MENU
klinika

Profil/ Volteri

“Qeveritë duhet të kenë edhe barinj edhe kasapë”

28.09.2019 - 13:18

Volteri (21 nëtor 1694-30 maj, 1778) ishte shkrimtar i madh francez, historian dhe filozof, i njohur për sulmet e tij kundër Kishës Katolike, dhe për përkrahjen e lirisë fetare, lirinë e shprehjes dhe ndarjen e kishës nga shteti.

Ishte përfaqësues kryesor i Iluminizmit, shkrimtar, historian, filozof jashtë filozofisë konvencionale, i njohur për satirën, shkrimtar me dhunti të shumta, duke prodhuar vepra në pothuajse çdo formë letrare: dramë, poezi, roman, ese, vepra historike e shkencore. Ai shkroi më shumë se 20 mijë letra dhe mbi 2 mijë libra dhe pamflete.

Volteri ishte mbrojtës i hapur i lirisë së shprehjes, përkundër pasojave nga ligjet dhe censura e rreptë e kohës. Për shkrimet e tij satirike, ai shpesh u dënua me burgim ose mërgim. Volteri ishte kritik i ashpër i traditës fetare, që pengon lirinë individuale të besimit, por ai nuk thoshte se ishte kundër idesë së një qenie supreme. Volteri arsyeton se ekzistenca e Zotit nuk është çështje besimi, por arsyeje, dhe se të gjithë njerëzit janë vëllezër, ndërsa janë krijesa të njëjta nga i njëjti Zot.

Sa për skllavërinë, Volteri e kritikoi ashpër, por në anën tjetër, u përpoq të shpjegojë se racat e ndryshme kishin origjina të veçanta prandaj nuk mund të ishin të njëjta ose të barabarta.

I ndikuar thellë nga Loku, por edhe i impresionuar nga realiteti i Kushtetutës angleze, ai riformuloi një teori të së drejtës natyrore dhe përpunoi atë të ndarjes së pushteteve midis pushtetit ligjvënës, ekzekutiv dhe juridik Mendimi antiabsolutist i Monteskjësë, paraqitur te Për shpirtin e ligjeve (1748), pati një jehonë të madhe në gjithë Evropën.

Për Volterin, progresi i iluministëve nuk u kufizua në shkencat e natyrës. Iluministët duhej gjithashtu të kryesonin betejën për lirinë e shpirtit dhe në luftën kundër obskurantistëve fetarë, sidomos atyre të Kishës Katolike, që kërkonin të pengonin idenë e vizionit modern të botës.

Volteri gjithashtu shkroi drama, prozë dhe poezi. Kandidi është puna e tij më e famshme në prozë, ku ai kritikon filozofinë e Gottfried Wilhelm Leibnizit, mbi optimizmin metafizik nëpërmjet naivitetit të Kandidit, personazhi kryesor, i cili pas përjetimit të një fatkeqësie, refuzon të jetë optimist pa patur arsye për të qenë i tillë.

Duke shkruar për historinë, Volteri sfidoi konceptin mbizotërues të kohës së tij, se historiografia duhej të merrej me ngjarjet e mëdha politike, ushtarake dhe diplomatike; Volteri thotë se theksi duhet vënë në kulturë, art, shkencë, zakone dhe u përpoq për të shkruar një histori të botës mbi këto baza.

Kjo vihet re edhe në “Ese mbi edukatën dhe shpirtin e kombeve” lidhur me heroin kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti – Skënderbe, për të cilin Volteri shprehet me konsideratat më të larta, duke thënë se nëse perandorët byzantinë do të kishin vepruar si Skënderbeu, rënia e Kostandinopojës nuk do të kishte ndodhur. Në esenë e tij, Volteri analizon rezistencën çerek shekullore të shqiptarëve kundër perandorisë osmane; dhe argumenton se faktorët themelorë të fitoreve të Skënderbeut janë dy, e para se shqiptarët janë popull luftarak dhe e dyta sepse Shqipëria është vend malor dhe se mospërulja është veçori e banorëve të maleve.

Kur vdiq Volteri ne 3o maj 1778 shkrimtari i madh francez, Viktor Hygo, në një tekst plot admirim dhe mallëngjim, shkruante “Ai ishte më shumë se njeri, ai ishte një epokë”.

Pa dyshim, Hygo pati të drejtë, sepse, Volteri pati një ndikim të jashtëzakonshëm në kulturën franceze dhe europiane të kohës së tij dhe të kohëve të mëvonshme, edhe pse, siç shkruan Hygo: “ Volteri bëri një luftë të shkëlqyer, vetëm kundër të gjithëve.

Ndonëse ai pati një jetë të trazuar, me shumë ziliqarë, meqë shkrimet e tij satirike nuk u panë mirë në sy të pushtetit dhe për këtë arsye u censurua dhe u burgos, ai nuk bëri kompromis, dhe luftoi deri në fund për paqe, liri dhe përparim. Kjo ishte arsyeja pse ai bëri një jetë endacake, duke u detyruar shpeshherë të mërgonte nëpër shumë vende të Europës.

Disa nga aforizmat më të famshme të Volterit janë:
– Unë nuk jam dakord me atë që thua, por do ta mbroj deri në vdekje të drejtën tënde që ta thuash.
– Gjithkush që ka pushtetin të të bëjë të besosh absurditete ka pushtetin të të bëjë të marrësh përsipër padrejtësi.
– Qeveritë duhet të kenë edhe barinj edhe kasapë.
– Kur bëhet fjalë për paratë, të gjithë kanë të njëjtën fe.
– Paragjykimet janë arsyet që përdorin budallenjtë.
– Çdo njeri është fajtor për të gjitha të mirat që s’ka bërë.
– Toleranca nuk ka nxitur kurrë luftë civile, kurse mostoleranca e ka mbuluar tokën me gjak.
– Zoti është një komedian, duke luajtur ndaj një audience që ka shumë frikë të qeshë.
– Është e vështirë t’i çlirosh budallenjtë nga zinxhirët të cilët ata i adhurojnë.
– Të gjitha arsyetimet e burrave nuk janë me vlerë sa një ndjenjë e grave.
– Për të patur sukses në botë nuk është e mjaftueshme të jesh budalla, duhet gjithashtu të jesh i sjellshëm.
– Është më mirë të rrezikosh shpëtimin e një njeriu fajtor sesa të dënosh një njeri të pafajshëm.