MENU
klinika

Historia

Origjina arbërore e shenjtit të Kishës së Laçit

10.09.2019 - 10:30

Nuk besoj se ka shqiptar që nuk ka dëgjuar asnjëherë të vetme të flitet për Kishën e Laçit, vendin e mrekullive e të shërimeve të njohura anë e mbanë.

Në të vërtetë, përtej emërtimit popullor, ky vend i shenjtë është një shenjtërore që i kushtohet Shën Antonit të Padovas, i njohur gjerësisht nga besimtarët si Sh’na Ndou i Padovës.

Nëse keni pasur apo do të keni fatin të shkoni në Padova, do të shihni se në qendër të qytetit është shenjtërorja kryesore që i kushtohet këtij shenjti famëlartë për mrekullitë e kryera në të gjallë e në amshim. Aty janë edhe disa ndër organet e tij, përfshirë gjuhën edhe trurin, para të cilëve besimtarët luten e kërkojnë hirin e një prej pajtorëve me të njohur.

Nëse shkon në Kishën e Laçit, diku poshtë godinës së shenjtërores, sheh turma njerëzish që presin në një radhë me fund të errët. “Ku duan të shkojnë?” është e para pyetje që gjithkujt i vjen ndër mend dhe, me një lloj instikti të shtyrë nga kurioziteti, viheni pas tyre.

Një shpellë shumë e madhe, por e hapur fare pak për publikun, është ajo që ju del para syve. Edhe ju, për inerci më tepër, vendosni të hyni në të dhe, në radhë mësoni se kjo shpellë mban emrin “Shpella e Sh’na Vlashit”.

Pse kjo shpellë është kaq e përshpirtshme për të gjithë? Pse kjo shpellë është burim mrekullishë? Pse të futësh kokën në guvën majë shpelle është mirë? Pra, kush është ky mrekullibërës kaq i madh me emrin Sh’na Vlash?

Përgjegjësi i Zyrës së Katekizmit, K.O.A.SH. Marian Çako, kohë më parë ka bërë një artikull mbi shenjtin që mban emrin Vlash, shenjt i krishterë, ndërmjetësinë e të cilit kërkojnë katolikët dhe ortodoksët.

Sebaste ka ekzistuar që në kohëra të lashta, pikërisht ku sot është qyteti i Laçit. Sipas të dhënave që kanë sinaksarët e kishës thuhet se në shekullin IV aty jetonte një i krishterë me emrin Vlash, episkop i Sebastes, i cili për shkak të shërbimit apostolik, ra në sy të autoriteteve romake, të cilët i përndiqnin të krishterët sepse nuk u faleshin “perëndive të tyre” dhe vetë perandorit si zot, por i faleshin Jezu Krishtit që për romakët nuk ishte gjë tjetër veç një judë i rëndomtë që u kryqëzua në kohën e Poncit Pilat, guvernator i Romës në Jeruzalem.

Në vitin 307 ps. Kr. guvernatori Agrikola dha urdhër arresti për shenjtorin, i cili u fsheh në një shpellë përballë qytetit, ku i bënin shoqëri kafshët e egra, të zbutura nga hiri i shenjtorit. Atje, i fshehur në shpellë, lutej dhe priste vullnetin e Perëndisë në lidhje me martirizimin e tij. Kur u spiunua nga disa gjahtarë, ushtarët romakë e gjetën shenjtorin dhe ai pranoi t’u dorëzohej pa rezistencë. Mbasi e zbritën nga mali Argeo (i bardhë) e çuan në një tempull pagan, e lidhën në një shtyllë duke e lançuar që të mohonte besimin e krishterë, por ai nuk e mohoi dhe më në fund e martirizuan me prerje koke më 11 shkurt 307 ps.Kr. Kulti i shën Vlashit që nga shek. VII u përhap në Europë dhe sidomos në zonën veriperëndimore të Ballkanit, nga Durrahion (Durrësi) deri në Raguzë (Dubrovnik) ku janë ndërtuar afro 30 kisha në nderim të shenjtorit.

Ky fakt ngre një pyetje: përse ky nderim kaq i përhapur për shën Vlashin, veçanërisht në këtë zonë larg Sebastes së Armenisë?

