Ahmet Zogu, lindi më 8 Tetor 1893 në Burgajet të Matit, dhe vdiq në Paris më 9 Prill të vitit 1961.
***
Gjatë kohës që Shqipëria pushtohej, Zogu dhe qeveria janë tërhequr në Pogradec, jo larg kufirit me Greqinë.
Prej andej mësojnë jo vetëm që rezistenca ka reshtur, por se italianët kanë pushtuar jugun e vendit dhe po i drejtohen Korçës. Në këto kushte, mbreti i shqiptarëve kontakton Joanis Metaksanë, kryeministrin grek i cili i ofron azil politik me dy kushte. I pari që të kalohet kufiri më 9 prill në darkë, ore pas së cilës kufiri do mbyllet përfundimisht.
Dhe e dyta që trashëgimtarët duhet të heqin dorë nga përfshirja në çdo lloj veprimtarie politike apo ushtarake nga territori helen. Përpara këtij dështimi thujase dy mijë vetë largohen nga toka e tyre e lindjes:mbreti Zog, princi Salih, nipi i tij, gjithë qeveria, prefektët dhe ofiqarët të tjerë të regjimit, si dhe pesëqind oficerë”të gjithë të armatosur deri në dhëmbë.
Kështu i përshkruan Josephine Dedet ditët e fundit të Zogut, në librin e saj “Mbretëresha Geraldine”.
Qysh të nesërmen, në emër të qeverisë greke, disa emisarë të Metaksasë, mbërrijnë dhe i luten Zogut të lërë territoret e tyre pa asnjë vonesë, bashkë me familjen dhe gjithë bashkëatdhetarët e vet. S’ka dyshim që Musolini i ka përsëritur kërcënimet. Kështu që grekët nuk kanë interes të bien ndesh me një shtet me synime ekspasioniste, me të cilin prej disa ditësh kanë një kufi të përbashkët dhe ku bregdeti i jugut nuk është vetëm disa kilometra larg Korfuzit.
Në 10 prill, dy mijë mërgimtarë arrijnë në Larisa, ku priten nga autoritetet vendore. Zogun dhe të tijët i vendosur në një hotel që sapo është hapur dhe në këtë qytet të Thesalisë, pak e nga pak shqiptarët marin veten dhe organizohen. Tejet i shqetësuar për numrin e madh të njerzve që ka nën përgjegjësinë e tij, mbreti punon ditë e natë.
Duke qenë se ushtria gjatë largimit me urdhër qeverie ka marrë një sasi të madhe parash, ato shpërndahen me shpejtësi. Oficerët marrin vleftën e gjashtë muajve rrogë. Atje do të vendoset dhe fati i shumë prej tyre. Disa do të shkojnë në Turqi apo në Jugosllavi, ku kanë miq dhe të afërm, disa zgjedhin të kthehen në Shqipëri apo të shkojnë në Francë. Gjatë kësaj kohe, mbretëresha e detyruar të rrijë në shtrat, përpiqet të marrë forcat.
Pavarësisht se italianët nuk gjejnë klimën e duhur në Shqipëri ato bëhen zotër të Shqipërisë dhe fillojnë menjëherë të ngrenë institucione në shërbim të tyre. Akti i parë i kuvendit demokratik që ata ngritën ishte abolicioni i monarkisë zogiste dhe lutja mbretit të Italisë që të pranojë bashkimin e dy kurorave.
Për të mbajtur dukjen e një shteti të pavarur në gjirin e “perandorisë së Italisë”, shqiptarëve u lihen disa atribute simbolike: flamuri i tyre, e drejta për të përdorur gjuhën dhe për të lëshuar pulla poste. Të gjitha kujtimet e mbretit Zog shuhen me një furi qesharake. Shumë rrugë ripagëzohen dhe porti i Sarandës, quhet Porto Edda, në nder të vajzës së Musolinit.
Vendet perëndimore e dënuan agresionin e Italisë dhe legatat mbretërore u mbyllën njëra pas tjetrës.
Ndërkohë Turqia shprehet e gatshme të presë mërgimtarët. Kështu njerëzit dhe familjarët fillojnë të ndahen. Më 1 maj 1939, në orën dhjetë të mëngjesit, Zogu dhe të afërmit, largohen nga Greqia për në Turqi. Mbretëresha, ende e dobësuar, preket nga manifestimet e simpatisë që i tregojnë njerëzit. Në çdo stacion treni turmat e njerzve që i përshëndesin është e shumtë dhe brohoret familjen e pafat mbretërore. Ishte vizita e parë e Geraldinës në Turqi, por nuk flitet për një vizitë turistike.
Për fat të keq Zogu dhe Geraldina nuk janë gjë tjetër veç mërgimtarë, të cilët asnjë vend nuk është i gatshëm t’u japë strehim, nga frika se mos i prishin qejfin Italisë dhe aleatëve të tyre, gjermanëve. Megjithatë pritja e shtetit turk dhe e Bashkisë së Stambollit është e denjë për rangun e dy sovranëve në fron. Në stacion janë vendosur rojet e nderit. Valiu i Stambollit përshëndet mbretin e shqiptarëve. Janë të pranishëm gjithë anëtarët e legatës shqiptare si dhe një turmë e madhe që duartroket mbërritjen e çiftit mbretëror.
Për herë të parë Geraldina, vëren që i shoqi fillon të provojë sërish shijen e jetës.
Deri atëherë, Zogu, kishte treguar stoicizëm, por tronditja morale ishte e madhe: humbja e fronit sigurisht, por para së gjithash pasiguria në lidhje me fatin e atdheut dhe largimi i detyruar, atij i duken veçanërisht të dhimbshme. Në Stamboll i ringjallen kujtimet e rinisë, që i japin shpresë shpirtit të tij prej luftëtari.
Atje ai ka studiuar, atje ka mbajtur fjalët e para para xhonturqve entuziastë. Mbretëresha, e cila ka përjetuar këto aventura nga tregimet e të tjerëve, habitet kur gjen një qytet modern të bukur, ku anijet me tonazh të madh, plot mallra kanë zënë vendin e varkave të vogla të qëmotshme. Për të mos folur pastaj për pallatet e kthyer në muze ku dynden turistët.
Pak pas mbërritjes së tyre, sovranët ftohen nga presidenti Inonu në jahtin e tij, ku ai po kalon disa ditë pushimesh. Gjatë kohës që zonjat miqësohen me njëra-tjetrën, dy burrat e shtetit bëjnë një bisedë të gjatë e të përzemërt. Pa dyshim që ata ndajnë të njëjtën pikëpamje për gjendjen ndërkombëtare dhe si njëri si tjetri, i japin rëndësi të madhe hapjes së vendeve të tyre ndaj Perëndimit.
Gjatë këtij qëndrimi, Zogu rilidhet me shokët e vjetër të studimeve, pjesa më e madhe e të cilëve kanë funksione zyrtare. Këto kontakte politike dhe miqësore, nuk përjashtojnë shëtitje nëpër qytetin e vjetër, që e gjallëron mbretëreshën kovaleshente dhe disi të ç’orientuar. Mbretin e njohin kudo dhe i tregojnë respekt.
Në dalje të xhamisë, Geraldina preket nga gratë e moshuara gjysëm të mbuluara, që afrohen me droje, pasi i puthin dorën Zogut, e pyesin me përulësi të thellë: “Kur do kthehet sulltani?”/ Konica.al