Në ditën kombëtare të depistimit të kancerit të gjirit, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ishte në Krujë, ku po ofrohet shërbimi i mamografisë afër vendbanimit, me mamografin e lëvizshëm.
“Vetëm në tre javët e para, që nga momenti që kemi filluar këtë fushatë, 3500 gra kanë kryer ekzaminimet nëpërmjet mamografisë. 3500 gra do të thotë që janë trefishuar ekzaminimet këtë muaj, sepse nëse marrim një mesatare mujore, çdo muaj në gjithë Shqipërinë kryhen 1 mijë mamografi”, tha Manastirliu.
Duke theksuar se gjatë 2018 në 5 spitale rajonale janë instaluar mamografitë përfshirë dhe atë të Durrësit, ku gratë e Krujës mund të kryejnë mamografinë, Manastirliu tha se po investojnë shumë në parandalimin e kancerit të gjirit.
“Janë 708 gra që çdo vit diagnostikohen me kancerin e gjirit. Sot është e mundur që ky trajtim të jetë shumë më i aksesueshëm dhe shumë më cilësor, sepse ne kemi arritur që prej vitit 2018 të mbulojmë gjithë nevojat, në kimioterapi të targetuar që janë medikamente shumë të shtrenjta, pikërisht për të siguruar që gratë që trajtohen nga kjo sëmundje të kenë një trajtim sa më cilësor qoftë nëpërmjet kimoterapisë, qoftë nëpërmjet radioterapisë në QSUT dhe që jam krenare që arritëm të kemi një shërbim të kompletuar dhe për kancerin e gjirit”, tha Manastirliu.
Ministrja ne fjalën e saj tha se kontrolli i gjirit do të përfshihet në një program kombëtar të kontrollit dhe diganostikimit te hershëm.
“Ne duam të realizojmë edhe një hap tjetër që është shumë i rëndësishëm, për të përfshirë kontrollin e gjirit gjithashtu edhe ekzaminimin e mamografisë në një program kombëtar të kontrollit dhe diganostikimit te hershëm, i cili do të miratohet dhe do të futet në paketën e shërbimit të mjekut të familjes.
Vetëm kështu mund të garantojmë që gratë të njoftohen nga mjeku familjes dhe të kenë kujdes për shëndetin e tyre”, tha Ministrja.