MENU
klinika

Rrëfimi pas ceremonisë madhështore

Dasma, muaji i mjaltit dhe 6 fëmijët që pret Blero.. po po 6!

13.10.2019 - 16:10

Ka kaluar më pak se një muaj prej dasmës madhështore që Blero dhe Afrona mbajtën në bregdetin e Shëngjinit.

Një dasmë emocionuese për të gjithë të ftuarit, por sidomos për çiftin. Në një intervistë për Prive, këngëtari ka folur jo vetëm për emocionet e dasmës, por edhe për planet e afërta për të realizuar një muaj mjalti, si dhe për të bashkëjetuar dhe krijuar një familje të madhe me Afronën.

“Momenti më emocionues ishte momenti i ceremonisë. Ka zgjatur pak minuta, por sërish ishin shumë emocionuese. Kam përjetuar një ndjenjë që nuk e kisha përjetuar kurrë më parë. Ishte rrëngjethëse kur kam parë Afronën në altar që vinte drejt meje. Ai është një moment që nuk kam për ta harruar kurrë në jetë”, -është shprehur Blero.

Për sa i përket muajit të mjaltit, ata kanë zgjedhur një destinacion të ngrohtë dhe do të shkojnë në fund të nëntorit, dy muaj pas dasmës.

“Ne kemi shumë angazhime tani pas dasmës, por në nëntor kemi rezervuar për të shkuar në Hawaii. Do të qëndrojmë 10 ditë ose dy javë,” –ka treguar ai.

Duket se edhe pas martesës, Blero dhe Afrona nuk jetojnë bashkë. Ata kanë treguar shpesh se janë të detyruar të mbajnë një lidhje në distancë për shkak të angazhimeve që të dy kanë; ajo në Zvicër, ndërsa ai në Kosovë.

I pyetur se ku do të bashkëjetojnë, Blero është përgjigjur:

“S’kemi vendosur ende ku. Ne kemi shtëpi edhe në Prishtinë, edhe në Zvicër. Kështu që, varet prej angazhimeve e punëve tona. Ende nuk kemi vendosur për bashkëjetesën. Ne kemi qenë në distancë për shumë vite, por besoj që së shpejti do të bashkëjetojmë.”

Për sa i përket zgjerimit të familjes, çifti ende nuk është gati, por Blero i ka të qarta dëshirat e veta. Kur të vijë momenti, ai dëshiron të ketë një familje të madhe me Afronën.

“Kemi folur me Afronën, por nuk kemi vendosur se kur. Ne kemi angazhimet tona, kështu që kur të jemi ok me punët tona. Por, sigurisht që po! Dëshira ime është të kem 5-6 fëmijë me Afronën, minimumi”, -ka rrëfyer Blero duke qeshur.