MENU
klinika

Dikur luajtën si kuqezinj

4 shqiptarë me Greqinë në Botërorin e Ushtrive

23.10.2019 - 10:17

Dy ditë më parë, atletja shqiptare Luiza Gega mori medalje bronzi në garën e 3000 m me pengesa në Botërorin e Ushtrive që po zhvillohet në Ëuhan të Kinës. Bashkë me Gegën janë edhe gjashtë ushtarakë të tjerë që përfaqësojnë Shqipërinë.

Por në këtë Botëror janë edhe 4 futbollistë shqiptarë, por që përfaqësojnë Greqinë. Disa vite më parë cilësoheshin ndër talentet e të ardhmes të futbollit shqiptar, vishnin fanellën kuqezi dhe ëndërronin që një ditë të ishin pjesë e përfaqësueses A.

Por ndoshta as ata vetë nuk do ta kishin imagjinuar se përfaqësuesja madhore e parë për të cilën do të luanin dhe himnin që do të dëgjonin si të rritur do të ishte ai i Greqisë.

Katër futbollistë shqiptarë po përfaqësojnë Greqinë në Botërorin e Ushtrive, ku pala greke u kualifikua edhe falë bëmave të “ushtarit” Fiorin Durmishaj gjatë periudhës kur ai po kryente shërbimin e detyrueshëm.

Po ashtu, si Durmishaj, edhe Klodian Gino, Vasil Vila, Gertin Hoxhalli dhe Fatjon Andoni, për të marrë shtetësinë greke, janë të detyruar të kryejnë këtë shërbim ushtarak, duke bërë atë që dinë më mirë, të luajnë futboll.

Tre prej tyre kanë qenë emra të spikatur me përfaqësueset e moshave të Shqipërisë. Vila provoi edhe të shpërthente në futbollin shqiptar me Kukësin, por pa sukses, duke u kthyer në Greqi.

Gino arriti deri aty sa më e U21 mbajti edhe shiritin e kapitenit. Ndërsa rasti i Andonit është unik, pasi një vit më parë, kur kombëtaren e drejtonte Christian Panucci, ai ishte mes kandidatëve për të veshur fanellën kuqezi, gjë që nuk u konkretizua.

Të katër futbollistët janë veshur ushtarë dhe tani gjenden në Kinë, ku do të luajnë me përfaqësuesen greke, e cila ka përfituar nga fati, se ashtu si shumë shqiptarë të tjerë, edhe futbollistët të cilët luajnë për klube profesioniste greke, shpesh ëndërrojnë shtetësinë në një vend ku kanë kaluar pjesën më të madhe të jetës.

Sigurisht, kjo eksperiencë nuk i pengon që në të ardhmen të luajnë përsëri për ngjyrat kuqezi, pasi ndeshjet si ushtarë nuk ndikojnë te zgjedhja e përfaqësueses para FIFA-s. (Ermal Kuka, Vipsport)

SHËNIM: Të gjitha rezultatet e ndeshjeve kryesore të ditës i gjeni në kohë reale, duke klikuar Konica.al  në ballinën e rubrikës së sportit

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN