MENU
klinika

Rrezikohet shpërthimi i epidemive!

Nga Blloku te Myslym Shyri, PD: Tirana pa ujë të pijshëm

01.09.2019 - 11:21

Partia Demokratike ka denoncuar këtë të diel mungesën e ujit të pijshëm në Tiranë, që nga zonat periferike deri te zonat më të populluara në qendër të kryeqytetit. Ish-deputetja demokrate, Albana Vokshi, tha nga selia blu se prej javësh mungon uji i pijshëm në zonën e Sami Frashërit, Myslym Shirit dhe Bllok.

“Lagje të tëra në Tiranë ankohen se nuk furnizohen me ujë. Problemi i mungesës së ujit është në periferi dhe në qendër, në zonën Sami Frashëri, Myslym Shyri e Blloku. Jo vetëm që mungon uji prej javësh, por vjen edhe me mikrobe, që janë rrezik për shpërthimi epidemish”, tha Vokshi.

DEKLARATË PD, ALBANA VOKSHI

Mijëra mesazhe e denoncime kanë mbërritur në Partinë Demokratike për mungesën e furnizimit me ujë në Tiranë. Dhjetra lagje në Kryeqytet ankohen se nuk furnizohen me ujë prej javësh, lagje të tëra uji mungon mbi 20 orë në ditë, ndërsa faturat e ujit u shumëfishuan për të justifikuar vjedhjen galopante në Ujësjellësin Tiranë.

Problemi i mungesës së ujit nuk është vetëm në periferi, por edhe në qendër të Tiranës. Denoncimet vijnë, jo vetëm nga Yzberishti, Astiri, Ali Demi, Lapraka, Uzina e Autotraktorëve, por edhe nga rruga ”Sami Frashëri”, zona e “Myslym Shyrit”, zona e Bllokut etj.

Nuk mjafton kjo, por qytetarët ankohen se uji vjen i ndotur në rubineta në rrezik shpërthimi epidemish. Sipas stafit të UKT, nuk ka prioritete, nuk ka hot-spote (pika ku duhet të ndërhyhet menjëherë), nuk ka plane veç çfarë të dalin më parë mundësitë për të zhvatur!

Çdo ditë në Tiranë, në çdo lagje të saj, shihen qytetarë të lodhur, të dëshperuar, që presin me orë depozitat me ujë që transportohen nga kompani klientë të Erjon Veliajt. Praktikisht Tirana e merr ujin, një nevojë bazike, tashmë me tollon, njëlloj siç ndodhte me ushqimet bazike në kohën e Enverit.