MENU

Konflikti për guroret

Policia “rrethon” Malin e Tomorrit, bllokon rrugët

07.09.2019 - 14:29

Policia e Beratit ka bllokuar sot të gjitha rrugët që të çojnë drejt Malit të Tomorrit.

Prej disa orësh, makina turistësh e vizitorësh si dhe kamionat e firmave të gurit janë të bllokuara në aksin Novaj-Tomorr dhe askush nga policia nuk jep asnjë shpjegim në lidhje me situatën e krijuar.

Pronarët e firmave të nxjerrjes së gurit dekorativ në malin e Tomorrit, edhe pse kanë një muaj e gjysëm që kanë fituar gjyqin me qeverinë, VKM-ja e së cilës për shpalljen e Malit të Tomorrit “Park Kombëtar” u rrëzua nga Gjykata Administrative e Apelit Tiranë, vazhdojnë të pengohen nga policia për të vijuar punën.

Pronarët e firmave akuzojnë Ministrin e Mjedisit Blendi Klosi, duke deklaruar se në mal po punon vetëm gurorja që ai ka në pronësi me kryebashkiakun e Poliçanit, Adriatik Zotaj.

Ata deklarojnë se, mali i Tomorrit është blinduar nga forca të shumta të policisë së Beratit, Skraparit e Poliçanit,5 furgona të FNSH-së, forcat shqiponja, efektivë të qarkullimit rrugor dhe të krimit ekonomik. Firmat janë konfliktuar edhe sot verbalisht me policinë, duke u kërkuar urdhrin me shkrim se përse po bllokohen kamionët të punojnë në Novaj, por askush nuk jep shpjegim për situatën e krijuar.

Rreth 130 forca policie janë të shpërndara në të gjithë malin, në 8 pika strategjike, pikërisht në akset: Dobrush-Mali i Dobrushës,Bogovë- Selan,Bogovë-Novaj,Pronovik -Novaj dhe Novaj-Rrasë e Novajt. Bllokimi nga policia i të gjitha rrugëve që të çojnë drejt malit të Tomorrit, ka bllokuar për orë të tëra jo vetëm kamionët e firmave të gurit por edhe mjetet private të turistëve dhe qytetarëve që duan të vizitojnë Teqenë e Kulmakut.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nga Sazan Guri

Arsyeja e të parëve