Pas takimit me kryeministrin italian Giuseppe Conte, kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama mori pjesë në Asamblenë e Dhomës së Industrialistëve të Detit.
Ai deklaroi se, në javët e ardhsme, do të hapet tender për ndërtimin e aeroportit të Vlorës. Kryeministri Rama pëmendi dhe mundësitë që ofron Shqipëria për qytetarët italianë.
Procedurat për tenderimin e aeroportit të Vlorës do të nisin në javët e ardhshme. Ka qenë kryeministri Edi Rama, i cili ka njoftuar nisjen e ndërtimit të këtij aeroporti, duke nënvizuar se do të ketë të gjitha kapacitetet europiane.
“Kemi firmosur një marrëveshje për të ndërtuar terminalin e parë modern për kroçerat dhe shpresojmë të ecim përpara në mënyrë që të mbulojmë si Durrësin, ashtu edhe Vlorën me dy terminalë mjaft modernë, të konceptuar nga arkitektë fiorentinë. Në javët e ardhshme do të hapim një tender ndërkombëtar për Aeroportin e Vlorës dhe më vjen mirë që shumë grupe italiane kanë shprehur interes në këtë vazhdimësi të përbashkët”, tha Rama.
Rama nuk harroi të përmendte dhe klimën e mirë të të bërit biznes në Shqipëri.
“Sot të investosh në Shqipëri në turizëm dhe strukturat e pritjes ka një TVSH prej 6% dhe mbi strukturat me 4-5 yje, jo vetëm një TVSH prej 6%, por edhe 10 vjet pa paguar asnjë taksë, po ashtu edhe të gjitha proceset administrative të burokracisë nuk bëhen nga investitorët, por nga strukturat e specializuara të shtetit. Janë struktura të krijuara ‘ad hoc’ për çdo investitor, për të mos humbur në labirintet e burokracisë shqiptare, që edhe pse nuk është aq e vështirë sa burokracia italiane, mbetet gjithsesi një burokraci”, vazhdoi Rama.
Kryeministri gjithashtu përmendi se Shqipëria do të ketë gjithnjë pak frymë italiane brenda saj, për shkak të bashkëpunimit të ndërsjelltë mes 2 vendeve.