MENU
klinika

“Ishulli”

Një burrë zhvishet në Akademinë e Arteve

25.09.2019 - 14:44

      Njeriu dhe realiteti, apo njeriu që i ikën realitetit. Një temë kaq ekzistente, sa edhe njeriu vetë.

Një burrë, i zhveshur, zbarkon në një ishull, hipur mbi një trap… Vendasit e mirëpresin së pari, pastaj e burgosin, pastaj e internojnë dhe e lenë të hipë në të njëjtin trap.

Nga frika që kjo ndodhi mund të përsëritej, ata vendosin të fortifikojnë ishullin me mure shumë të larta, në mënyrë që edhe zogjtë ta mbajnë veten larg tokës së tyre dhe askush të mos dijë për ekzistencën e ishullit.

Ky është subjekti i veprës së Armin Greder “Ishulli”, me regji të italianit Francesco Tammacco.

Një shfaqje për emigrimin, tolerancën dhe pranimin e të ndryshmëve që sonte do tē vendoset në orën 19:00 te Akademia e Arteve.

E gjitha është në kuadër të një turneu që po zhvillon Bashkia e Tiranës dhe ajo e Fierit, falë projektit të BE-së, me Malin e Zi dhe Italinë.

 

 

 

 

“Ishulli” në Akademinë e Arteve, sonte do të ketë protagonistë aktorët, si: Claudia Gadaleta, Rosa Tarantino, Federico Ancona, Marco Sallustio, Carlo Salvemini, Gabriella Caputi etj.

Ndërkaq, dje në mbrëmje aktori i mirënjohur Arben Derhemi dha monodramën e tij “Johan Padan” në kuadër të projektit në Budva.

“Johan Padan i Otrice Amertika” i dramaturgut Dario Fo, dha një mesazh tejet të rëndësishëm në shqip,që si për ironi, përkoi edhe me tërmetin e fortë që përjetuan qytetarët e Tiranës dhe Durrësit.  Më kot mundoheni ta kontrolloni dhe ta shikoni fundin e botës, në dukuristë natyrore: kometat, furtunat e mëdha, vetëtimat, bubullimat, apo në shembjen e gjithçkaje që është ndërtuar deri më sot.

 

 

 

 

Ajo që po zhduket është pikërisht, shpirti i njerëzimit. Ana shpirtërore po humbet dhe njeriu po bëhet njësh me makinat, teknologjinë, gjë që nuk do të ishte normale: Zoti e ka ndërtuar të tillë dhe e ka bërë natyra kaq të mirë, kaq të përsosur, ndaj lëreni kështu siç është.