MENU
klinika

Nga Fritz Radovani

“Si mund të falet gjykatësi kur je i pafajshëm…?!”

21.09.2019 - 10:44
  • -Nga Fritz Radovani-

11 Mars 1948, ora 05.00;

Te Zalli i Kirit, Shkodër

25 burgjeve në Shkodër me 17 nandor 1946, i shtohet edhe Burgu i Kishës së Fretenve ku do të fillojnë hetimet, torturat, gjyqet e mbylluna dhe vrasjet e pushkatimet mbi 700 vetë…

Në nandorin e vitit 1946, ndër disa Kisha Katolike të Shqipnisë së Veriut Sigurimi i Shtetit komunist, me urdhën të kriminelit Enver Hoxha futi armatime, tue fillue nga kjo Kishë si dhe të tjera në Dukagjin, Mirditë dhe Lezhë ku, akuzoi Klerikët e pafajshëm…

Hetimet dhe torturat kanë vazhdue deri nga Janari i vitit 1948.

Atëherë filluen edhe disa nga gjyqet e mbylluna në mensën e Kuvendit të kthyem në burg…

Shumë nga Klerikët Katolik janë pushkatue pa i pà dhe pa i ndigjue kush në gjyqe, mbasi nuk pranonin akuzat.

Prelatët e Klerit Katolik Shqiptar janë dënue me datën 8 Janar 1948. U mbajtën të lidhun duersh e kambësh, pa ju dhanë asgja me u ushqye madje, as ujë, deri me 11 Mars 1948.

Me 11 Mars 1948, rreth orës 4.00 të mëngjesit bashkë me 12 persona të dënuem përpara për Lëvizjen e Postribës, u hypën në dy kamiona, dhe u dërguen në Zallin e Kirit, te Muri i Gjakut i Rrëmajit, në Tokën e Zef Sylës dhe, mbasi janë vendosë te gropa e hapun, u asht marrë Fjala e Fundit dhe, po aty janë pushkatue… (Dosja 1302/II-A)

Shkodër, 4 mars 1946…

1.Monsinjor Frano P. Gjini tha se: Rroftë Krishti Mbret, Feja Katolike dhe katolikët në botë, Rroftë Papa, gjaku dhe trupi i em mbetët këtu, por Shpirti dhe zemra është tek Papa. Rroftë Shqipnija!

2.Padër Mati Kol Prennushi tha se: Jam i pafajshëm, po vdes në krye të detyrës s’eme. Rroftë Krishti Mbret, Rroftë Papa, Rrofshin Katolikët, Rroftë Shqipnija! U baj hallall gjyqit dhe ato që do të shtijnë mbi trupat tonë të pafajshëm!

3.Don Nikoll Zef Deda tha se: Rroftë Shqipnija, po vritem në punën teme. Rroftë Krishti Mbret, Rroftë Populli Shqiptar!

Kryetar i Gjykatës Kapiten i I-rë
(Misto Bllaci) d.v.”

Të dënuemit me vdekje që janë pushkatue atë ditë ishin:

1.Imzot Frano Gjini,

2.At Mati Prennushi,

3.Don Nikoll Deda,

4.At Çiprian Nika,

5.Cin Serreqi,

6.Dulo Kali,

7.Caf Dragusha,

kolana e librave

8.Guljelm Suma,

9.Ing. Fahri Rusi,

10.Murat Hysen Haxhija,

11.Bilbil Hajmi,

12.Pjetër Prendush Pali,

13.Gaspër Simon Gaspri,

14.Xhelal Hardolli,

15.Zef Kol Prela,

16.Rasim Gjyrezi…

Fretnit Françeskanë – rreshti i parë ulur
Gjergj Fishta, Vinçenc Prennushi, Anton Harapi

Fjalët e Fundit të tyne nuk janë në dosjen e pushkatimit.

1993 Mjeku ligjor Dr. Papavrami, më ka tregue: “Atë ditë, me 11 mars, rreth orës 04.30 të mëngjezit kur po i lidhnin në Zallin e Kirit për t’i pushkatuar, në mes të At Matisë dhe At Çiprianit kanë lidhur ingj. Fahri Rusin, 28 vjeç. At Matia, i thotë Fahriut: “Fahri, je ma i riu, qëndro si burrat dhe mos i turpëro të Parët e familjes s’ate!” – Fahriu i përgjigjet: “Nuk besoj se kush nga fisi im ka pasë këtë fat, me dhënë jetën mjedis dy Shejtënve, për çfarë me u trembë?”

Burrërisht u ngjitën te stomi i një gropës 4×2 ml. E hapur mbas Pendës së Kirit, drejt me çinarin e dytë, vertikalisht me Pendën, në drejtim Lindje-Perëndim,” shpjegonte doktori, i thirrun si mjek ligjor në pushkatimin e këtyne 16 vetëve. “Mbasi i lidhën edhe ndër brryla me vargonj me drynj, aty maje atij stomi, i kërkuan “fjalën e fundit”. Nuk më harrohet kurrë, edhe pse kanë kaluar 50 vjet, qëndrimi burrëror i klerikëve katolikë. Atyre nuk iu trembej syri nga vdekja, sepse mbi jetën e këtueshme kishte triumfuar Ideali i lartë i fitorës së Parajsës me vuajtjet e tyre, që nuk mund të tregohen, madje, ato vuajtje nuk krahasohen as me Kalvarin. Shtinë me armë mbi ata gjokse burrash që dukeshin si lisa … Ranë andej stomit… kur u afrova për të vërtetuar vdekjen nuk arrita të vizitoj asnjerin, kishin rënë në gropë dhe ishin mbuluar nga gjaku i tyre. Nuk dukej se jetonte ndonjeri…, asnjë lëvizje në atë pellg gjaku. Mbas gjysëm ore i mbuluan me dhé. Atëherë, nuk dija të kuptoj si falet gjykatësi dhe toga e pushkatimit kur je i pafajshëm… Krishti, Papa dhe Shqipëria ishin Ideali i tyre!” (Shpjegim gojor i doktorit në vitin 1993, në Shkodër).

***

Me 11 mars 1948, “shtinë me armë mbi ata gjokse burrash që dukeshin si lisa…” e lisat ranë andej stomit… plot 70 vjet…

Që, bashkë me ata Lisa u shembën shkollat e tyne, u shemb historia e gjuha e të gjitha atyne fidanishtave europianë, nder të cilat, lulzonte Rinia Shqiptare…

Bash aty ku, nuk u shue 500 vjet Formula “Atdhe e Fe” e pasuesve të Gjergj Kastriot – Skënderbeut…

Në kët vit asht detyrë atdhetare me kujtue Figura të Tilla që kanë dhanë jetën!

Fatkeqsisht, asht tue u veprue në të kundërt të asaj që duhet të bante shqiptari…

Kriminelët dhe terroristët nuk po ngopen me vjedhje, mashtrime dhe shpërdorime…

Ndër dritaret e Akademisë, arkivave dhe universiteteve shihet vetem “tym…”!

Melbourne, 10 Mars 2018