MENU

Përmirësimet do të vijojnë dhe në Vlorë e Shkodër

Rama inspekton punimet e konvikteve në Korçë

01.09.2019 - 16:05

Kryeministri Edi Rama ishte në Korçë ku inspektoi punimet për rikonstruksionin e plotë të konvikteve të studentëve, që prej vitesh nuk ishin prekur dhe jetesa në to është shumë e vështirë.

Sipas drejtorit të Fondit Shqiptar të Zhvillimit Dritan Agolli, rikonstruksioni pritet të përmirësojë jetesën për 160 studentë.

I shoqëruar nga kryebashkiaku Sotiraq Filo dhe deputeti Niko Peleshi, kreu i qeverisë mbështeti idenë e vijimit të investimeve, për rikonceptimin e hapësirave të jashtme, fushave të stërvitjes dhe godinave ekzistuese, të cilat me kalimin e viteve janë amortizuar.

E gjithë kjo hapësirë, tha Rama do mund të përdoret gjatë muajve të pushimeve verore si hotel për ekipet që do zhvillojnë stërvitje në Korçë. E për këtë kërkoi projekt konkret, i cili do marrë mbështetjen e nevojshme financiare.

Pas kantiereve të hapura në rezidencat studentore në Tiranë, tashmë edhe në Korçë, investimet në përmirësimin e kushteve të jetës në konvikte do të vijojnë edhe në Vlorë dhe Shkodër.