MENU
klinika

Ali Asllani

“Poet mes dy luftrave”

03.09.2019 - 15:51

Ali Asllani, një ndër poetët dhe intelektualët shqiptarë më të njohur lindi më 28 nëntor të vitit 1884 në fshatin Vajzë të Vlorës, ku kreu edhe mësimet e para.

Më pas, vijoi gjimnazin e njohur “Zosimea”, gjimnaz ku arsimoheshin shumë shqiptarë, të cilët më vonë ndoqën studimet në universitete të ndryshme në Turqi, por edhe në Evropë. Studimet e larta i kreu në Institutin e Lartë të Shkencave politiko-shoqëroro-administrative në Stamboll.

Ishte një nga anëtarët e shquar të Klubit “Bashkimi”. Për mbështetjen që i dha Ismail Qemalit filloi të persekutohej nga organet qeveritare turke, madje u dha urdhër të internohej në Halep të Sirisë. Mundi t’i shpëtojë internimit, kaloi në Korfuz dhe prej andej në Vlorë. Mori pjesë në Kuvendin e Dibrës, si përfaqësues i Klubit “Bashkimi” të Janinës.

Pas shpalljes së Pavarësisë, Ismail Qemali i besoi detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Presidencës së Këshillit të Ministrave, ku qëndroi deri më 22 janar të vitit 1914.

Më pas, punoi për disa kohë si nënprefekt i Fierit e kajmekan i Ballshit. Pas largimit të Princ Vidit shkoi disa kohë në Itali e u kthye sërish ku administrata lokale e caktoi sekretar të përgjithshëm (10 nëntor, 1915-1 janar 1917). Pushtimi italian e gjeti nënprefekt, por meqenëse kundërshtoi pushtimin, u pushua nga puna. Pas çlirimit të Shqipërisë nga forcat nazifashiste, luftë të cilën e kishte përkrahur pa rezervë, Ali Asllani ishte ndër themeluesit e parë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Mori pjesë në shumë aktivitete kulturore. Poezia e tij u prezantua në gjitha nivelet arsimore, në shkollat fillore dhe të mesme. Vdiq në Tiranë në 20 dhjetor 1966.

Ka botuar vjersha që në moshë të re, por i njohur u bë me poemën “Hanko-Halla” që u botua në vitin 1942. Pak vite para vdekjes mundën të botohen disa libra të tij, si “Vidi, vidi pëllumbeshë” (1960), “Shqipëria kryesorja” (1961), “Vajzat dhe dallandyshet” (1964), “Kur merr zjarr rrufeja” (1966) dhe pas vdekjes iu botua “Poezia shqipe” 1973. “Vlora, Vlora”.

Poezia e tij ka qenë përherë e frymëzuar, me ndjenja të holla e të larta, e sinqertë, e dashur, sociale, sa autoktone, aq universale. Në luhatjet që ka pasur gjatë jetës, nuk ka asgjë oportuniste përveç iluzioneve të zakonshme, që mund të ushqehen në çaste të caktuara të historisë nga cilidoqoftë. Portreti poetik i Tij është diellor. Studiuesi, poeti dhe përkthyesi Jorgo Bllaci, kur shkruan:

“Në disa parathënie e pasthënie të librave të tij, botuar pas vitit 1962, si dhe në disa monografi, më ka rënë në sy pasaktësi (të mos them dashakeqësi) për qëndrimin e poetit ndaj okupatorit fashist thuhet se gjatë kohës së Luftës Nacionalçlirimtare, ai ishte anëtar i Këshillit të Naltë të Shtetit.

Në fakt, këtë emërim e ka marrë para zbarkimit të trupave fashiste në trojet tona. Vërtet emri i tij figuron në listën e atij këshilli, madje edhe në atë të dërgatës që do t’i shpinte Viktor Emanuelit në Romë kurorën e Skënderbeut, por vetë ai, në shenjë proteste ndaj pushtimit, u tërhoq nga jeta politike, braktisi kryeqytetin dhe vajti në fshatin e prindërve të tij, në Vajzë të Vlorës”.

Dhe atje, në Vajzë, në fillim të vitit 1942, Aliu shkroi “Hakërrimin” aq tronditës, më të fuqishmin krijim që qe shkruar gjatë luftës, të cilën ata të “nacionalçlirimtares” e shpërndanë me traktet e tyre.

Por, pas çlirimit xha Aliu s’kish as “triskë fronti”, as shtëpi, as pension. Me pak të ardhura që nxirrte nga përkthimet në Institutin e Shkencave rronte, veç nuk ulej.
Ali Asllani adhuronte poezinë e Fan Nolit, sepse e vlerësonte shumë “Viganin liberator” për forcën e ndjenjave, mjetet stilistike të një mjeshtërie të përsorur, edhe për poezitë me motive biblike, për sistemin stilistiko-figurativ alegorik. Poeti lab i dinte përmendësh dhe i recitonte me dëshirë kryeveprat e Nolit: “Elegji për Luigj Gurakuqin”, “Himni i Flamurit”, “Elegji për Bajram Currin”, ndërsa vjershën “Tomsoni dhe kulçedra” e citonte shpesh si kulm të forcës dhe muzikalitetit të fjalës shqipe. Qe mik i Gjergj Fishtës e Lasgush Poradecit, i nobelistit indian Rabindranath Tagore dhe klasikut të poezisë greke Kostis Palamas.