Por shumë studiues janë të mendimit se kemi të bëjmë me dy shenjtorë me të njëjtin emër, por, edhe me të njëjtin fund martirik. Pra me shën Vlashin, martir në Sebaste të Armenisë dhe shën Vlashin, episkop martir të Sebastes në Arbëri. Ky fenomen i mbivendosjes së jetëve të shenjtorëve është diçka e njohur, duke pasur parasysh kohën e trazuar kur kanë ndodhur këto ngjarje martirike, po ashtu gabimet njerëzore të kopjuesve të teksteve edhe për shkak të ngjashmërisë së emrave dhe jetëve të shenjtorëve.

Por le të flasim më konkretisht në lidhje me hipotezën, se në Sebaste të Arbërisë ka shërbyer një episko martir me emrin Vlash. Krishtërimi në Shqipëri është apostolik d.m.th. ai është marrë nga vendasit, direkt nga goja e apostujve nxënësve të Krishtit. Në hapësirën Arbërore të përshkuar nga rruga Egnatia që lidhte lindjen me perëndimin, kanë predikuar fjalën e Perëndisë apostull Pavli, apostull Andrea dhe apostull Luka. Në letrën e apostull Pavlit drejtuar Romakëve në vitin 57 ps.Kr. ai shkruan: “Kështu prej Jeruzalemit e përqark gjer në Iliri kam kryer shërbimin e Ungjillit të Krishtit” (Rom.15:19). Madje apostull Pavli në qytetin e Dyrrahion( Durrësit) themeloi bashkësinë e parë të krishterë, duke lënë si peshkop të parë shën Qesarin dhe më pas u vendos shën Asti peshkop martir i cili u dënua me vdekje në vitin 116 nga perandori Trajan dhe sundimtari vendas Agrikola.

Zona e Ilirisë ka qenë episkopatë që në shek. IV. Dioqezat në fillim vareshin nga Kryepiskopata e Romës deri në vitin 732 ps. Kr. Kur Leon III Izauri i ndau provincat lindore nga Roma dhe i bashkoi me Kostandinopolin, që atëherë dioqezat e krishtera të llirisë hynë në administratën e Kostandinopolit. Patriarkana e Romës ose siç u quajt papati, jo vetëm që kishte në administrim disa nga dioqezat Dalmate, por pas vitit 1054 (skizma e madhe me Kishën e Lindjes) u përpoq t’i zgjerojë dioqezat në favor të saj, duke sulmuar bregdetin lindor të Adriatikut dhe i vuri shumë rëndësi peshkopatës së Tivarit dhe të Raguzës, duke ndikuar që besimtarët e atyre zonave të shkëputeshin nga riti orthodhoks i Lindjes. Por pavarësisht përpjekjeve pati rezistencë nga popullata dhe kleri, për të qëndruar në ritin orthodhoks të Lindjes. Me rënien e Kostandinopolit nga kryqëzata e IV në 11 prill 1204 ps. Kr. frankët e mbajtën Kostandinopolin në sundimin e tyre për 60 vjet. Në pjesën veriore të Arbërisë në vitin 1236 ps.Kr. u vendosën murgj frankë benediktianë, e pastaj në vitin 1238 ps.Kr. u vendos urdhëri Françeskan në Durrës, me qender Kryepiskopatën e Raguzës, deri në vitin 1402 kur françeskanët e Shqipërisë shpallën kustodi më vete. (Custodia Durracensis).

Kuvendi franceskan ku gjendet edhe sot e kësaj dite në Sebaste – Laç u ndërtua në vitin 1340 ps.Kr. dhe patjetër, në një vend të shenjtëruar dhe mbi mbetjet e një tjetër objekti kulti me një histori të lashtë në nderim të një shejntori shën Vlash, emrin e të cilit mbante edhe shpella. Kush ka bërë pelegrinazh në kishën e Laçit ose të shën Ndoit (Antonit), pelegrinët nuk mund ta quajnë të plotë pelegrinazhin n.q.s. nuk hyjnë në shpellën që gjendet përballë një faqe mali ku ka qenë qyteti i Sebastes. Brenda shpellës në tavanin e saj është një gjurmë ku njerëzit vendosin kokën e tyre, po ashtu edhe përgjatë rrugës ka gjurmë që besimtarët i nderojnë deri poshtë në këmbët e malit, tek vendi që quhet gjurmët e para.

