MENU
klinika

Nga Ela Daci

BE dhe Ballkani Perëndimor – koha për të vendosur

16.10.2019 - 16:12

Jemi në prag të vendimit të Bashkimit Evropian nëse do të fillojë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Këshilli Evropian, më 18 tetor 2019, mund të shprehet mbi hapjen e negociatave. Vendim i cili vjen në një kohë kur shtetet e Bashkimit Evropian përballen me sfida të shumta, çështjet si: Brexit, migracioni, krizat politike, rritja e populistëve, ulja e GDP-së, po ashtu edhe fillimi i punës së Komisionit të ri Evropian.

Njëzet vite më parë, luftrat shkatërruese dhe të përgjakshme pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë më në fund morën fund po ashtu edhe konflikti në Kosovë.

Shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe shoqëritë e tyre u shkatërruan dhe u duhej një dorë për të dalë nga situata në të cilën ishin zhytur. Ballkani Perëndimor ka qenë, në kohët e fundit, në axhendën e Bashkimit Evropian dhe të Amerikës duke u shfaqur si mundësi, destabilizimi dhe rreziku.

BE-ja, në vetvete është rezultat i një projekti paqeje dhe sigurie, por për të stabilizuar Evropën do të duhej të motivoheshin qeveritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor për të rindërtuar, reformuar dhe demokratizuar shtetet dhe shoqëritë e tyre. Rajoni, gjithashtu, duhet të bashkohet rreth një qëllimi që të nxisë akoma më shumë bashkëpunimin dhe të lehtësojë pajtimin. Këto janë ndër arsyet për anëtarësimin në BE.

Samiti i Ballkanit Perëndimor, Selanik 2003, shënoi rrugën drejt integrimit të BE-së. Ky angazhim historik, i përsëritur në Samitin e Sofjes në maj të 2018, rikonfirmoi vendosmërinë e BE-së për të përhapur stabilitetin, sigurinë dhe demokracinë në të gjithë kontinentin dhe të sigurojë një të ardhme të përbashkët evropiane.

kolana e librave

16 vjet pas Selanikut, zgjerimi është dëshmuar të jetë një nga politikat më të suksesshme të BE-së. Vetë BE pranon progresin e bërë nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Këta të fundit kanë transformuar ekonomitë, ligjin, administratën publike dhe aparatet e sigurisë.

Sidoqoftë, nuk duhet të harrojmë se ky përparim nuk do të ishte i mundur pa perspektivat e qarta të anëtarësimit në BE. Qëllimi i të cilit shërben si një motivues i fuqishëm për qeveritë dhe qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor që t’i nënshtrohen reformave të nevojshme, por shpesh edhe të dhimbshme. Bashkimi Evropian nuk mund të jetë i pavëmendshëm ndaj këtij realiteti dhe të kërkojë justifikime për të mos ecur përpara me procesin e integrimit në BE.

Në një letër, presidentët e tanishëm dhe të ardhshëm të Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker dhe Ursula von der Leyen, si dhe Presidenti i Këshillit Evropian Donald Tusk dhe Presidenti i Parlamentit Evropian David Sassoli thanë që të dy kombet e Ballkanit kanë bërë “atë që i kemi kërkuar”. Ata shkruajnë se “BE përballet me një zgjedhje strategjike dhe nëse BE vendos tani të hapë bisedimet e pranimit … është një provë e aftësisë së Bashkimit për të përmbushur premtimet e tij dhe për të parë të ardhmen”. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria bënë atë që ne BE-ja i kërkoi. Arritja e kësaj kërkonte një përpjekje të konsiderueshme nga qytetarët e tyre, për të cilët perspektiva evropiane ka qenë një burim i shkëlqyeshëm i motivimit dhe vendosmërisë. Ata e përfunduan letrën duke thënë: “Ne besojmë se tani është koha për të hapur bisedimet e pranimit me të dy vendet”.

Në Luksemburg më 15 tetor 2019, Ambasadorët e BE-së u takuan për një seancë të jashtëzakonshme mbi çështjen e zgjerimit. Në mbledhje, i dërguari i Parisit Philippe Léglise-Costa ishte i vetmi, sipas diplomatëve të BE-së, që fliste kundër hapjes së negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Franca po ndalon zgjerimin e BE-së në pritje të reformave të mëdha nga Ballkanin Perëndimor dhe gjithashtu pret nga Komisioni Evropian të vendosë në tryezë një metodë të re për negociatat, më pak teknokratike e më shumë politike.

Zgjerimi i BE-së ka një ndikim të rëndësishëm në Ballkanin Perëndimor në dhjetë vitet e ardhshme. Procesi i zgjerimit të BE-së do të funksionojë vetëm nëse është gjithëpërfshirës, nëse institucionet janë të pavarura, nëse respektohet ligji dhe ndryshimin tij për integrimin në BE.

Ky i fundit ka dhënë rezultate të kufizuara deri më tani (vetting-u në Shqipëri). Politika e zgjerimit mund të ndihmojë në integrimin e vlerave themelore të BE-së dhe të kontribuoi në forcimin e Bashkimit. E ardhmja nuk mund të shihet ndryshe përveç asaj të një projekti të gjerë Evropian duke u bazuar dhe formuar në një të ardhme të përbashkët për të kapërcyer sfidat e brendshme dhe të jashtme të shekullit XXI.

Vendet janë në pritje pasi ato kanë bërë gjithçka që BE-ja më parë i kërkuar dhe me të drejtë është koha për të filluar bisedimet. Procesi i negociatave zgjat shumë vite për të përcaktuar nëse Shteti përkatës është i përshtatshëm për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian apo jo. Megjithatë qeveritë e rajonit nuk duhet të ndalin së punuari për të ardhmen e qytetarëve të tyre.