MENU
klinika

Eposi i kreshnikëve

Përse jo në UNESCO lahuta shqiptare?

22.09.2019 - 13:41

Lahuta ka nisur rrugën për inventarizimin në UNESCO, disa vjet më parë. Kjo, një përpjekje e përbashkët mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Ndërkohë, kërkesa nga ana e Kosovës nuk u paraqit, pasi Serbia, që regjistroi lahutën si trashëgimi të saj, u bë pengesë për antarësimin e Kosovës. Akti, ngjalli shumë pakënaqësi për mbarë shqiptarët.

Për të rinisur çertifikimin e lahutës, okarinës dhe eposit të kreshnikëve, qendra për zhvillim dhe promovim të kulturës tradicionale “Shkabat”, ka ndërmarrë një peticion.

 

 

 

 

 

 

 

Themeluesi i kësaj qendre Sokol Plakolli, gjatë një prononcimi për “Ekonomia Online”, thotë se peticioni është hapur dhe ka filluar të nënshkruhet, ndërsa në vazhdim do të bëhet edhe nënshkrimi i aktit themelues të shoqatës së lahutarëve.

“Në UNESCO, nuk mund ta procedojmë ne si individë, as si shoqatë. Por, do t’i bëjmë apel qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës, si dhe ministrisë së Kulturës, që të rinisin çertifikimin e lahutës e okarinës dhe këngëve kreshnike në UNESCO, si një fenomen që i takon enkas shqiptarëve, në Ballkan”, – thotë ai.

Lahutari nga Kelmendi i Malësisë së Madhe, Jonuz Delaj, thotë se lahuta është e vjetër sa vetë Kelmendi. Thotë se ky instrument muzikor është trashëguar brez pas brezi dhe se, i takon popullit shqiptar.

 

 

 

 

 

 

“E vërteta se unë, që 10 vjeç i kam ra lahutës dhe e kemi si trashëgimi familjare, sepse gjyshi i babës, baba dhe unë jemi tre breza që i kemi ra lahutës dhe i kemi kënduar”, – thotĕ ai. “Kjo është një vegël tradicionale dhe si gjithë popujt e Evropës dhe botës, e ruajmë folklorin si pasuri shpirtërore. Lahuta ka vajtuar dhe u ka kënduar trimave”.

Lahuta është një instrument me shtrirje paneuropiane. E kanë spanjollët, portugezët, francezët, rumunët dhe ne. Është një emërtim, që vjen prej arabishtes al lahut (për lart).

Fakti që është një instrument me një emër, që ka ardhur prej botës arabike dhe jo nga Lindja drejt Perëndimit, sipas studiuesve do të thotë se është një instrument që i takon një familjeje të përbashkët. Megjithatë, lahuta shqiptare i ka veçantitë që e bëjnë të dallohet nga të tjerat.