MENU
klinika

Ish-ministri reagon për zgjedhjet

Bushati: Kosova, një dekadë shtet, na dha mësime të vlefshme

07.10.2019 - 16:14

Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, ka reaguar për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të zhvilluar në Kosovë, ku u shpall fitues Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosja.

Në një postim në Facebook, Bushati shkruan se Kosova i dha një mësim të vlefshëm Shqipërisë. Sipas tij, “në demokraci zgjedhjet janë garë vlerash dhe jo të fortësh. Partitë politike i nënshtrohen konfirmimit të vendimeve nga populli, ku qytetarët kanë mundësi të rëndisin të preferuarit e tyre në listat e kandidatëve për deputetë”.

Më tej, ish-ministri Bushati thotë se Albin Kurti dhe Vjosa Osmani e LDK i dhanë oksigjen Kosovës duke mos u bërë palë me veset e jetës politike.

“Erdhi dita, beso!

Kosova përqafoi ndryshimin. Sovrani i dha një mandat të qartë Albin Kurtit dhe Lëvizjes VETËVENDOSJA (duke e rënditur atë të parin), dhe Vjosa Osmanit të LDK.

Albini dhe Vjosa i dhanë oksigjen Kosovës në opozitë duke demonstruar konsistencë e pathyeshmëri e duke mos u bërë palë me veset e jetës politike që dobësojnë idealin e jetës demokratike.

Është kjo arsyeja që sot ato shihen si projekt shprese për të gjithë shqiptarët në rajon, duke na dëshmuar se mund të triumfohet mbi rrënojat e së vjetrës.

Tanimë Albini dhe Vjosa janë përpara një përgjegjësie historike për ta drejtuar Kosovën me dinjitet, dashuri e përkushtim drejt sfidave të shtetkonsolidimit demokratik dhe partneritetit me botën demokratike.

Ata kanë përgjegjësinë për të jetësuar besimin e qytetarëve të Kosovës duke sjellë një standard të ri qeverisës shumë të dëshiruar për gjeneratën e Kosovës Evropiane, që e sheh të ardhmen e saj brenda vendit.

Përtej fitorës së Albinit dhe Vjosës, në Kosovë, mbi të gjitha, fitoi standardi dhe kultura demokratike. Procesi zgjedhor, bazuar në një sistem që kombinon disiplinën partiake me mundësinë që ka çdo qytetar për të rënditur kandidatët për deputetë sipas preferencës së tij, sikundër mënyra, korrektesa dhe shpejtësia me të cilën u numërua vota e qytetarëve, ishte një leksion më vete për ne.

Kosova, një dekadë shtet, na dha mësime të vlefshme, edhe pse ne e kemi lënë pas një shekull shtet. Në demokraci zgjedhjet janë garë vlerash dhe jo të fortësh. Partitë politike i nënshtrohen konfirmimit të vendimeve nga populli, ku qytetarët kanë mundësi të rëndisin të preferuarit e tyre në listat e kandidatëve për deputetë, çka forcon kontrollin demokratik ndaj vendimmarjes.

Urime Albin! Urime Vjosa! Urime Kosova!
Erdhi dita, beso”, shkruan ish-ministri Bushati nw postimin e tij.