MENU
klinika

Deklaratat/ 'Të tërheqim njohjen e Kosovës'

Ministri çek dhe kreu i Senatit kundër presidentit

12.09.2019 - 09:12

Ministri i Jashtëm çek, Tomáš Petříček ka mbajtur një qëndrim krejtësisht tjetër nga ai i presidentit, Millosh Zeman lidhur me çështjen e Kosovës.

Përmes një reagimi të shkurtër, Petříček shkruan se Çekia do të vazhdojë që të mbështesë dialogun mes Serbisë dhe Kosovës dhe jo të tërheqë njohjen e saj si shtet i pavarur. Kështu ai ka dalë kundër deklaratës së Zeman gjatë konferencës për mediat në Beograd,

“Qeveria çeke, e cila është përgjegjëse për politikën e jashtme, nuk e ka ndryshuar qëndrimin e saj për Kosovën ose ndonjë prej shteteve të Ballkanit Perëndimor. Ne do të vazhdojmë të mbështesim dialogun mes Serbisë dhe Kosovës dhe rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian”, ka shkruar ministri çek në Twitter.

Po ashtu në të njëjtën linjë është deklaruar edhe kryetari i Senatit çek, Jaroslav Kubera. Ky i fundit është shprehur se ideja e presidentit për tërheqjen e njohjes së Kosovës, është joreale dhe se deklarata të tilla i ka bërë për t’iu pëlqyer serbëve.

“Presidenti mund të thotë çfarë të dojë, por nuk është ai që mund të bëjë diçka. Do të ishte debat i madh për asgjë”, tha Kubera.

Kujtojmë se presidenti i Çekisë, Millosh Zeman deklaroi në Beograd se dëshiron të diskutojë me zyrtarët kushtetues çekë mundësinë që vendi i tij ta tërheqë njohjen e Kosovës si shtet të pavarur.

“Shteti, i udhëhequr nga kriminelët e luftës, nuk i përket bashkësisë së shteteve demokratike. Unë nuk mund të imponoj pozicionin tim, por ajo që mund të bëj është që të jap një muaj kohë për konsultime të autoriteteve, rreth asaj nëse është e mundur ta tërheqim njohjen” tha Zeman.