MENU
klinika

Azem Shkreli

Kthesa e parë e modernizmit

07.09.2019 - 15:54

Azem Shkreli zë një vend të rëndësishëm në poezinë moderne shqiptare.

Krahas cilësisë, poezia e Shkrelit, shënoi kthesë në rrjedhat e poezisë kosovare zgjeroi spektrin tematik, e subjektivizoi dhe intimizoi heroin lirik, dhe çka është më me peshë, solli një ndjesi të re, të mprehtë, ndaj gjuhës, ndaj fjalës. Kështu, ajo i hapi rrugë bindshëm poezisë së viteve pesëdhjetë, të ngarkuar me patosin e euforisë kolektive

Azem Shkreli lindi më 1938 në Rugovë të Pejës.

Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa në Prishtinë ai vazhdoi shkollën e mesme për të vazhduar Fakultetin Filozofik, degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Për shumë vjet, ai ka qenë kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, drejtor i Teatrit Krahinor në Prishtinë dhe themelues e drejtor i Kosova Filmit. Vdiq në pranverën e vitit 1997.
Ka botuar këto vepra në poezi: “Bulzat” (1960), “Ëngjujt e rrugëve” (1963), “E di një fjalë prej guri” (1969), “Nga bibla e heshtjes” (1975), “Pagëzimi i fjalës: (1981), “Nata e papagajve” etj. Në prozë: “Karvani i bardhë” (1961), “Sytë e Evës” (1975), “Muri përfundi shqipeve”, “Shtatë
nga ata”, si dhe dramat: “Fosilet” (1968), “Varri i qyqës” (1983) etj. Poezitë e tij janë përkthyer në shumë gjuhë të huaja.

Shfaqja e Azem Shkrelit si poet, përpos që përputhej me ardhjen e talentit të fuqishëm, shënonte njëkohësisht kthesën e parë drejt hapjes dhe modernizimit të poezisë shqipe të pasluftës.

Shkreli u ngjit natyrshëm në kulmet e poezisë së sotme shqiptare dhe këtë vend ai e konsolidoi dhe e përforcoi nga njëra vepër poetike në tjetrën, deri në atë të fundit, që e la dorëshkrim, “Zogj dhe gurë”, botuar më 1997.
Veprimtaria në poezi dhe në prozë e Azem Shkrelit, në fund të viteve pesëdhjetë dhe në fillim të gjashtëdhjetave, shënon kthesë cilësore dhe kthesë në praktikat krijuese letrare.

Kështu, Azem Shkreli, shënoi kthesën e parë më të rëndësishme në poezi, në radhë të parë, duke e çliruar Unin lirik intim nga ai kolektlv, duke selitur në të temën e dashurisë për vendlindjen dhe duke portretizuar njeriun e truallit rugovas, me ngjyrimet e traditës dhe të lashtësisë, dashurinë për vashën, lirikën peizazhiste, etj. Nga ana tjetër thyerjen e parë të madhe në letërsinë shqiptare, kosovare, Shkreli e bëri me romanin “Karvani i bardhë”, si edhe me tregimet e përfshira në vëllimin “Sytë e Evës”, që qëndrojnë ndër më të realizuarat në prozën tonë të shkurtër…

Vendlindja, natyra dhe njeriu i Rugovës së Dukagjinit, portreti shpirtëror i tij, do të jenë frymëzimi kryesor i poezisë së Azem Shkrelit të shtrira brenda viteve gjashtëdhjetë.

Frymëzimi që ngjizet mbi këtë hapësirë e që është kthim i shpeshtë i poetit, nuk është konvencional e aq më pak pozë: nuk ka në të patetikë malli dhe mallëngiimi që djeg, “më të bukurin vend”… Bota e vendlindjes së poetit është e pranishme si botë e njerëzve, si besim dhe parim etik, si ashpërsi dhe krenari, si individualitet i papërsëritshëm me hapësirat e tjera, si filozofi jetësore, si raport ndaj lindjes, jetës, vdekjes, dashurisë, si raport ndaj dasmës dhe festës, ndaj punës dhe natyrës, ndaj zotit dhe, sidomos ndaj fjalës.

Në këtë frymë janë poezitë e ciklit “Këngë për vete” të shkruara në fund të viteve pesëdhjetë dhe që, së bashku me një tufë poezish të tjera, do t’i emërtojmë si autoportret poetik. Tek poezitë e ciklit “Dukagjinçe” mund të përmendim disa poezi portrete të vendlindjes që shënojnë kulmin artistik të poetit si: “Dukagjinçe”, “Vdekja e Malësorit, “Bregu i mollës”, “Shkëmbi”, “Lumi” etj.

Azem Shkreli është një nga lirikët më modernë në llojin e poezisë patriotike. Nuk ka eufori në atë poezi, as përbetime e dëshmi atdhetarizmi që, në këtë fund shekulli janë aq me tepricë në poezinë tonë. Brenda këtij harku tematik poeti me guxim denoncon cenet dhe veset shqiptare, dje dhe sot, duke e ruajtur besimin në substancën e shëndoshë të qenies. Ndjenja e atdhedashurisë shtrihet gati në tërësinë e veprës poetike të Azem Shkrelit. Ajo dallohet thekshëm tek frymëzimet poetike të ngjizura nga drama kosovare dhe shqiptare, sidomos të viteve nëntëdhjetë.

Në këtë tematikë sidomos shquhen dy veprat e fundit të poetit: “Lirikë me shi” dhe “Zogj dhe gurë”.

Dukagjinçe
Po vinë argatët
Të heshtur. Të muzgët. Po vinë
Po vini. Err e terr
Brodhi arave të tyre dita
Po vinë. E poqën
Diellin e bakërt të bukës
Po vini. Po vinë
Me bimët mugullore ndër muskuj
Po vinë. Ditë argëtare
Grua që do t’ua mbash mend farën

Vdekja e malësorit
Asnjë kokë përkulur
Se ja rrëxoni lisat
Asnjë gjëmë mësa guri
Se ja shembni majet
Asnjë lot asnjë
Se ja shteroni krojet
Në sytë e tij vetëm
Harroi prendimin dita
Ç’mendim i vrugët
Ç’mendim i ftohtë ndër vetulla
Lum ky çfarë vdekje

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit