MENU
klinika

Zikaltërit kalojnë edhe Sampdorian

Sanchez i bën të githa/ Inter ruan kreun!

28.09.2019 - 20:22

Interi nuk gabon në transfertën ndaj Sampdorias, ku ia doli të marrë fitoren e gjashtë radhazi, në po kaq ndeshje të Serisë A.

Në prag të një jave “të zjarrtë” me transfertën ndaj Barcelonës në Champions të mërkurën dhe sfidën e të dielës me Juven në “San Siro”, Antonio Conte kishte preferuar të bënte disa ndryshime sot, duke lënë në stol Lukakun, Godin e Barella, teksa nga minuta e parë e nisën Alexis Sanchez dhe mbrojtësi i ri Bastoni.

Të frymëzuar nga Sanchez, që e kishte nisur me mjaft dëshirë këtë takim, zikaltrit morën shpejt frenat e lojës dhe e zhvendosën atë në gjysmëfushën kundërshtare, ndërsa goli i avantazhit erdhi në minutën e 20’.

Mesfushori që po surprizon në këto javë të para të kampionatit, Stefano Sensi lëshoi një gjuajtje mjaft të bukur nga distanca, teksa topi u përplas në shpinën e Sanchez dhe befasoi portierin e Sampit, Audero, duke u ndalur në rrjetë.

E nëse goli i parë iu quajt Sensit, me ndihmën e Sanchez, vetëm dy minuta më vonë ishte vetë kileni, që pasi mori një top të bukur në zonë nga mesfushori italian, e shtyu në rrjetë për herë të dytë, duke vënë ndeshjen në dishezë.

Zikaltrit e Contes nuk e ulën ritmin për asnjë moment dhe arritën të gjejnë edhe golin e tretë me anë të Candrevës, por arbitri e anuloi për pozicion jashtë loje, duke bërë që pjesa e parë të përfundonte në shifrat 0-2.

Pjesa e dytë nisi sërish vrullshëm për zikaltrit, që shkuan në zonën kundërshtare, aty ku Alexis Sanchez u rrëzua në zonë, në kërkim të një 11-metërshi, por arbitri Calvarese e gjykoi si simulim dhe ndëshkoi kilenin me karton të verdhë, që ishte i dyti për të.

Kaq mjaftoi që Sampdoria të merrte zemër dhe të niste një valë sulmesh të rrezikshme ,që u konkretizuan në minutën e 55-të kur Jankto gjuajti saktë nga distanca dhe mposhti për herë të dytë këtë sezon, portierin Handanoviç.

Megjithatë entuziazmi i vendasve nuk zgjati shumë, pasi në minutën e 61-të ishte Brozoviç që shërbeu në mënyrë fantastike për Gagliardinin në zonë dhe ky i fundit arriti të shënojë golin e tretë, pas dy tentativave radhazi.

Deri në fund pati vetëm entuziazëm nga vendasit, që tentuan të rihapin edhe njëherë takimin, por zikaltrit e Contes u vendosën mirë dhe arritën të mbajnë larg rrezikun, falë edhe aktivizimit të emrave si Lukaku e Barella.

Interi fiton kështu gjithçka në këto javë të para të kampionatit dhe shkon me entuziazëm në Katalunjë për t’u përballur me Barcelonën, por edhe në derbin e Italisë në fundjavë, përballë Juventusit.