Kongresi i Manastirit ishte eventi që vendosi një alfabet unik ku grafema, shumica syresh latine i përshtaten fonemave të gjuhës shqipe.
Nga studiues, gjuhëtarë e historianë të ndryshëm, ai Kongres është quajtur një “konferencë akademike”, pasi po ta shohësh sot, i ngjan shumë një të tille. Vijimi i tij ishte Kongresi i Drejtshkrimit i cili tregoi padrejtësi të madhe ndaj gegnishtes, padrejtësi me të cilat do të merrem në një tjetër moment e tjetër shkrim.
Në këtë kongres u thirrën 50 delegatë, përfaqësues të njëzetë e tre qyteteve të banuara nga shqiptarët, shoqërive kulturore e patriotike, tridhjetë e dy nga të cilët kishin të drejtë vote dhe tetëmbëdhjetë vëzhgues. Ndër delegatët më të shquar qenë Atë Gjergj Fishta, Mit’hat Frashëri, Sotir Peci, dom Ndre Mjeda, Shahin Kolonja, Bajo Topulli, Parashqevi Qiriazi.
Debatet kanë filluar qysh para Kongresit të mbajtur në vitin 1908. Fillimisht, Atë Fishta nuk ka qenë i ftuar. Në vend të tij ishte ftuar Abat Doçi i Abacisë së Mirditës, por, duke qenë se ai nuk mundi të jetë prezent, dërgoi mikun e tij Atë Gjergj Fishtën. Ky i fundit, pas fillimit të Kongresit, u zgjodh si drejtues i tij.
Pas përfundimit të Kongresit, u bënë të njohur vendimet e tij nëpërmjet gazetave e revistave të kohës.
Kështu, thuajse tridhjetë vjet më pas në revistën “Leka”, nr. 3, viti 1937, fq. 112 do të shkruhej:
Dom Ndreu [Mjeda] në Kongres të Monastirit në vj. 1908 qet të qujtunin “alfabet i monastirit” që s’asht tjeter veç se ky qi na përdorim sod pa kurrnji ndryshim.
Por historia dhe disa relacione të kohës nuk na thonë këtë! Gjithsesi, do të shkruaj më vonë rreth tyre. Tani le të merremi me atë çfarë shtypi ka thënë për këtë event.
Revista “Kumbona e së Diellës” do të botonte një shkrim në vitin 1942 (vj. 5, nr. 20, fq. 234) në të cilin shkruhet:
Sikurse asht dishmue prej pjestarëvet të kongresit, alfabeti i sodshëm asht vepër e D. Ndre Mjedës…”
Por çfarë thotë gjuhëtari i madh Atë Justin Rrota (me veprën e të cilit disa gjuhëtarë, emrat e të cilëve nuk po i citoj, mbrojtën pa të drejtë diplomat në Shqipërinë komuniste kur Atë Rrota ishte “i paligjshëm”), shkruan për Alfabetin e Manastirit:
U pranue në themel parimi i alfabetit latinisht… Elementet kryesorë që përbanë alfabetin kjenë:
“Bashkimi”: dh, th, ll, rr, sh.
“Alfabeti i Stambollit”: y, c, ç, q, z, x.
“Alfabeti i de Radës”: ë, gj, nj.
Sikurse shihet, alfabeti nuk ishte “eksluzivitet” i dom Ndre Mjedës, por ishte bashkim i gjithë grafemave të përdorura ndër shkrimet shqipe, pasi shkrimet në gegnisht përdornin dendur dh, th, rr, ll, sh, shkrimet në toskërisht y, c, ç, q, z, x ndërsa shkrimet e shqiptarëve të Italisë ë, gj, nj.
Kjo gjë ndodhi falë këmbënguljes së Atë Fishtës i cili e dinte se nëse nuk do të binin dakord për përdorim “koalicjoni” mes grafemave që ngasonin me ata latinet, mund të rrezikonim të kishim një shkrim arab, duke u bërë vendi i vetëm në Evropë!
Dom Ndreu kërkonte që të mbronte alfabetin me shenja diakritike, sikurse lexojmë në revistën “Leka”, vj. XI, nr. VIII – IX, 1937, fq. 356:
Në ditaret e Kongresit të Monastirit lexojmë: “Zoti Mjeda, delegat i shoqërisë Agimi në Shkodrë, rrëfeu ngjarjenë që ka abece e Stambollit me t’Agimit, me qenë se të dyja kanë një shenjë të vetëm për çdo zë”.
Duke u marrë me këtë çështje, është Atë Gjon Shllaku i cili në revistën “Hylli i Dritës”, në një artikull të ndarë në dy numra, 4 dhe pesë, në vitin 1943 do të shkruajë:
Me këtë fjalim duket se Dom Ndreu asht kundra shoqnis “Bashkimi” si jemi të njoftuem prej njij letre së P. Pashko Bardhit të shkrueme prej tij pakë kohë mbas Kongresit Atë Shtjefen Gjeçovit. Kjo letër ruhet gjithnje n’arkivin t’onë [bëhet fjalë për arkivin e Kuvendit Françeskan].
Këtë letër nuk po e citoj, pasi është shkruar me një alfabet vështirë të kopjueshëm (ka grafema të vjetra dhe të rralla), por po e jap pak a shumë të përmbledhur:
Sipas saj, dom Ndre Mjeda kishte ba nji fjalim kundër shoqërisë Bashkimi, por nesër kishte marrë përgjigje prej Padër Gjergjit.
Duke kërkuar këtë përgjigje, rashë në gjurmë të një informacioni që jepet sërish në revistën Leka, vjeti IX, nr. VIII –XII, fq. 358, ku bëhet sërish fjalë për një pjesë të marrë nga Ditari i Kongresit:
Mbrëmanët, atë Gjergj Fishta, delegat i shoqërisë Bashkimi në Shkodrë, mbajti një fjalë plot zjarr mbi vetijat e mira dhe mbi nevojat e Shqipëtarëvet, dhe dëgjoj veshët e gjithë dëgjonjësvet.
Duket qartë se edhe ky Komision krijoi ndasi mes shqiptarëve. Prandaj, kur Atë Fishta thoshte: ma kollaj baj nji thes pleshta / se i baj bashkë dy shqiptarë, kishte shumë të drejtë.
Me një pjesë të një poezie që Atë Gjergj Fishta shkruan gjatë Kongresit, dua të mbyll këtë shkrim që shpresoj të ketë hedhur sado pak dritë mbi ndodhitë e asaj konference kaq të rëndësishme për identitetin tonë kombëtar!
Për çdo kambë na mbin ka nji letrar,
Qi ethun trush me prralla e me gazeta
Përfton n’e mbramët e pjellë nji abecedar…
Shkronja t’bashkueme njani i don me Haka,
Tjetri i kryqzon me shtija e me cokla,
Dersa i mbërthen ndokush me kuja e taka…
Pra nji bashkim, t’vërtetë s’ka për t’ague
Per ne agimi kurr; gjithmonë por nata
E marrja e skami kan për t’na ngushtue.
Po, a thue, kurr n’mend s’do t’biej Shqypnia e ngrata?