Jose Mourinho ka refuzuar mjaft propozime për të drejtuar ekipe të mëdha muajt e fundit, pasi ka vetëm një objektiv: Të rikthehet trajner i Real Madrid.
Trajneri portugez nuk drejton një ekip që prej dhjetorit të vitit të kaluar, kur u shkarkua nga Manchester United. Sipas “goal.com”, Mourinho është interesuar shumë kohët e fundit për të qenë sërish trajner i skuadrës së Real Madrid.
Aq sa ka anashkaluar oferta konkrete nga Monaco, Lille, Wolfsburg apo Schalke, që kanë ardhur kohët e fundit.
Më parë, Mourinho ishte fiksuar për të drejtuar 3 skuadra: Paris Saint Germain, Juventus dhe Bayern Mynih. Për këtë arsye ai nisi edhe të mësojë gjermanisht.
Më pas, ai mund të drejtonte edhe Tottenham, në rast se Mauricio Pochettino do të transferohej te Real Madrid. Gjithsesi, të gjitha ato mundësi u shuan shpejt dhe tashmë alternativa e vetme e portugezit është të drejtojë Real Madrid, në rast se shkarkohet trajneri Zinedine Zidane.
Humbja 0-3 e skuadrës “merengues” ndaj PSG-së në Chammpions League ka shtuar zërat për largimin e Zizu nga stoli i “los blancos” dhe rikthimin e “special one”.