Së fundmi, kemi lexuar e dëgjuar shpesh nga të famshmit për krizat e ankthit dhe problematikat që shkakton një shqetësim i tillë.
Ndër më të prononcuarat lidhur me këtë rast është Lori Hoxha, e cila ka folur shpesh për shenjat dhe mënyrat për ta mposhtur një gjendje të kësaj natyre.
Këtë herë ka qenë Armina Mevlani ajo që ka ndarë eksperiencën e saj, teksa i është përgjigjur pyetjes së një ndjekësi.
“Mendoj se në një moment të caktuar të gjithë vuajmë nga ankthi. Është normale të ndihesh i pasigurt për jetën, sepse asgjë nuk është e garantuar! Shpesh vuaj nga stomaku pas një krize ankthi, por kjo vetëm për periudha të caktuara, jo në mënyrë konstante. Përpiqem gjithmonë të shoh anën e mirë të gjërave dhe bëj shumë Yoga”, është shprehur Mevlani.
Krizat e ankthit janë një problem për të cilin shumë njerëz nuk flasin, pasi disa nuk e kuptojnë nga se vuajnë, ndërsa të tjerë ndihen në siklet ta pranojnë publikisht.
Megjithatë, personazhet e njohur po bëjnë një punë të mirë në këtë drejtim, duke diskutuar gjithmonë e më shpesh një status emocional si ky, që është shndërruar në problematik të ditëve të sotme.