Besimtarët në përgjithësi ia atribuojnë këto gjurmë shën Ndout, por kjo nuk qëndron sepse nuk ka fakte historike dhe nuk ka bazë logjike sepse Antoni i Padovës (1195-1231) pavarësisht famës si shejnt katolik mrekullibërës, nuk ka shkelur në Shqipëri, ai ishte me origjinë nga Lisbona e Portugalisë, u bë murg i rregullit agustinian, por mbasi u njoh me Françeskun e Hazizit (1181-1226 ) u bë pjesë e vëllazërisë franceskane dhe veproi si prift dhe predikues në qytetet e Italisë, deri sa fjeti (vdiq) në 13 qershor 1231 ps.r. dhe u varros në Padova të Italisë.

Ajo që na e bën më intriguese historinë janë faktet që na vijnë nga studiuesit dhe klerikët katolikë në lidhje me shenjtorin shën Vlash peshkopin martir, të cilat provojnë se ai ka asketizuar në shpellën e kishës së Laçit.

Në vitin 1664 ipeshkvi Mark Skura, në një raport që i dërgonte Selisë së Shenjtë, ndër të tjera shkruan: “Atje gjendet shpella e shën Vlashit martir, i cili qe kapur nga disa burra që thirreshin agrikola, tri milje larg qytezës së Sebastës’’.

Autori P. Viktor Volaj shkruan se: “Në krahinën e jugut nën kishë gjendet një birucë në trajtë shpelle që e thërrasin ‘’shpella e shën Vlashit‘’. Aty gjendet edhe një copë koc (lipsan), që thonë se është e shenjtit. Duket se është pjesë e ashtit të kambës dhe krahit, por në kohët e vona e kanë dëmtue. Përmbi këtë çashtje ka shkruajtur një studim të qashtër dhe të rëndësishëm at Shtjefën K.Gjeçovi, me titull “Sebaste në Arbëri apo në Armeni”, tue marrë në shqyrim gjithë ata që kanë shkruajtur në provë kundër kësaj teze. Autori përfundon duke pranue dy shenjtër me të njëjtin emër, shën Vlashin ipeshkëv e dëshmor, mundue nën Dioklicianin e Sebastes së Arbërisë dhe shën Vlashin dëshmor të martirizue nga Licini në Sebaste të Kapadocias.

I këtij mendimi është dhe mitropoliti i Korçës Hirësi Joani, i cili thotë: “Por në vendin tonë ekziston një traditë jashtëzakonisht e vjetër dhe shumë e gjallë që një shenjtor, peshkop me emrin Vlash ka jetuar në Sebaste të Arbërisë. Sebastja ndodhet atje ku sot është një kishë Françeskane kushtuar Andonit të Padovës, por shpella që është dhe objekti kryesor i nderimit, sipas përkushtimit dhe besimit popullor gjithmonë i kushtohej shën Vlashit. Dhe kjo që po themi tani nuk është diçka që e themi vetëm ne këtu në Shqipëri. Ka edhe shumë studiues të tjerë, që mendojnë të njëjtën gjë, që ndoshta mund të kenë jetuar dy shën Vlashë, një shën Vlash që ka qenë martir në Sebaste të Armenisë dhe një shën Vlash tjetër, që ka qenë peshkop dhe martir në Sebaste të Arbërisë”.

Pra gjithë këto dëshmi të bazuar në fakte historike dhe të traditës, na tregojnë bindshëm se në shpellën e Kishës së Laçit në shek. IV ka asketizuar një peshkop i cili la gjurmët e trupit të tij, përgjatë gjithë rrugës që e keqtrajtonin, që më pas e kanë sjellë në një kodër afër qytetit të (Dyrrahin) Durrësit, ku atje u martirizua, trupi i tij u varros në fshatin (Delaras) Draç dhe më vonë lipsani i tij për të mos u shkatërruar nga hordhit turke, u dërgua nga franceskanët në Raguzë ku ishte edhe qendra e tyre.

Lipsanet e shën Vlashit ndodhen edhe sot e kësaj dite në një kishë katedrale me emrin e shenjtorit dhe nderohen nga besimtarët e vendit si mbrojtësi i qytetit të Dubrovnikut.

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit