Kandidatja e LDK-së për kryetare të Qeverisë, Vjosa Osmani, së bashku me kreun e LDK-së në Prizren, Anton Quni, kanë vizituar disa fshatra në veri të Kosovës.
Gjatë kësaj vizite, Osmani ka dhënë mesazh kundër prekjes së kufijve, duke thenë se integriteti territorial i Kosovës është i pacenueshëm.
Sipas Osmanit, për guxim e për shtet nuk mund të flasin as ata që ikën nga përgjegjësia e mbrojtjes së vendit e as ata që ishin të gatshëm të rrezikojnë sovranitetin shtetëror për interesa personale.
“As ata që ikën nga përgjegjësia e mbrojtjes së vendit e as ata që ishin të gatshëm të rrezikonin sovranitetin shtetëror për interesa personale, sot nuk mund të na flasin për guxim e për shtet”, ka shtuar ajo.
Në lidhje me një plan për ndryshimin e kufijve ka shkruar sot dhe gazeta serbe Telegraf. Sipas kësaj gazete, Presidenti amerikan Donald Trump ka përgatitur një paketë për zgjidhjen e çështjes së kufijëve mes Kosovës dhe Serbisë.
Me ndryshimin e kufijve pjesa veriore e Kosovës do të jetë brenda kufijve të Serbisë ndërsa Kishave serbe në Kosovë do tu jepet status i veçantë.