MENU
klinika

Profil

Sam Hjuston: Tërheqja që solli fitoren

02.09.2019 - 17:37

Po të vizitojmë Teksasin, në SHBA, çdo libër i guidës turistike do të ketë të afishuar një obelisk të gjatë, të pozicionuar në një pyll që është i rrethuar nga disa këneta gjysëm të bonifikuara.

Ai është një monument që përkujton një njeri të madh që me fitoren e tij në atë tokë i siguroi pavarësinë Teksasit dhe ndryshoi historinë e Meksikës dhe SHBA-së.

Ai burrë ishte Sem Hjuston (1793-1863), dhe për teksasit pas Steven Austin (i njohur si “Babai i Teksasit” për kontributin e tij në pavarësinë e Teksasit) është figura më e shquar.

Ai u lind në Virxhinia, dhe familja iu shpërngul në Tenesi. Edhe pse ishte një student indiferent dhe rebel, ai kishte një dashuri shumë të madhe për klasiket e Homerit dhe Virgjilit.

Duke u futur në ushtrinë e SHBA-së ai shërbeu përkrah gjeneralit Endrju Xhekson në luftën kundër Krikëve. Për talentin ushtarak ai u gradua në lituenat.

Xheksoni e nxiti Hjustonin të studionte për drejtësi dhe të merrej me politikë në Tenesi. Për shkak të elokuencës së tij të natyrshme, logjikës dhe mbështetjes së fuqishme të Xheksonit, Hjustnit i eci. Në 1821 u emërua gjeneral major në milicinë e Tenesit. Në 1823-shin, u zgjodh në Kongres.

Ai shërbeu në Uashington deri në 1827. Më pas u zgjodh guvernator i Tenesit në moshën 30-vjeçare. Në 1829 u rizgjodh, por karriera e tij ndaloi këtu.

Gruaja, me të cilën kishte tre muaj që ishte martuar, e braktisi dhe Sem Hjustoni u dërrmua shpirtërisht.

Ai dha dorëheqjen si guvernator dhe filloi të pinte. Hjustoni u kthye të jetonte me çerokitë dhe fisi e pranoi. Disa herë ai doli nga apatia alkoolike dhe shkoi në Uashington për të mbrojtur çështjet e fisit të tij. Endrju Xheksoni (në atë kohë president i SH.B.A-së) u përpoq ta ndihmonte Hjustonin duke i caktuar një detyrë. Ai duhej të shkonte në Teksas, një territor i Meksikës i populluar kryesisht nga amerikanë.

Atje i duhej të negocionte me disa fise, për kalimin e sigurtë të tregtarëve amerikanë që udhëtonin në udhën e vjetër të Santa-Fesë. Ai u përfshi në politikën e Teksasit. Në 1833, mori pjesë në Konventën e Santa Fesë, ku u hartua Kushtetuta e Teksasit dhe një peticion për t’i dhënë territorit statusin e shtetit.

Por qeveria mesikane nuk pranoi dhe arrestoi delegatin që çoi peticionin në Meksiko Siti, Steven Austin. Babai i Teksasit, u lirua me amnisti të përgjithshme, kur u kthye, ai u tha teksanëve se lufta ishte e vetmja rrugë drejt pavarësisë.

Teksanët shpallën pavarësinë dhe emëruan Sem Hjustonin komandant të ushtrisë. Ai ishte qytetari i vetëm me përvojë të madhe ushtarake.

Kur mori vesh për këtë, diktatori i Meksikës, gjeneral Antonio Lopez de Santa Ana, që e konsideronte veten si “Napoleonin e Perëndimit”, mblodhi një ushtri nga e gjithë Meksika Qëndrore dhe Jugore dhe u nis për Teksas, në mes të dimrit. Ushtria e tij nuk kishte disiplinë marshimi.

El Presidente vërsulej me guxim nëpër male dhe në pllajën e shkretë të Meksikës Veriore dhe Qëndrore përparonte me marshime të detyruara. Ai pushtoi dhe grabiti mjaft qytete si Alamo në shkurt të 1836-s dhe Goliad në mars.

