanja Shoshana Zuboff./Konica.al
Kur flasim për rritje të vrullit të mbikëqyrjes dixhitale dhe gjurmimin e sjelljeve tona në internet, referenca për “Big Brother” shfaqet vetëtimthi. Në vitin 2013, pas zbulimeve të Edward Snowden që bëri publike shtrirjen e mbikëqyrjes të vendosur nga agjensitë e inteligjencës anglo-saksone, libri i Oruellit arriti majat e shitjeve të romaneve në Amazon! Eseja e fundit e Shoshana Zuboff: “Epoka e mbikëqyrjes kapitaliste”, na shtyn ta shqyrtojmë më nga afër dobinë e këtij përafrimi.
Studiuesja amerikane përshkruan mënyrën se si kompanitë e mëdha të “Silicon Valley”, “Google” dhe në krye “Facebook”, kanë krijuar një formë të re kapitalizmi, i cili depërton gjithnjë e më shumë në shoqëritë tona: “kapitalizmin mbikëqyrës”. Ky i fundit zhvillohet përmes mbledhjes, analizës dhe shndërrimi në mjet përfitimi i të dhënave të panumërta që individët nuk reshtin së transmetuari, me qëllim që sjelljet e tyre online dhe, gjithnjë e më shumë, ato offline të gjurmohen dhe arkivohen. Në sektorë të shumtë, në ekonominë digjitale, por edhe në sigurim apo financë, këto të dhëna përdoren për të prodhuar “produkte parashikuese”. Me fjalë të tjera, ata bëjnë të mundur parashikimin e hollësishëm të sjelljeve të ardhshme të individëve: për të përcaktuar se cilët përdorues interneti ka gjasa ta blejnë aksh produkt, cilët shoferë rrezikojnë të pësojnë aksidente etj.
Për tregun e sotëm, një e dhënë e tillë ka shumë vlera. Në këtë mënyrë kapitalizmi mbikëqyrës është procesi që shndërron sjelljet tona aktuale në parashikime fitimprurëse të sjelljeve tona në të ardhmen. Është ky stad i historisë së kapitalizmit, ku gjurmimi i përhapur i sjelljeve dhe analiza e parapëlqimeve individuale janë bërë hipoteza fitimprurëse për kompani të shumta të fronëzuara në ekonominë e sotme globale. Kjo situatë është e mbushur me kërcënime për të drejtën e privatësisë. Madje, rreziqet shkojnë përtej kësaj. Për Shoshana Zuboff, janë vetë parimet e modernizmit perëndimor – autonomia individuale dhe sovraniteti demokratik – që janë në rrezik, pasi vullneti për të parashikuar sjelljet e ardhshme mund të rezultojë vetëm në nevojën për t’u dhënë atyre formën që duan. Në fakt, mënyra më e sigurt për të parashikuar një sjellje është ngacmimi i saj, duke e nënshtruar individin në stimuj të përshtatshëm. Kapitalizmi mbikëqyrës nuk bën tjetër veçse gërryen privatësinë. Në fund të fundit, ai përfaqëson fuqinë e shfrenuar të fituar nga aktorë të caktuar ekonomikë dhe politikë në gjendje tashmë të njohin dhe modelojnë sjelljet individuale dhe kolektive./Konica.al
Kjo fuqi evokon “Big Brother” të Oruellit, megjithëse ka edhe ai pikat e tij të ndryshme. Për Shoshana Zuboff, shkrimtari anglez ka parashikuar me mjeshtëri karakteristika të caktuara të shoqërive tona, por parashikimet e tij mbeten të rrënjosura në përvojën e totalitarizmit që ishte ai i shekullit XX. Mirëpo, kapitalizmi mbikëqyrës na vë, sipas saj, përballë diçkaje rrënjësisht të re: jo një shtet totalitar, por një arkitekturë e pushtetit e ndërtuar për qëllime të tregut me anë të teknologjive digjitale; jo “Big Brother”, por “Big Other” (“Big Tjetri”). Eshtë jashtëzakonisht e vështirë t’i rezistosh kësaj fuqie të re, e cila në pak vite ka ndërhyrë në çdo cep të jetës sonë. Shoshana Zuboff e përshkruan atë me shumë nerv (tek-tuk edhe me zgjatime), por nuk i jep asnjë rrugëzgjidhje për t’u çliruar. Po ashtu, lë pas dore faktin që të gjithë nuk janë të barabartë me “Big Other”: ata që nuk kanë mjetet ekonomike, teknike dhe kulturore për t’u mbrojtur, janë të detyruar të vuajnë efektet më të dhunshme se të tjerët. Mbase, kritika e kapitalizmit mbikëqyrës sapo ka filluar./Konica.al
(Marrë nga “Le magazine littéraire”)