MENU
klinika

Ndihmë financiare

Tërmetet, Kosova i del në ndihmë Shqipërisë

21.09.2019 - 20:20

Pasi disa tërmete të fuqishme goditën Durrësin, Tiranën dhe disa qytete të tjera, ka reaguar edhe kryeministri në ikje i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Haradinaj ka ofruar ndihmë duke deklaruar se qeveria e tij do të ndihmojë Shqipërinë me një ndihmë financiare për t’i evituar dëmet, si dhe ndihma humanitare dhe trupa ushtarake nga Forcat e Sigurisë së Kosovës (FSK).

Me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, Haradinaj ka shkruar se ka udhëzuar Gjeneralin e FSK-së, Rrahman Ramën dhe Drejtorin e Policisë Rashit Qalaj që të vendosin në dispozicion të gjithë ndihmat e nevojshme për të ndihmuar qytetarët shqiptarë.

‘Kosova bashkëndjenë me të gjithë qytetarët e saj dhe me qytetarët e Shqipërisë që sot u tronditën dhe e pësuan nga tërmeti që goditi Tiranën, Durrësin dhe një pjesë të Kosovës.
Menjëherë pas këtij lajmi, i kam shprehur shqetësimet dhe gatishmërinë tonë për të ndihmuar të gjithë të prekurit, Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta. Kam udhëzuar Gjenaralin e FSK-së, Rrahman Rama dhe Drejtorin e Policisë, Rashit Qalaj që të vënë kontakte me homologët e tyre, për të ofruar çdo ndihmë të nevojshme. Në të njëjtën kohë, bazuar në kompetencat tona, Qeveria e vendit do ta ndihmojë Shqipërinë, me një ndihmë financiare për t’i evituar dëmet. Të gjithë të lënduarve u dëshirojmë shërim të shpejt dhe për ata që pësuan do të jemi në dispozicion të plotë’.

Përveç në Shqipëri lëkundje të forta janë ndjerë edhe në Kosovë, Bullgari, Bosnje, Kroaci, Greqi, Itali, Serbi, Maqedoni të Veriut e në Mal të Zi.

Vlen të theksohet se lëkundjet më të forta janë ndjerë në zonën e Durrësit, qytet i cili ka qenë më së afërti epiqendrës së tërmetit.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë, ky është tërmeti më i fortë në 20-30 vitet e fundit.