MENU
klinika

Mesazhi që përcjell

Masakra e Buzëmadhes, Basha kujton vrasjen pa gjyq të 21 banorëve

26.09.2019 - 09:28

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka kujtuar sot 75-vjetorin e masakrës se forcave komuniste ndaj banorëve të Lumës në Buzemadhe të Kukësit.

Me një mesazh në faqen e tij në Facebook, Basha e quan të sotmen një moment reflektimi kombëtar.

Mesazhi i Bashës:

75 vjet më parë, në Lëndinën e Kroit të Bardhë, pranë fshatit Buzëmadhe të Lumës u krye njëra nga masakrat që simbolizon më qartë se çdo gjë tjetër luftën vllavrasëse që forcat komuniste konsumuan në Shqipëri përgjatë gjithë periudhës shtator 1943 – nëntor 1944.

Në një akt të pabesë, forcat komuniste mashtruan popullsinë civile të fshatit Buzëmadhe dhe pushkatuan pa gjyq 21 banorë të fshatit, me pretendimin se ata po mbronin Muharrem Bajraktarin. Masakra e Buzëmadhes u krye sipas porosisë politike për të likuiduar çdo rezistencë tjetër që po i bënte ballë pushtimit gjerman dhe që aspironte për një Shqipëri demokratike, duke i hapur rrugën vetëm diktaturës së partisë-shtet, diktaturës së një individi që kishte tmerr nga çdo sprovë zgjedhjesh që mund të vinte në dyshim pushtetin e tij. Në këtë masakër u morën 21 jetë të pafajshme, dhe mbrtën 16 gra të veja e 58 fëmijë jetimë.

Masakra e Buzëmadhes ishte pasojë e përplasjes vllavrasëse që shkaktuan komunistët në Lusën, ku për 3 ditë me radhë sulmuan egërsisht popullsinë civile, në mbrojtje të të cilës ishte rreshtuar Muharrem Bajraktari dhe forcat nacionaliste nën drejtimin e tij, ndaj të cilave nuk kishte patur më herët kurrfarë akuze për bashkëpunim me pushtuesit as nga ana e komunistëve.

Krimi makabër ishte aq i papërtypshëm, saqë në plenumin e Beratit, të nëntorit të 1944-s, vetë udhëheqja politike e autorëve të këtij akti terrorist u detyrua të pranonte se në Lumë ishte tejkaluar politika e terrorit dhe se ishin vrarë njerëz të pafajshëm.

Por gjithçka ishte propagandë, sepse para Masakrës së Buzëmadhes, daulleve të vëllavrasjes, sipas parimit “të gjithë pushtetin sovjetëve”, forcat komuniste i ranë anekënd Shqipërisë, në Dukat të Vlorës, në Lushnje, në Dumre, në Martanesh, në Starovë, dhe pas kësaj masakre, u vijua njësoj me politikën e terrorit dhe të masakrave, edhe në Mirditë, në Tivar e në të gjithë territorin e Kosovës.

Urimi im sot është që 75-vjetori i Masakrës së Buzëmadhes të shërbejë si një moment reflektimi kombëtar. Në këtë vit jubilar, kur kremtohet 75-vjetori i çlirimit të Shqipërisë nga forcat pushtuese nazi-fashiste, ne duhet të tregohemi në lartësinë e kësaj date dhe të dalim mbi leximin e vjetër bardh e zi të këtij përvjetori.

Ky çlirim pati therror të madh dhe fatkeqësisht, pas luftës civile që u zhvillua në hije të historisë, ai solli diktaturën më të egër në Europë dhe rrënoi për thuajse 50 vjet çdo aspiratë për zhvillim kombëtar e rikthimin e vendit tonë në gjirin e Perëndimit. Komandantët e brigadave që drejtuan Luftën Civile u kthyen në drejtues politikë të pushtetit të diktaturës dhe për 50 vjet, diktaturën e egër e shndërruan edhe në një luftë civile permanente ndaj të afërmve e pasardhësve të viktimave të masakrave të 1944-s.

Ky 75 vjetor duhet të jetë jubile përkujtimor edhe për viktimat civile të Luftës së Dytë Botërore, edhe për viktimat e diktaturës që erdhi pas përfundimit të kësaj lufte. Ky jubile duhet të jetë një moment analize, një moment për të kërkuar ndjesë, jo një moment revanshi e as tentativë e ulët për të përfituar nga partizanët e nga viktimat e Luftës së Dytë Botërore.

Shenjat e politikës së ulët që shfaqet në politikën e sotme të tipit “pushteti jonë është fituar me gjak dhe do të lëshohet vetëm me gjak” flasin për panikun e këtyre qenieve meskine, që s’kanë respekt as për gjakun e të rënëve e as për përvjetorin e çlirimit të vendit.

Duke përkujtuar viktimat e Masakrës së Buzëmadhes, uroj që familjet e tyre të marrin ndjesën e duhur nga autoritetet, ndjesë të cilën ata e presin që në fillim të pluralizmit. Paaftësia për të kërkuar falje po e bën shoqërinë tonë të paaftë të përparojë në rrugën drejt integrimit në familjen perëndimore, prandaj sa më shpejt të vijë kjo ndjesë dhe të ndalet loja e shëmtuar përplasëse me jubileun e 75 vjetorit të çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit e huaj, aq më shpejt përvjetorët që shënojnë fundin e Luftës së Dytë Botërore në trojet shqiptare do të jenë përvjetorë përkujtimi, lutjeje, analize e faljeje, dhe ç’është më e rëndësishmja, aq më shpejt do t’i mbyllin derën përsëritjes së fenomeneve që na turpërojnë si komb, siç është edhe Masakra e Buzëmadhes.