MENU
klinika

Video

Prodhimet e Myzeqesë që eksportohen në Europë dhe SHBA

08.09.2019 - 18:49

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi vizitoi në Lushnjë një fabrikë të përpunimit të prodhimeve bujqësore.

Në fabrikën e përpunimit të prodhimeve bujqësore ‘Zdrava’ Shpk, punojnë rreth 150 vetë. Ky biznes ka kontrata furnizimi me mbi 200 fermerë të zonës së Myzeqesë. Veç grumbullimit të prodhimit të fermerëve, ‘Zdrava’ Shpk, i orienton ata edhe çfarë kultivarësh të mbjellin.

Ministri Çuçi tha se industria e agropërpunimit është një nga shtyllat kryesore që do të vazhdojë të mbështetet me fonde përmes Skemës Kombëtare dhe Programit IPARD.

Ai tha se produktet e kësaj kompanie eksportohen në shumë vende të Europës dhe deri në SHBA.


“Ne do t’i japim përparësi sektorit të agropërpunimit. Është një nga sektorët që në të gjithë botën ka bërë ndryshimin në prodhimin bujqësor. Krahas promovimit të serrave apo sektorëve të tjerë të bujqësisë dhe zhvillimit rural, agropërpunimi është shtyllë e rëndësishme për të patur një rritje cilësore të prodhimit bujqësor. Ky biznes ka aplikuar edhe në programin IPARD dhe besoj se do të jetë i favorizuar”, tha ministri Çuçi.

Më tej ai u ndal tek vështirësitë e këtyre bizneseve për të gjetur fuqi punëtore. Kjo i frenon të rriten më tej dhe të shtojnë kapacitetet.

Ministri tha se ndoshta ka ardhur momenti që tregu i punës të hapet edhe për të huajt.

Stimulimi i industrisë agropërpunuese në vend është një nga prioritetet e Ministrisë së Bujqësisë. Ky është një sektor që ndër të tjera krijon edhe shumë vende të reja pune.