MENU
klinika

Paralajmërimi i frikshëm

125 milionë njerëz do të vdisnin nga një konflikt Indi-Pakistan

04.10.2019 - 10:54

Hulumtuesit kanë bërë parashikimin se një luftë bërthamore mes Indisë dhe Pakistanit mund të shkaktojë vdekjen e rreth 125 milionë njerëzve dhe se mund të çojë në pasoja të rënda ndaj mjedisit.

Në një artikull të gazetës “The Telegraph”, lidhur me një hulumtim rezultatet e të cilit janë botuar në revistën “Science Advances” është parashikuar se një luftë e mundshme bërthamore mes Indisë dhe Pakistanit mund të shkaktojë vdekjen e rreth 125 milionë njerëzve vetëm brenda disa ditësh dhe se mund të ndodhin pasoja të rënda ndaj mjedisit.

Në hulumtim, krahas vdekjes së miliona personave thuhet se për shkak të reve bërthamore mund të pakësohen prej 20 deri në 35 për qind rrezet e diellit që bien në tokë, gjë e cila mund të ulë për 2-5 gradë temperaturën e ajrit si dhe mund të ulë 15-30 për qind reshjet e borës.

Alan Robock, një nga hulumtuesit, duke tërhequr vëmendjen e kohës së punës hulumtuese tha se, “Koha e hulumtimit është me vend. Koflikti mes Indisë dhe Pakistanit për Kashmirin vazhdon dhe çdo muaj në kufij vdesin njerëz. Një luftë e tillë kërcënon jo vetëm vendet ku do të bien bombat, por të gjithë botën”.

Hulumtuesi tjetër, Brian Toon, tha se, “Kjo do të ishte një luftë e pashembullt. Shpresoj se India dhe Pakistani do ta marrin në konsideratë këtë hulumtim”.

Më tej në hulumtim thuhet se mosarritja e përparimit në zgjidhjen e problemeve rajonale mes Indisë dhe Pakistanit, vazhdimi i konflikteve ushtarake dhe vazhdimi me shpejtësi i armatosjes bërthamore përbëjnë burim shqetësimi.

Tensionet midis Indisë dhe Pakistanit janë përshkallëzuar prej se Nju Delhi e tërhoqi statusin e veçantë të pjesës së Kashmirit të administruar nga India, ditë më parë. Rajoni i diskutueshëm i Himalajeve është i ndarë midis Indisë dhe Pakistanit, por pretendohet si tërësi nga të dyja vendet.

India ka refuzuar prej kohësh përpjekjet e jashtme për të zgjidhur konfliktin, ndërsa Pakistani ka kërkuar ndihmë ndërkombëtare. Dy vendet kanë zhvilluar dy luftëra për kontrollin e Kashmirit.

Në ditët e para të gushtit, në Kashmir dhjetëra mijëra trupa indiane shtesë u vendosën, një shtegtim i madh hindu u anulua, shkollat ​​dhe kolegjet u mbyllën, turistët u urdhëruan të largoheshin, shërbimet telefonike dhe interneti u pezulluan dhe liderët politikë rajonalë u vendosën në arrest shtëpiak.

Por shumica e spekulimeve ishin që neni 35A i kushtetutës indiane, i cili i dha disa privilegje të veçanta njerëzve të shtetit, do të hiqej. Qeveria atëherë i habiti të gjithë duke thënë se po revokonte gati të gjithë nenin 370, i cili ka qenë baza e marrëdhënieve komplekse të Kashmir me Indinë për rreth 70 vjet.

Neni i lejon shtetit një sasi të caktuar autonomie, kushtetutën e vet, një flamur më vete dhe lirinë për të bërë ligje.

Si rezultat, Jammu dhe Kashmir mund të bëjnë rregullat e veta në lidhje me vendbanimin e përhershëm, pronësinë dhe të drejtat themelore. Mund të ndalojë gjithashtu indianët nga jashtë shtetit të blejnë pronë ose të vendosen atje.