MENU
klinika

Betimi i Besnik Muçit

Betohet anëtari i ri i Gjykatës Kushtetuese para Presidentit

18.10.2019 - 20:19

Prokurori Besnik Muçi është anëtari i dytë i Gjykatës Kushtetuese, e mbetur vetëm me një anëtar që prej dy vitesh.

Muçi është betuar pasditen e sotme përpara Presidentit të Republikës në praninë edhe të përfaqësuese të vendeve të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Muçi u përzgjodh nga kreu i shtetit para disa ditësh.

Veç tij, kanë qenë edhe katër kandidatura të tjera të dërguara nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.

Njoftimi i Presidencës

Në Institucionin e Presidentit të Republikës, në prani të përfaqësuesve të institucioneve të pavarura, ambasadorëve si dhe përfaqësuese të vendeve të Bashkimit Europian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u zhvillua sonte ceremonia e betimit para Presidentit të Republikës Sh.T.Z Ilir Meta, të anëtarit të parë të Gjykatës Kushtetuese, Gjyqtarit z.Besnik Muçi.

Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekretit, Gjyqtari Muçi, duke vendosur dorën mbi Kushtetutën e Shqipërisë, u betua duke u zotuar se:

“Betohem se gjatë kryerjes së detyrave të mia do t’i qëndroj kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë!”

Presidenti Meta duke i dorëzuar Gjyqtarit Muçi dekretin e emërimit në këtë detyrë shumë të rëndësishme, i uroi suksese dhe punë të mbarë.