MENU
klinika

140 faqe... deri në limitin e kohës

39 ditë priteje/ Gjykata zbardh vendimin për dënimin e Tahirit

28.10.2019 - 11:59

Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda ka shfrytëzuar të gjithë afatin ligjor, në limitin e tij, për të zbardhur vendimin e dënimit ndaj ish-ministrit të Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, vendim i marrë më 19 shtator.

39 ditë pritje, kanë bërë që tre gjyqtarët Flora Hajredinaj, Ardit Mustafaj dhe Irena Gjoka të dalin me 140 faqe vendim të zbardhur, përmes të cilit e dënuan ish-ministrin Tahirime 3 vite shërbim prove dhe 3 vite pa të drejtë për të ushtruar funksione publike. Dënimi u mor vetëm për shpërdorim detyre, ndërsa ranë akuzat e trafikut të drogës në bashkëpunim dhe grup të strukturuar kriminal, mbi të cilat prokuroria kishte kërkuar që Tahiri të dënohej me 12 vite burg.

Vendimi me 140 faqe është dorëzuar këtë të hënë në sekretarinë e Gjykatës.

Pas dy vitesh hetime, nga nëntori i 2017-ës, Gjykata për Krime të Rënda rrëzoi të gjitha akuzat e ngritura duke e dënuar vetëm për shpërdorim detyre, një vendim prej të cilit, ai nuk do të bëjë asnjë ditë burg!

  • Vendimi i Gjykatës

Gjykata e dënoi Tahirin me 5 vite burg për këtë akuzë të re që në gjuhën juridike quhet, kualifikim i veprës penale: Shpërdorim të detyrës. Por me gjykim të shkurtuar dënimi ulet në 3.4 vite burgim. Edhe këtë dënim, gjykata vendosi ta konvertojë në 3 vite shërbim prove, periudhë në të cilën ish-ministri nuk duhet të kryejë asnjë vepër penale. Po ashtu, për 3 vite, ish-ministri Tahiri nuk duhet të ushtrojë funksione publike.

  • “Beteja” Prokurori-Tahiri në Apel

Saimir Tahiri u detyrua të ankimojë vendimin e dënimit në Gjykatën e Apelit, ende pa pasur në dorë vendimin e zbardhur të gjykatës, për të mos djegur afatin 15 ditë pas vendimit për ankimim të vendimit. Pas veprimit të Tahirit më 3 tetor, një ditë më pas, më 4 tetor, prokuroria për Krime të Rënda ankimoi vendimin e Gjykatës.