MENU
klinika

Washington Post

Krizën e vlerave perëndimore po e paguan Siria

07.09.2019 - 10:35

Kriza e vlerave perëndimore ka shumë aspekte.

Ka një rënie të besimit në demokracinë liberale, një humbje të besimit në të drejtat universale të njeriut, një kolaps të mbështetjes për të gjitha llojet e projekteve transnacionale. Ka një krizë kushtetuese në Londër. Është një president që kundërshton normat demokratike në Uashington. Ka sfida për shtypin e lirë dhe gjyqtarët e pavarur në demokraci kudo.

Por kjo krizë e njëjtë, kjo humbje e njëjtë e vetëbesimit perëndimor, mungesa e besimit te idealet, ka një aspekt edhe më të përgjakshëm, më të dhunshëm.

Dhe është lufta e vazhdueshme në Siri. Tani për tani, ushtria e qeverisë siriane, e ndihmuar nga aleatët e saj rusë, po lufton xhihadistët e fundit në Idlib, e vetmja provincë rebele e mbetur në veriperëndim të Sirisë.

Por, kundër Konventave të Gjenevës, ata po godasin civilë. Më keq akoma, ata po synojnë të sëmurët dhe të dëmtuarit. Si masë paraprake, Kombet e Bashkuara i dhanë qeverisë ruse vendndodhjen dhe koordinatat e spitaleve në Idlib. Por në vend që t’i mbronin ata, rusët mund të kishin ndarë ato lokacione dhe koordinata me qeverinë siriane. Kjo është një luftë në të cilën vendet e njerëzve të sëmurë duhet të mbahen të fshehta nga bashkësia ndërkombëtare.

Kjo është gjithashtu një luftë në të cilën asnjë vend perëndimor nuk dëshiron të investojë përpjekje diplomatike ose kohë politike.

Në një epokë tjetër, do të kishte patur një të dërguar të Amerikës, ndoshta një sekretar shteti, ose një negociator evropian, ose ndoshta një ekip të Kombeve të Bashkuara me mbështetjen e plotë e një administrate amerikane, në terren.

Pothuajse çdo ditë, larg titujve, grupe të vogla janë duke u dorëzuar ose duke rënë dakord për “armëpushime” që nënkupton dorëzim. Por kjo nuk do të thotë që luftimet do të ndalen.

Më e rëndësishmja, edhe nëse të gjithë udhëheqësit rebelë dorëzohen në Idlib, kjo nuk do të thotë që 11 milion refugjatë sirianë të shpërndarë nëpër Evropë dhe Lindjen e Mesme do të jenë në gjendje të kthehen në shtëpi. Dhe nëse ata nuk mund të shkojnë në shtëpi, asnjë pritje e ngrohtë nuk i pret askund tjetër.

Disa sirianë të guximshëm janë ende duke raportuar, filmuar dhe fotografuar luftën në përpjekje për të treguar historitë e tyre. Vetëm disa muaj më parë, një fotografi e jashtëzakonshme e një vajze 5-vjeçare që përpiqej të shpëtonte motrën e vogël në rrënojat e shtëpisë së tyre, u shfaq në disa tituj mediash.

Kaq shumë gjëra kanë humbur në Siri: angazhimi ynë për “parandalimin e gjenocidit”, vetëdija jonë për “përgjegjësinë për të mbrojtur”, angazhimin tonë të gjatë për paqen dhe paqeruajtjen.

Por nga të gjitha këto gjëra, është kjo, humbja e empatisë, që me kalimin e kohës do të bëhet më dëmtuese dhe e rrezikshme, jo vetëm për Sirinë, por edhe për veten tonë.

Anne Applebaum