Por ushtria e Santa Anës ishte e rropatur nëpër shkretërirë gjatë marshimeve dhe Hjustoni duke e parë këtë, ai vendosi të përdorte burimin më të madh natyror të Teksasit: hapësirat boshe.

Përballë ushtrisë shumë më të madhe të Santa Anës, më tepër se gjatë me një, Hjustoni dhe njerëzit e tij u tërhoqën. Sa më shumë tërhiqej Hjustoni, aq më shumë shtoheshin mundësitë e teksanëve.

Santa Anës iu desh të humbiste detashmente për të mbajtur territorin dhe për të mbrojtur linjat e furnizimit. Sa më shumë ushtria e Santa Anës dobësohej, aq më shumë ushtria e Hjustonit forcohej, me kolonë që ngado rrëmbenin pushkët dhe bashkoheshin me ushtrinë e tij. Ishte një tërheqje e gjatë, rreth 200 milje, që përfundoi në San-Hasinto, pranë qytetit të sotëm Hjuston.

Në 20 prill, Santa Ana mendoi se luftës po i vinte fundi. Ai bllokoi të gjithë teksanët në një moçal përgjatë Lumit San Jakinto. Ai e kishte nisur marshimin me 6 000 burra tani kishte 950, por nuk ishte i shqetësuar.

Teksanët ishin pakësuar më shumë dhe tërheqja e gjatë sigurisht që e kishte shterur moralin e tyre. Santa Ana nuk do të sulmonte pa mbërritur kunati i tij, gjenerali Kos, me 500 burra, që mbërriti mëngjesin e së nesërmes. (erdhën vetëm 400 burra pa përvojë beteje).

Në mesditë, meksikanët hapën tendat dhe morën një sy gjumë. Ata prisnin ta mbaronin fushatën atë pasdite. Edhe Sem Hjustoni e kishte bërë plan ta mbaronte atë ditë fushatën.

Ushtria e tij eci e heshtur nëpër pyje drejt kampit meksikan. Rreth orës 3:30 ata panë kampin e Santa Anës. Meksikanët flinin të gjithë me mushqeta të hedhura pirg.

Ata i goditën meksikanët me zjarr pushkësh dhe mushqetash, me bajoneta dhe shpata. Meksikanët u hodhën në ujë, ndërsa teksanët u rreshtuan në breg dhe i qëllonin siç qëllohen tullumbacet në një kioskë qitjeje.

Mirëpo kur kontrolluan trupat dhe këqyrën të burgosurit, fitimtarët nuk e gjetën dot Santa Anën. Dy ditë pas betejës, Hjustoni po bënte një sy gjumë kur ndjeu se dikush i kapi dorën. Ai hapi sytë dhe pa Santa Anën. Një patrullë teksane e kishte gjetur të fshehur në pyll.

“Kush mund Napoleonin e Perëndimit, nuk duhet ta quajë veten njeri të zakonshëm – i tha Santa Ana Hjustonit – Tani atij nuk i mbetet gjë tjetër veçse të tregohet bujar me të mundurin.”

“Për këtë duhej të ishte kujtuar në Alamo”,- iu përgjigj Hjustoni. Teksanët donin ta masakronin Santa Anën, por Hjustoni pati një mendim më të mirë. Ai e detyroi diktatorin t’i kthente trupat e tij në Meksikë dhe të njihte pavarësinë e Teksasit.

Sem Hjutoni shërbeu dy herë si president i Teksasit (shtator 1836- dhjetor 1838, 1841-1844). Kur Teksasi iu bashkua SHBA-së ai u bë dy herë senator (1846), (1852). Në senat ai ishte një demokrat i patundur dhe fliste gjithmonë në mbrojtje të popullit indigjen.

Ai u zgjodh guvernator në 1859 dhe nuk ia doli të rimerrte postin pas mbarimit të mandatit. Ai e mbylli karrierën e tij me 26 korrik të 1863-shit.

Karriera e tij publike e shquante si një burrë me nder dhe me integritet; megjithëse ai është më shumë i njohur si politikan se sa gjeneral, fitorja e tij në San Jakinto ishte një monument madhështor i lidershipit dhe aftësisë së tij taktike; një nga figurat më të shquara amerikane të shek. XIX.