MENU
klinika

Tomas Eliot

Poezia metafizike e poetit assesi klasik!

26.09.2019 - 13:49

      I mirënjohur për “Vrasje në katedrale”, Thomas Stearns Eliot në botën anglo-saksone njihet kryesisht si poeti modernist i shekullit XX. Duke gjetur ekuilibrin e duhur midis konteksteve historike (krizë vlerash, konflikte botërore) dhe personale (martesa e parë e dhimbshme, shndërrimi në anglikanizëm), autori ritregon udhëtimin letrar dhe filozofik të një T.S. Eliot, i cili, sado inovator që qe në lëmin poetik, nuk e konsideronte assesi veten “një klasik në letërsi”. Sipas Eliot, letërsia duhet të kultivojë një “sens historik”, gjithë duke u shkëputur nga iluzioni kult i talentit: “Ecja e artistit është një sakrificë e vazhdueshme, një venitje e vazhdueshme e personalitetit të tij”. T.S. Eliot, fituesi i çmimit “Nobel” për Letërsi në vitin 1948, është një nga gjigantët e letërsisë moderne, i dalluar si poet, kritik letrar, dramaturg, redaktor dhe botues.

Në 1910 dhe 1911, ndërsa ishte ende student në kolegj, ai shkroi “Këngë dashurie e J. Alfred Prufrock”, si dhe poema të tjera që shërbyen si pika referimi në historinë e letërsisë. Brenda disa vitesh ai krijoi një tjetër poezi historike: “Gerontion” (1920), dhe brenda një dekade, një nga poezitë më të famshme dhe me ndikim të shekullit: “Toka e humbur” (1922). Më 1930, ai botoi poezinë e tij të radhës madhore: “E mërkurë e përzishme”, e shkruar pas shndërrimit të tij në anglo-katolik. T.S Eliot konsiderohet si një nga poetët më të rëndësishëm modernist. Përmbajtja e poezisë së tij, si dhe stili i tij poetik i japin elemente të lëvizjes moderne që ishte e famshme gjatë kohës së tij.

 

 

 

 

 

Thomas Stearns Eliot lindi në Misuri, më 26 shtator të vitit 1888. Jetoi në Sën Luis gati 18 vite dhe më pas ndoqi Universitetin e Harvardit. Më 1910, u largua nga Amerika për të shkuar në Sorbornë. Prej atje u vendos në Paris, ku qëndroi jo më shumë se një vit. U rikthye në Harvard për të ndjekur doktoraturën në filozofi. Gjatë qëndimit në Londër u ndikua shumë nga bashkëkohësi i tij, Ezra Pound, i cili i pranoi poezitë e tij dhe arriti t’i botonte në disa revista më 1915. Ishte një nga admiruesit e parë të “Uliksit” të Xhojsit. Falë shtëpisë së tij botuese, Faber&Faber, T.S.Eliot mbetet deri në vdekjen e tij në 1965, një botues gjithmonë i paparashikuar për zhvillimet në Angli dhe gjetkë. Zbuloi W. H. Auden dhe e prezantoi Saint-John Perse në publikun anglo-sakson përmes përkthimit të tij të “Anabasis”.

“Toka e humbur” është lexuar shpesh si një vepër që shpreh zhgënjimin e pasluftës. Kohë përpara se vepra të botohej në formën e librit, Eliot e distancoi veten nga vizioni i dëshpëruar i poemës. “Toka e shkretë”, nuk është një nga ato vepra që mund të lexohen pa një sfond leximi paraprirës mbi fenë, qytetërimin, historinë etj. Mes vargjesh këmbehen folësit, vendet, kohët, kulturat. Konsiderohet si një plotësim në vargje i “Uliksit” të Xhejms Xhojsit, që doli në të njëjtin vit.

 

Mëngjesi në dritare

Ata po trokasin pjatat e mëngjesit në kuzhinat e qilarëve,
Dhe përgjatë cepave të shkelur të rrugës
Unë jam në dijeni të shpirtrave të lagësht të shërbyesve
Lastaruar pa shpresë në rrafshet e portave.

Valët e kafenjta të mjegullës përdredhin tek unë
Fytyra të ndrydhura nga fundi i rrugës,
Dhe lot nga një kalimtare me fund të përbaltur
Një buzëqeshje paqëllim që pezullohet në ajër
Dhe shuhet përgjatë kulmeve ndër çatitë.

 

Gjithsesi, kryevepra e T. E. Eliot mbetet “Katër kuartetet”. Prej vitit 1920 e në vijim, ndikimi i Eliotit si poet dhe si kritik, si në Britaninë e Madhe, ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara, ishte i jashtëzakonshëm, veçanërisht për ata që vendosën studimin e letërsisë angleze si një disiplinë akademike autonome. Po ashtu, ai kishte edhe kritikuesit e tij, duke filluar nga poetë avangardë amerikanë, të cilët besonin se ai kishte braktisur përpjekjen për të shkruar për Amerikën bashkëkohore te poetë tradicionalë anglezë, të cilët pohonin se ai kishte thyer lidhjet midis poezisë dhe audiencës së madhe popullore. Sidoqoftë, gjatë jetës së tij, puna e tij ishte subjekt i një interpretimi shumë simpatik. Prej vdekjes së tij interpretët kanë qenë dukshëm më kritikë, duke u përqëndruar në marrëdhëniet e ndërlikuara me origjinën e tij amerikane, pikëpamjet e tij elitare kulturore dhe shoqërore, si dhe nocionet e tij ekskluzive të traditës dhe prejardhjes. Sidoqoftë, Eliot ishte i pakrahasueshme me këdo poet tjetër të shekullit të 20-të nisur nga mënyra me të cilën ai dominonte vëmendjen e audiencës.

 

 

 

 

Dhënia e çmimit “Nobel” për T. S. Eliot kur ai ishte në të gjashtëdhjetat nënkuptonte njohja – ndjenja e shenjtërimit dhe mirënjohjes – e botës bashkëkohore për një nga lavditë e tij. Arsyet kryesore për këtë njohje janë gjerësia dhe cilësia e krijimtarisë së tij: vlera e saj universale.

T. S. Eliot, i cili, së bashku me Pikason, Stravinskin dhe Xhojsin, ishte një nga figurat kryesore të artit modern, po aq i rëndësishëm për këdo që interesohet të kuptojë peizazhin anglez të shekullit XX, sa edhe Dikensi ishte për shekkullin e nëntëmbëdhjetë. Vështirësia e poezisë së tij, e quajtur rëndom metafizike ose filozofike, është pjesërisht përgjegjëse, por edhe zgjedhjet e jetës së Eliotit, evolucioni i saj, që nga skepticizmi i orës së parë deri në shndërrimin e tij në anglikikanizëm në 1927.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


87 – vjetori i Dritëro Agollit

“Këtu s’do t’jem, do jem larguar”!

Agolli, poeti i tokës, njeriut dhe... vdekjes.

“Ç’t’i bësh! S’më rrihet pa shkrepur një varg”


U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit