MENU

Kushtet e amnistisë

Projekti i ri iu fal lirinë grave të dënuara. Kush përfiton?

20.09.2019 - 11:09

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, ka zhvilluar një interprelancë ndryshe me gratë e dënuara, ku ka shpjeguar projekt-ligjin për amnistinë.

Në një komunikim të drejtpërdrejtë me secilën prej tyre nga IEVP-ja 325, Gjonaj renditi disa nga kushtet lehtësuese për gratë ku më shumë se 50 % e grave të dënuara do të përfitojnë nga amnistia me këtë projekt te ri, i cili do të shënojë përqindjen më të lartë të viteve të fundit për përfituesit gra dhe te mitur.

“Gratë në këtë amnisti do të jenë përfitueset kryesore duke e krahasuar me përqindjen e grave që ne kemi në Institucione të Ekzekutimit të Vendimeve Penale. Është përgatitur një studim nga stafi i Ministrisë së Drejtësisë duke marrë një për një të gjitha elementët ligjorë, kartelën e secilës së dënuar për të parë periudhën që i ka mbetur, kriteret të cilat ne do duhet t’i përfshijmë si kritere më lehtësuese për gratë dhe do të arrijmë në një konkluzion që gratë të cilave u ka mbetur nën 3 vjet dënim, do të përfshihen në amnisti.

E dyta do të shikohet mundësia për të bërë një amnisti më të përgjithshme, një pyetje të cilën ju e keni bërë në mënyrë të vazhdueshme dhe një kërkesë që ju e keni pasur në mënyrë të herëpashershme si me letra ashtu edhe me takimet e drejtpërdrejta.

Pikërisht fakti që amnistia e përgjithshme pavarësisht kritereve ndaluese, apo atyre veprave që nuk janë lehtësuar në amnisti, ne po shikojmë mundësinë të përcaktojmë një shuarje të dënimit pavarësisht kritereve ndaluese të veprave penale për të cilat ju jeni dënuar”, u shpreh Gjonaj.

Më tej, Ministrja e Drejtësisë sqaroi se çfarë do të ndodhë me gratë e dënuara që kanë fëmijë të mitur.

“Ne po shikojmë të gjitha mundësitë për t’i lehtësuar me qëllim që edhe nëse do të bëjnë pjesë të kritereve ndaluese të amnistisë, të kenë mundësi të përfitojnë nga shuarja e një kohe të dënimit në mënyrë që të bashkohet sa më shpejt me fëmijët dhe familjen.

Padyshim një ndër kriteret e amnistisë është dhe mosha, ku gratë të cilat kanë mbushur moshën 55 vjeç do të kenë mundësinë të përfitojnë nga amnistia, po ashtu duke marrë si kriter dhe kohën e mbetur të dënimit nën 3 vjet, apo ato gra të cilat janë dënuar më pak sesa 3 vjet. Të gjithë këto kategori, do të jenë pjesë e propozimit të projektligjit për amnistinë. Unë jam e bindur që amnistia e përgjithshme është një fakt që ju gëzon shumë sepse ashtu siç kemi biseduar, një pjesë e juaja kanë kriteret ndaluese për shkak të veprave penale të cilat nuk janë amnistuar.

Por unë dua edhe t’ju konfidoj dhe një diskutim të fundit që kam me stafin ku po shikojmë edhe mundësinë që mund të heqim kriterin ndalues për veprat penale të cilat nuk është kryer amnistia me qëllim që të jetë vetëm specifike për gratë të cilat vuajnë dënimin në institucion”, tha Gjonaj.

Gjonaj jep edhe lajmin e mirë se kur do të miratohet projekt-ligji i amnistisë:

“Është pothuajse i përfunduar. Pritet që të merret një miratim nga Prokuroria e Përgjithshme dhe Ministria e Brendshme kryesisht lidhur me kategorinë e grave apo të gjithë personave që ndodhen në institucione ekzekutimi të vendimeve penale, por që janë me statusin si të paraburgosur pasi nuk kanë ende një vendim të formës së prerë. Dhe menjëherë, deri në fund të shtatorit ne planifikojmë që amnistia të miratohet në qeveri. Pas miratimit në qeveri projekt-ligji do të kalojë në Parlament me qëllim që Dhjetori, Krishtlindjet, personave që do përfitojnë nga amnistia t’i gjej pranë familjeve të tyre”, nënvizon Gjonaj.

E pyetur nga gratë e dënuara se çfarë do të ndodhë me to pasi të fitojnë lirinë, Gjonaj ka nënvizuar se me kujdesin e saj të drejtëpërdrejtë, për secilën prej tyre Ministria e Drejtësisë është duke u hartuar një paketë e plotë rehabilituese dhe riintegruese në shoqëri ku përfshihet kujdesi social-ekonomik.

“Në momentin që ju do të liroheni nga institucioni e di dhe jam në dijeni të mjaft problematikave tuaja familjare, sociale, ekonomike, por gjithashtu edhe atyre problemeve që keni pasur me familjet e bashkëshortëve ku një pjesë e juaja nuk arrin dot të shikojnë fëmijët e tyre. Dhe e kam ndjerë jashtëzakonisht shumë këtë gjë.

Kjo është arsyeja që kam ndërmarrë një projekt të cilin e kam shumë përzemër ku secila nga ju do të ndiqet pasi të lirohet nga amnistia. Aktualisht stafi i Ministrisë ka bërë takime me ju dhe besoj jeni në dijeni që dy përfaqësues të Ministrisë kanë qenë në prani dhe kanë diskutuar me ju për të marrë mbase dhe disa rrethana familjare që shpeshherë janë edhe personale. Por këto më kanë ndihmuar mua për të përgatitur dosjen për secilën nga ju me qëllim që t’ju ofroj ndihmën time maksimale sa i përket punësimit tuaj, asistencës ligjore lidhur me kujdestarinë e fëmijëve, apo edhe me zbatimet e vendimeve të Gjykatave në rastet kur ju duhet të takoni fëmijët sipas ditëve që janë vendosur në vendim.

Njëkohësisht bashkë me bashkitë por edhe me organizatat, unë do bëj çmos që ju të keni mundësinë edhe të merrni banesë me qira, edhe të qëndroni në një ambient të përshtatshëm për ta nisur jetën nga e para. Që ky projekt i imi të jetë i suksesshëm, do doja që ju të mos i riktheheni përsëri rrugës së krimit, mos i riktheheni përsëri rrethanave që ju kanë shtyrë në kryerjen e një vepre penale me qëllim që dhe unë të ndjej kënaqësinë e këtij projekti ku për herë të parë një Ministër Drejtësie po ndërmerr për gratë e dënuara me qëllim ndjekjen e tyre derisa të ndihen me një jetë të re të rifituar pranë familjes. Kjo është arsyeja pse në mënyrë të përditshme stafi i Ministrisë dhe unë personalisht po ndjekim gjithë zhvillimin e jetës suaj”, tha Gjonaj.