MENU
klinika

Diskutime edhe për azilkërkuesit

BE-Shqipëri marrëveshje kundër terrorizmit

09.10.2019 - 22:14

Shqipëria nënshkroi planin e BE-së kundër terrorizimit. Ky mekanizëm do ta ndihmojë vendin të adresojë edhe problemet e legjislacionit për pastrimin e parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit. Përkrah komisionarit Dimitris Avramopulos, ministri Sandër Lleshaj foli edhe për shqetësimin e Francës dhe Holandës për krimin dhe numrin e azilkërkuesve. Sipas tij ka një diferencë të madhe midis realitetit objektiv dhe perceptimit në kryeqytetet europiane.

BE nënshkroi planin e përbashkët të veprimit kundër terrorizmit më Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Kjo marrëveshje do ti mundësojë Shqipërisë të shënojë rezultate të prekshme në luftën kundër terrorizmit, tha Komisioneri në Detyrë për Çështjet e Brendshme dhe Migracionin, Dimitri Avramopulos.

Ndërsa ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj e quajti planin si bashkim të forcave me BE për të luftuar terrorizmin, ekstremizmin dhe për të shkëmbyer eksperienca.

Në rastin e Shqipërisë, veprimet prioritare përfshijnë dhe ndryshimin e legjislacionit për pastrimin e parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit, apo rritjen e kapaciteteve të hetimit financiar.

Vizita në Bruksel e ministrit Lleshaj nuk kaloi pa prekur çështjet e ngritura me shqetësim nga Franca për krimin dhe emigracionin e paligjshëm. Një e tillë vjen në prag të mbledhjes së KiE që do të vendosë në lidhje me bisedimet e anëtarësimit.

Ne kemi patur dialog intensiv me të dyja vendet për të mundësuar sqarimin më të mirë të situatës, për arsye se për fat të keq, sa herë që bëhet fjalë për Shqipërinë, ka një diferencë të madhe midis realitetit objektiv në terren dhe perceptimit në kryeqytetet europiane dhe diferenca është e konsiderueshme. Pra krimi i ushtruar nga shqiptarët në Holandë është shumë më poshtë sesa krimi i ushtruar nga qytetarë të vendeve të tjera anëtarë të BE, në Holandë‘-tha Lleshaj.

Në lidhje me numrin e azilkërkuesve, ministri Lleshaj tha se numri i tyre sidomos në Francë ka njohur rënie drastike. Ndërsa kërkesat për azil në Francë, Lleshaj i lidhi ato me politika të ndryshme që përdor vendi në krahasim me vendet e tjera të shengenit.