MENU

Profil/ Mahatma Gandi

“Të humbasësh durimin, është të humbasësh betejën”

20.09.2019 - 15:30

Mahatma Gandi, ka qenë një personalitet i shquar në Indi por jo vetëm, në gjithë botën. Emri i tij lidhet me pavarësinë e Indisë, duke marrë parasysh kontributin e tij.

Gjithashtu njihet edhe për “luftën” që bëri për të zhdukur dallimet bazuar tek feja, raca, ngjyra etj.

Gandi lindi më 2 Tetor të vitit 1869 në Porbandar në shtetin Gujarat në Indi, si Mohandas Gandhi Karamchand.

Ai në fillim nuk ishte një nxënës i mirë dhe ishte shumë i ndrojtur. Pas përfundimit të studimeve për drejtësi në Londër dhe përpjekjeve të para të pasuksesshme që të punonte si avokat në Bombej, në vitin 1893 ai udhëtoi për në Afrikën e Jugut.

I diskriminuar edhe vet për shkak të ngjyrës së lëkurës, ai themeloi gazetën “Indian Opinion”. Papritmas, nga një person i druajtur Gandi kthehet në një kundërshtar të pakëndshëm: jo vetëm në sallën e gjyqit, por edhe në politikë. Në vitin 1914 ai kthehet në Indi ndërsa në vitin 1920 ai merr përsipër udhëheqjen e Partisë së Kongresit. Në vitin 1930 pason veprimi i tij spektakolar: me një marsh Gandi proteston kundër faktit se indianët as nuk prodhonim e as nuk guxonin të shisnin kripë e megjithatë tatoheshin ende nga britanikët.

Në vitin 1942 Gandi u burgos, sepse kishte kërkuar pavarësinë e menjëhershme të Indisë e kaloi tetë vjet në burg. Në vitin 1947 India britanike u shpall e pavarur nga Britania e Madhe dhe atë vetëm në formë të dy shteteve të ndara: Pakistanin dhe Indinë. Përkundër angazhimit të pandërprerë të Gandit, ai nuk arriti t`i bindë myslimanët,njerëzit me besim hindi dhe britanikët për themelimin e një shteti të përbashkët.

Pas kësaj pasuan shpërnguljet e grupeve fetare në shtetet e reja. Nuk munguan as konfliktet e dhunshme. Për shkak se ai u premtoi myslimanëve të drejta të barabarta në Indi, më 30 janar të vitit 1948 u vra nga dora e Nathuram Godses, një indian me besim hindi.

Ai mbetet personalitet i madh në historinë e Indisë dhe të botës sepse krijoi dhe zbatoi në praktikë Doktrinën e Tolerancës, thelbi i së cilës qëndron në moskundërshtimin e së keqes me dhunë. Kjo është arsyeja, që dishepulli i tij, udhëheqësi zezak amerikan, Martin Luter King e ka vendosur Gandin të gjashtin personalitet të madh të njerëzimit, fill pas Jesu Krishtit, Budës, Muhametit, Karl Marksit e Zigmund Frojdit.

Një nga meritat e Gandit dhe të dishepujve të tij është se ai shkatërroi sistemin e neveritshem të kastave në Indi, në të cilën njerëzit vlerësoheshin sipas racave, ngjyrës dhe profesioneve.

Cilësitë kryesore të gandizmit janë: propaganda e paqes midis klasave. Ai lejon konfliktet midis klasave, por me rrugë paqësore. Gandizmi e pranon si “mëkat të madh”, duke mos e dënuar dhunën e të pasurve mbi të varfërit.

Doktrina e Gandit mbështetet në tri shtylla. Këto janë: mospërdorimi i dhunës (ahimsa), këmbëngulja për të vërtetën (satyagraha), dhe vetvendosja individuale dhe politike (swaraj). Gandi e donte pajtimin dhe u mor për këtë arsye gjerësisht me mësimet e Budës dhe profetit Muhamed.

Për shumë e shumë njerëz ai ishte si një rikthim i Krishtit. Për të tjerë, për mendimtarë të pavarur Gandi ishte një mishërim i ri i Zhan Zhak Russoi-t dhe i Leon Tolstoit.

Popullariteti i tij është një fenomen mbarëbotëror. Por Mahatma Gandi, i luajtur në mënyrë të përkryer nga Ben Kingsley në filmin fitues i çmimit Oskar të Richard Attenborough, nuk ishte gjithmonë i madhëruar, hero i lavdishëm, i cili sot ende ndodhet në të gjitha kartëmonedhat indiane. Ai gjithashtu kishte anën e tij të errët. Para së gjithash në vitet e rinisë ai ka pasur probleme me vetveten dhe me gruan e tij Kasturben, në fillim të martesës sillej shpesh me zemërim dhe në mënyrë arrogante. Zhvillimi i tij në lider shiprtëror dhe politik të pavarësisë së Indisë ishte një proces që e bëri atë më njerëzor.

Për shumëkend Gandi është ende një ikonë, pothuajse një shenjtor. Të tjerët i konsiderojnë idetë e tij si të parëndësishme. E megjithatë, edhe pse kanë kaluar dhjetëra vjet nga vdekja e tij, teoritë e tij duken të përjetshme, të thjeshta dhe të fuqishme.

Disa nga aforizmat më brilante të Gandit janë:
– Lumturia është kur ajo që mendon, ajo që thua dhe ajo që bën janë në harmoni mes tyre.
– Në fillim të injorojnë, pastaj qeshin me ty, pastaj të luftojnë, dhe pastaj ti fiton.
– Urre mëkatin, duaje mëkatarin.
– Njeriu i mirë është mik i të gjithë gjërave të gjalla.
– Unë e kundërshtoj dhunën, sepse kur ajo duket se po bën mirë, e mira është vetëm e përkohshme; ndërsa e keqja që ajo shkakton, është e përjetshme.
– Të dobëtit nuk mund të falin asnjëherë. Falja është virtyt i të fortit.
– Asgjë nuk më ka trishtuar më shumë në jetë, se sa ngurtësia e zemrës së njerëzve të arsimuar.
– Shëndeti është pasuria e vërtetë, dhe jo copat e floririt dhe argjendit.
– Mënyra më e mirë për të gjetur veten, është ta humbasësh veten në shërbim të të tjerëve.
– Nuk duhet të humbasësh besimin tek njerëzimi. Njerëzimi është një oqean; nëse disa pika në oqean janë të pista, vetë oqeani nuk bëhet i pistë.
– Paqja është arma më e fuqishme e njerëzimit.
– Të humbasësh durimin është të humbasësh betejën.
– Jeto sikur do të vdesësh nesër. Mëso sikur do të jetosh përgjithmonë.
– Në botë ka mjaftueshëm për nevojat e njeriut, por jo për babëzinë e njeriut.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN