MENU
klinika

“E bëra me vetëdije”

Zbardhet dëshmia e autorit që vrau 20-vjeçarin në Bulqizë

06.09.2019 - 17:34

Detaje të reja kanë dalë këtë të premte nga vrasja e të riut Arlind Pasha një ditë më parë në Bulqizë. Burime pranë Komisariatit të Policisë Bulqizë bëjnë të ditur se autori, Fatjon Keta, ka deklaruar para uniformave blu se vrasjen e ka kryer me vetëdije.

Megjithatë kjo është dëshmia e tij paraprake ndërsa pritet që 20-vjeçari të përgjigjet para organit të akuzës kur të dalë për t’u njohur me masën e sigurisë. Po ashtu, autori i ngjarjes së rëndë Fatjon Keta nuk rezulton të ketë kartelë shëndetësore, kjo një e dhënë tjetër, e cila hedh poshtë pretendimet e ngritura se ai vuante nga shëndeti mendor.

Ai është dërguar pak kohë më parë në spitalin e Shkodrës kur është konfirmuar nga ky i fundit se 20-vjeçari nuk është në kushtet e shtrimit në spital, duke e rikthyer atë sërish në Bulqizë.

Një ditë më parë Fatjon Keta goditi me thikë bashkëmoshatarin e tij Arlind Pasha teksa ky i fundit ishte duke ecur në trotuar, ndërsa ndërroi jetë  rrugës për spital.

Për shkak të plagës së marrë nga një goditje e vetme e thikës, ai ndërroi jetë rrugës për në spital. Vetëm 1 orë e 30 minuta pas ngjarjes 20-vjeçari Fatjon Keta u arrestuar nga policia në Lagjen e Re të Bulqizës.

Ndërkohë pas ngjarjes së rëndë, mësohet se familja e autorit është larguar nga Bulqiza pasi jetonte në të njëjtën lagje me familjen e viktimës.