MENU
klinika

Paralajmërimet e kryeministrit pakistanez

Një luftë bërthamore në Kashmir?

26.09.2019 - 14:08

Kryeministri i Pakistanit, Imran Khan, ka thënë se është përpjekur të ngrejë alarmin në Kombet e Bashkuara këtë javë në lidhje me rrezikun e një shpërthimi të një lufte bërthamore në Kashmir.

India dhe Pakistani patën një konflikt në shkurt kur India bombardoi territorin pakistanez për herë të parë në një gjysmë shekulli dhe aeroplanët e luftës nga të dy vendet luftuan mbi rajonin e ndarë.

Tensionet janë shtuar përsëri pasi India revokoi një klauzolë kushtetuese që i dha statusin gjysmë-autonom Kashmirit. India vendosi qindra mijëra trupa në rajon dhe kreu mijëra arrestime.

Khan tha se masa ishte e nxitur nga ideologjia nacionaliste hinduiste e kryeministrit indian, Narendra Modi, të cilën ai e quajti një “fashist”.

Khan parashikoi një reagim popullor pasi të hiqen masa të tilla. “Ata do të dalin në rrugë. Çfarë ndodh atëherë?”, u tha Khan gazetarëve në asamblenë e përgjithshme të KB. “Kam frikë se do të ketë një masakër dhe gjërat do të fillojnë të dalin jashtë kontrollit,” tha udhëheqësi pakistanez.

kolana e librave

Khan është zotuar të mbrojë territorin pakistanez por gjithashtu ka shprehur frikë nga një përshkallëzim i pakontrolluar. Ai tha se kishte shprehur frikën e tij në bisedat me Donald Trump, Angela Merkel, Emmanuel Macron dhe Boris Johnson.

Trump ka ofruar të ndërmjetësojë, por vetëm nëse bien dakord Pakistani dhe India. India ka qenë rezistente ndaj ndërmjetësimit të jashtëm.

Trump është bërë një aleat i ngushtë politik i Modi, madje duke u paraqitur si mysafir i kryeministrit Indian të dielën e kaluar në një tubim në Teksas. Por të hënën, Trump përshkroi disa nga retorikat e Modi si “shumë agresive”.

Ndërkohë, Khan tha se i ishte kërkuar nga SHBA dhe Arabia Saudite që të vepronin si ndërmjetës me Iranin.