MENU
klinika

Investimi i ri

Tokat bujqësore ‘shpëtojnë’ nga Shkumbini, ndërtohen pritat

08.09.2019 - 18:59

Ujërat e lumit Shkumbin nuk rrezikojnë më tokat bujqësore në Shushicë të Elbasanit.

Investimi në ndërtimin e pritave përgjatë pjesës jugore të lumit Shkumbin pranë lagjes së Cogës në Shushicë të Elbasanit bëri të mundur shpëtimin dhe rekuperimin e 100 hektarëve tokë bujqësore.

Kryetari i grupit parlamentar Taulant Balla së bashku me kryetarin e bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja dhe deputetin Arben Kamami inspektuan punimet të cilat vijojnë me ritme të shpejta për të bërë të mundur përfundimin përpara shirave të vjeshtës.

“Kemi ardhur për të ndjekur nga afër një prej zgjidhjeve të problemit më të madh që ka kjo zonë e Elbasanit, që shkaktohet për shkak të përmbytjeve të lumit Shkumbin.

Kemi ndjekur fazën e parë, jemi në përfundim të fazës më të rëndësishme, e cila pas 30 vitesh, më në fund shpëton 100 ha tokë të cilat ishin pre e përmbytjeve të lumit Shkumbin.

Kjo tokë i rikthehet zonës së Shushicës dhe plani ynë, së bashku me bashkinë, është që zona të pyllëzohet.

Angazhimi ynë është që projektin ta vazhdojmë, në mënyrë që lumi Shkumbin të mos jetë rrezik, por mundësi e mirë për zhvillimin e bujqësisë duke u përdorur për vaditje”, tha Balla.

Kryetari i bashkisë Llatja theksoi se puna do të vijojë më tej me pyllëzimin e zonës, duke i shtuar mushkërinë e gjelbër Elbasanit, duke qenë se është shumë pranë qytetit.

“Është përfituar një sipërfaqe toke e konsiderueshme, një pjesë tjetër është ruajtur nga përmbytjet. Kjo sipërfaqe do të pyllëzohet shumë shpejt, do të jetë ndër prioritetet e bashkisë së Elbasanit duke i shtuar edhe kurorën e gjelbër qytetit, duke qenë se është shumë pranë tij”, tha Llatja.

Nga ana e tij deputeti Arben Kamami vuri në dukje se një punë po kaq e mirë është bërë edhe në disa zona të tjera të cilat përmbyteshin nga Shkumbini.

“Premtuam se brigjet jugore të lumit Shkumbin nuk do të përmbysin më tokat përreth dhe sot jemi në fazën e tretë të një investimi maksimal. Filluam me argjinaturën pranë fshatit Muriqan dhe e shpëtuam këtë zonë nga përmbytjet e vazhdueshme, prej 30 vitesh; vazhduam me argjinaturën pranë fshatit Polis Valë dhe kjo është pjesa e tretë”, u shpreh Kamami.