Ali Asllani u konfirmua poet mes dy luftërave. Poezia e tij pati një lloj evoluimi dhe cilësie në rritje. Pavarësisht se e kësaj kohe është vepra e konsideruar kryevepra e tij “Hanko Halla”, poeti ka sjellë një pamje të gjerë dhe një ndjeshmëri reflektare gjatë kësaj periudhe, një poezi e cila më së shumti është zhvilluar dhe ka ecur paralelisht si një lirikë dhe një epikë. Ndërsa poezia e pasçlirimit e tij u pasurua në aspektin shoqëror.

Ali Asllani ishte bashkëkohës me mjeshtrit e letërsisë dhe poezisë shqipe, si Fishta, Çajupi, Mjeda, Asdreni, Migjeni, Nosi, Noli, Kuteli, Poradeci, Koliqi, R. Harxhi etj.

Në këtë kontekst, jo vetëm “Hanko Halla”, por gjithë krijimtaria e Ali Asllanit, e cila ishte më e shumta dhe më e veçanta e tij, i ka qëndruar mjaft mirë këtij zhvillimi, duke bërë prezent një personalitet të poezisë shqiptare.

Ali Asllani, ky poet i dyanshëm, sa i njohur, aq edhe i panjohur, sa i lëvduar, aq dhe i përçmuar, sa i idealizuar, aq edhe i mohuar, sa i lexuar aq edhe i censuruar. Njëlloj si dyanshmëria e pikëvështrimit të vjershëtorit, edhe ai vetë është i dyanshëm në përzgjedhjen e elementëve jopopullorë të përfshirë në poezinë e tij, duke na dhënë frymë perëndimore e lindore, të cilat do të jenë të pandashme nga poezia e tij.

Kjo shpreh qartë edhe faktin se poeti ka qenë një nga të paktët eruditë shqiptarë. Poeti lirik ka një shije të hollë për gjuhën. Megjithatë, ai përdor turqizma dhe arabizma në poezitë humoristiko-satirike për të tipizuar personazhet, ndërsa në poezitë e dashurisë ai është një puritan. Në këto poezi hasen tepër rrallë huazime, si nga ato shekullore edhe nga ato më të fundit për përdorimin e të cilave ishte ngjallur një prirje në kohën e tij, meqë sytë e tyre ishin drejtuar nga perëndimi.

Ai vazhdon rrugën e rilindësve në këtë drejtim, por edhe jep kontributin e tij në pasurimin e leksikut të shqipes.

MASKARENJTË

Që nga jugu në veri
mbretëron një errësirë
nëpër fusha nëpër kodra
vërshëllen një egërsirë.

Pra, o burra, hani, pini
hani, pini orë e çast
për çakallin nata errët
është rast e deli rast.

Hani, pini dhe rrëmbeni
mbushni xhep e mbushni arka
të pa brekë ju gjeti dreka
milioner ju zuri darka.

Hani, pini, rrëmbeni
mbushni arka, mbushni xhepe
gjersa populli bujar
t’u përgjigjet peqe-lepe.

Populli rron për zotërinë tuaj
puna e tij, djersa e ballit
është kafshit për gojën tuaj
Rroftë goja e çakallit.

Shyqyr Zotit, s’ka më mirë
lumturi dhe bukuri
dhe kur vjen ju qan hallin
varni buzë edhe turinj.

Hani, pini dhe rrëmbeni
është koha e çakejve
hani, pini, rrëmbeni
është bota e maskarenjve.

Hani, pini, vidhni
mblidhni gjithë aksione e monopole
nënshkrimi i zotërisë suaj
nëpër banka vlen milione.

“Gran Kordoni” i zotërisë suaj
që në gjoks ta kanë vendosur
është pështyma e gjakosur
e Atdheut të vremosur
dhe kolltuku ku ke hipur
duke hequr derën zvarrë
është trekëmbëshi
që përdita varet kombi në litar.

Dhe zotrote kapardisesh,
diç u bëre pandeh
kundër burrit të vërtet
zë e vjell e zë e leh.

E na tunde, na lëkunde
nëpër salla shkon e shkunde
mbasi dora e të ligut
ty me shokë të heq për hunde.

Rroftë miku yt i rrallë
që përdita loz e qesh
të gradoi katër shkallë
pse i the dy fjalë në vesh.

Koha dridhet e përdridhet
do vij dita që do zgjidhet
dhe nga trasta pema e kalbur
doemos që jashtë do të hidhet.

Koha dridhet e përdridhet
prej gradimit katër shkallë
nuk do të mbetet gjë në dorë
veçse vul e zezë në ballë.

Mirpo ju që s’keni patur
as nevojë, as gjë të keqe
më përpara nga të gjithë
ju i thatë të ligut peqe.