MENU
klinika

Reagon Zëri i Amerikës

VOA: Dënimi i Saimir Tahirit, reagime nga politika e ambasadat

20.09.2019 - 22:05

Në Tiranë vazhduan sot reagime të ndryshme lidhur me dënimin e ish-ministrit të brendshëm, Saimir Tahiri, për shpërdorim detyre, pasi u lirua nga akuzat për grup kriminal i strukturuar dhe trafik narkotikësh.

Sipas ambasadës amerikane në Shqipëri, këtu nis fundi i pandëshkueshmërisë për personat me lidhje të forta. Ndërsa analistët pohuan që gjyqi ndaj Tahirit tregoi se qytetarët nuk janë të barabartë përpara ligjit.

Ambasada amerikane në Tiranë e quajti sot shkurajues dënimin që iu dha ish-ministrit të brendshëm Saimir Tahiri, por tha se kjo sinjalizon një hap përpara për pavarësinë e gjyqësorit në Shqipëri.

“Vendimi ndaj ish ministrit Tahiri tregon pavarësi në rritje të gjyqësorit dhe fillimin e fundit të pandëshkueshmërisë për personat me lidhje të forta”, – thuhet në deklaratën e ambasadës amerikane në Tiranë. – “Dënimi i zotit Tahiri për shpërdorim detyre shënon një hap të rëndësishëm përpara, por nga ana tjetër dënimi është shkurajues, duke pasur parasysh se sa të rënda ishin akuzat”, – tha ambasada amerikane. – “Ata që shpërdorojnë besimin publik dhe shkelin ligjin duhet të përballen me pasoja domethënëse. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbeten partnerë të Shqipërisë, në mbështetje të përparimit të mëtejshëm të reformës në drejtësi, transparencës dhe qeverisjes së mirë”, – deklaroi ambasada amerikane në Tiranë.

Drejtuesi i Institutit të Studimeve Politike, Afrim Krasniqi tha se ka të burgosur persona me faje shumë herë më të vogla se ato të politikanëve.

“Dënimi nga drejtësia i ish- ministrit të brendshëm Saimir Tahiri kanë me vete një lajm pozitiv dhe një lajm negativ. Për herë të parë pas shumë vitesh kemi një zyrtar të lartë, ministër të brendshëm, i cili u përball me akuza që lidhen me fuknskionin e tij si ministër. Ky është lajmi i mirë dhe një shenjë se drejtësia ka filluar të funksionojë në Shqipëri, dhe ata që quheshin të paprekshëm një ditë do të japin llogari. Lajmi i keq është që drejtësia nuk arriti dot ta kalojë vijën e kuqe, që t’i vendoste zyrtarët në të njëjtin nivel që vendos edhe qytetarët.

Sot kemi shumë qytetarë në Shqipëri që vuajnë dënime në burgje për vepra dhe akuza shumë të vogla se ato për të cilat u akuzua ish-ministri Tahiri. Kjo është edhe një apel që Shqipëria të ketë sa më parë SPAK-un, strukturën e cila do të hetojë në mënyrë të thelluar për politikanët e lartë, në mënyrë që të vijë drejtësa e premtuar nga reforma në drejtësi dhe të kthehet besimi i publikut që çdo qytetar është i barabartë përpara ligjit dhe se Shqipëria ka ndryshuar me reformën në drejtësi dhe me sfidat e saj të integrimit drejt BE-së” – tha zoti Krasniqi.

Ndërkaq, analisti politik Lutfi Dervishi thotë se dita e djeshme do të mbahet mend gjatë jo për masën e vendimit, apo ndryshimin e akuzës ndaj ish ministrit të brendshëm, por për mënyrën se si u mor ky vendim dhe për pritjen dhe pritshmëritë që kishte publiku.

“U zhvilluan tre gjyqe, një gjyq politik, një gjyq i opinionit publik dhe një gjyq në sallën e gjyqit. Në sallën e gjyqit nuk vlen ajo që dimë apo ajo që perceptojmë por ajo që mund të provohet me prova. Ka një perceptim që prokurorët nuk e bërë siç duhet punën e tyre. Shqipëria është ende larg ditës që publiku të shohë si heronj dhe të admirojë një prokuror apo gjyqtar dhe drejtësia shqiptare është ende larg standartit që ligji të jetë i barabartë për të gjithë. Ndryshe gjykohet një zyrtar apo ish zyrtar dhe ndryshe një qytetar i thjeshtë. Me një fjalë vlen thënia e Orëellit: Të gjithë janë të barabartë, por disa janë më të barabartë se të tjerët” – tha zoti Dervishi.

Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca, tha se nga përvoja si prokuror i duhej që të lexojë me vëmendje vendimin e djeshëm të Gjykatës përpara se të japë një mendim për të.

Opozita tha ndërkohë se vendimi i dënimit për ish-ministrin Tahiri ishte një zhgënjim. “Rasti i Saimir Tahirit u tregoi shqiptarëve se me Edi Ramën kryeministër, kryeprokuror dhe kryegjykatës nuk ka ndëshkim nga drejtësia, as për krimin, as për politikanët e lidhur me krimin. Edi Rama ka bërë veprime konkrete dyvjeçare për të prishur dosjen e Saimir Tahirit, për të ndaluar arrestimin e tij dhe dënimin e tij me burg, që nga mbrojtja me imunitet, deri tek largimi i prokurorëve dhe presioni ndaj gjykatësve” – tha sekretari i përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi.

Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi të dënojë mbrëmjen e së enjtes, me 5 vite burgim ish ministrin e brendshëm Saimir Tahiri. Ai pranoi gjykimin e shkurtuar, ndaj dënimi sipas vendimit, konvertohet në 3 vite shërbim prove. Zotit Tahiri i ndalohet të ushtrojë funksione publike gjatë kësaj periudhe.

Prokuroria kërkoi javën e shkuar dënimin prej 12 vitesh burgim, duke e akuzuar ish ministrin për të paktën tre vepra të rënda: Trafik i narkotikëve kryer në bashkëpunim në formën e grupit të struktuar kriminal; Pjesmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe Kryerja e veprës në grup të strukturuar kriminal. Por gjykata i rrëzoi ato, duke vlerësuar se nuk kishte prova që të mbështesnin këto akuza, por se megjithatë, ishin sipas saj të mjaftueshme për ta dënuar zotin Tahiri për shpërdorim detyre. /Voa/