MENU
klinika

Ish-kryeministri Cipras akuza Mitsotakisit

“Dorëheqja e Zaevit”/ Pse hesht Athina?

22.10.2019 - 09:10

Qeveria greke qendron e tërhequr lidhur me zgjedhjet e parakohshme në Maqedoninë Veriut – edhe sepse emri i këtij vendi për shumë njerëz në Greqi është një temë delikate.

“Ata s’kanë çfarë kërkojnë në BE,” gjëmonte të shtunën në mbrëmje zëri i një gruaje nga Veriu i Greqisë në një radio lokale. Me këtë ajo mbështeste parafolësin, që lidhur me këtë çështje vërente: “Ata e kanë gjetur varrin e motrës së Aleksandrit të Madh tek ne”; duke iu referuar zbulimeve të artifakteve gjatë gërmimeve për metronë e Selanikut. Edhe më shumë se një vit pas marrëveshjes së Prespës, tek shumë grekë ndizen emocionet e romantikës së lashtë. Ndërkohë që zhvillimet politike në Maqedoninë e Veriut nuk kanë të bëjnë aspak me antikitetin.

Pasi Franca dhe Holanda refuzuan hapjen e negociatave të antarësimit mes BE-së dhe Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut, është e pasigurtë edhe e ardhmja e kryeministrit Zoran Zaev. Më 2018 ai përmes referendumit kërkoi që maqedonasit të votojnë për ndryshimin e emrit të vendit, për të mbyllur grindjen prej dekadash me Greqinë. Për këtë ai i joshi qytetarët me premtimin e pasaportave europiane dhe fundit të shumëpritur të izolimit politik dhe ekonomik. Pas Jo-së nga Brukseli tani u shpallën zgjedhje të reja në prill.

  • Aspak mbështetje për marrëveshjen e Prespës

Për njerëzit në pjesën greke të Maqedonisë nuk ndryshon gjë prej bllokadës së BE-së. Marrëveshja e Prespës mbetet e padëshiruar prej tyre. Nëse i pyet njerëzit se çfarë mendojnë për refuzimin BE-së për hapjen e negociatave të antarësimit, shumica tkurrin fytyrën dhe nuk duan të përgjigjen. Shumë pak janë të gatshëm të japin një përgjigje: „E gjitha çfarë mund të ndodhë tani, mund të jetë vetëm e gabuar”, thotë një shtëpiake 46 vjeçare. Ka vetëm një Maqedoni e ajo është greke. Sa i përket grindjes për emrin kryekëput gjithçka është e gabuar. Vendimi nga Brukseli nuk është gjë tjetër veçse një reagim zinxhir prej kësaj.

Të rinjtë nën dyzet vjeç janë më të shpenguar për këtë çështje. „Ndoshta është më mirë, që të qetësohen një herë gjërat, përpara se të pranohen në BE.” , thotë një studente 26 vjeçare. Një kuzhinier 37 vjeç e konsideron të gabuar vendimin e Brukselit: „Ata e vunë të gjithë këtë proces në lëvizje, për t’u antarësuar në BE. Kjo duhet të vlerësohet.”

  • Heshtje nga ana e qeverisë

Ndërkohë Athina është e tërhequr duke heshtur pa reaguar. Përpara samitit të BE-së kryeministri Kyriakos Mitsotakis deklaroi, se është për fillimin e bisedimeve të antarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në një konferencë shtypi pas vendimit në Bruksel ai u përgjigj tërthorazi dhe iu shmang sikurse bën në shumicën e daljeve publike përmendjes së emrit Maqedonia e Veriut. Ai përdori vetën e parë të shumësit, sikur t’i duhej atij që të kujtonte Tiranën dhe Shkupin, që Greqia në kuadrin e konflikteve rajonale, ka epërsinë europiane: „Ne (shën. Red.: kryeministrat e vendeve anëtare të BE-së) ndërkohë nuk mund të hapim bisedimet me dy vendet fqinjë.” Në këtë kontekst ai theksoi, se Greqia e mbështet antarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.

Lidhur me zgjedhjet e reja që u shpallën në fundjavë, ndërkohë ende nuk ka reagime në Athinë. Stavros Tzimas, gazetar dhe ekspert i Ballkanit në gazetën prestigjoze „Kathimerini”, thotë, se ky reagim nuk të habit: “Qeveria e Mitsotakis nuk është e gatshme të përzihet në mënyrë aktive në këto zhvillime. Ai ka bërë të qartë, se nuk do të dalë kundër marrëveshjes së Prespës. Por sigurisht që nuk është i interesuar, që të nisë një debat i mëtejshëm për këtë marrëveshje, ndaj së cilës ai vet ka votuar kundër.”

  • Kritikë nga ish-kryeministri Tsipras

Alexis Tsipras, udhëheqësi i opozitës dhe ish-kryeministri që më 2018 ishte përgjegjës për kompromisin për kontestin e emrit, e kritikon heshtjen e Mitsotakisit. Në një kohë, kur BE konfrontohet me pasojat e vendimit të saj, për mosdhënien e dritës së gjelbër negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, Greqia duket inekzistente. “Kryeministri grek, që nuk guxon ta përmendë emrin e vendit fqinjë, e ka pranuar fatin e vendit fqinj dhe të Shqipërisë lidhur me antarësimin në BE, pa kërkuar një herë që të reformohet atje situata ligjore e pakicës greke.”

Partia e Tsiprasit SYRIZA e akuzon qeverinë, se nuk është angazhuar sa duhet për antarësimin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, thotë Stavros Tzimas.

Ai tërheq vëmendjen, se “do të kishte qenë më mirë për të gjithë që ky kapitull të sqarohej një herë e përgjithmonë përmes antarësimit në BE.”

Tani duhet pritur, se si do të zhvillohen gjërat. Shansi, që Zoran Zaev t’i humbasë zgjedhjet është i madh. Dështimi i premtimit për BE-në është vetëm një arsye: “dhe pavarësisht disa hapave për reforma dhe politikës së jashtme, qeveria e tij në sytë e shumë njerëzve thuajse nuk dallon nga politika nacional-konservatore e parardhësit të tij Gruevski. Skandale, korrupsion dhe manipulime në drejtësi janë të përditshme, vetëm se kësaj herë nën mantelin e socialdemokracisë.”

Tani është i madh rreziku, që njerëzit në Maqedoninë e Veriut dhe në Shqipëri të distancohen nga Europa dhe të gjejnë mbështetës të tjerë, vëren Tzimas.

Me këtë ai ka parasysh Moskën, që konkurron me Perëndimin për influencë në rajon. Kjo nuk është aspak në interes të BE-së dhe në këtë mënyrë edhe të Greqisë që humasin pushtet në rajon në favor të Rusisë./ DW