MENU
klinika

Ceremonia e Gërhotit në Gjirokastër

“Ku e ke gjakun e gjyshit”, përplasen 2 partitë e Ballit

14.09.2019 - 11:36

Sharje, të bërtitura, akuza e shtyrje. Shoqërohet me konflikt ceremonia përkujtimore e luftës së Gërhotit në Gjirokastër ku prehen eshtrat e disa prej krerëve nacionalistë të ekzekutuar janë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Përfaqësuesit e dy partive të Ballit Kombëtar janë konfliktuar me njëri -tjetrin.

Kanë qenë të parët përfaqësuesit e Partisë Balli Kombëtar që kanë sulmuar dhe akuzuar si tradhtarë kryetarin e partisë Balli Kombëtar Demokrat Artur Roshi, i pranishëm në ceremoninë e organizuar nga PD.

I pranishëm veç familjarëve edhe ish- deputeti Enkelejd Alibeaj që kërkoi zbardhjen e së vërtetës që edhe pas 76 vitesh është ende e pazbardhur.

Kreu i PD Gjirokastër Dasho Aliko ka treguar se çfarë ka ndodhur sapo në ceremoni ka shkuar i paftuar Artur Roshi, kreu i Ballit Kombëtar Demokrat.

“Sot është 14 shtatori, 76-vjetori i të rënëve në luftën në Grehot që u vranë nga sistemi i kohës. Kur ishim gati duke filluar homazhet, erdhi dhe zoti Roshi që ishte i paftuar dhe u fut në turmë. Ne nuk mund të pengonim askënd.
Një grup tjetër i vendosur nga Alimadhi (Adriatik Alimadhi, kreu i Partisë Balli Kombëtar, aktualisht deputet) erdhi dhe filluan të debatonin përse Roshi është këtu, ata janë tradhtarë.

Konflikti ishte mes Roshit dhe pjesës tjetër të përfaqësuesve. Mendoj se ishin futur nga Alimadhi, megjithëse ata i shanë të dy deputetët që janë futur në Kuvend. Më erdhi keq sepse ceremonia ishte e organizuar nga PD. Mendoj se ishte një luftë mes dy Partive të Ballit për zona influence. Ata nuk kishin asgjë me PD, madje na thanë përse ka ardhur Roshi këtu. Ata thanë se ju shkelët gjakun e të rënëve sepse shkelët në një parlament që drejtohet nga ata që i kanë vrarë”, tha Aliko.

Nga ana tjetër, kreu i Ballit Kombëtar Demokrat, Artur Roshi u shpreh se ceremonia për përkujtimin e viktimave në radhët e nacionalistëve në luftën e Grehotit, është një eveniment i përvitshëm që kryhet në Gjirokastër në bashkëpunim me Partinë Demokratike.

Roshi theksoi se ka qenë gjithnjë protagonist në ceremoni të tilla, dhe se Balli Kombëtar Demokrat i ka kthyer në vepër arti këto varreza.

“Kam qenë protagonist që kur kam qenë studentë, që nga ajo kohë deri me sot nuk jam shkëputur. Nga 1992 e deri më sot. Ato varreza atje, kryesia e Ballit i ka kthyer në vepër arti. Jemi të nderuar që shkojmë dhe i respektojmë ata. Janë ndërtuar me kontributin e Ballit. Artur Roshi është në vazhdimësi të protagonzimit. Ne gjithmonë e kemi bërë në bashkëpunim këtë aktivitet, kemi kryer këto ceremoni.

Ndërkohë sot zotëria merr fjalën e thotë që unë e inicoj nuk ka rëndësi. Për mua Balli e ka shënuar këtë aktivitetet bashkë me PD. Në cdo vend ka një njeri që mund të dalë i shtyrë nga emocione të ndryshme është për të ardhur keq që shoqëria shqiptare nuk është emancipuar. Gjithnjë ka pas një njeri që ka folur si ka dashur ai që foli sot nuk donte as PD e as Ballin, se me kë ishte nuk e di.” u shpreh Roshi, ndërsa theksoi se edhe sot pas 76 vitesh historia ende nuk është zbardhur.

Ceremonia përkujtimore e luftës së Grehotit ku prehen eshtrat e disa prej krerëve nacionalistë të ekzekutuar gjatë Luftës së Dytë Botërore u shoqërua sot me konflikte në Gjirokastër.