Këshilli i Lartë i Prokurorisë thotë se po ndjek rastin e dënimit të Kreut të Kadasrës, Liridon Pula. Në një deklaratë për mediat, ky institucion thotë se në ushtrim të kësaj detyre, po ndjekin me vëmendje çdo reagim publik lidhur me punën e institucionit të prokurorisë dhe të prokurorëve të veçantë.
“Në këtë kuadër, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka ndjekur me vëmendje deklarimet publike të drejtuesve të qeverisë në lidhje me procedurat ligjore të ndërmarra nga Prokuroria dhe Gjykata e Shkallës së Parë Durrës për caktimin e masës së sigurisë ndaj drejtorit të Drejtorisë Vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.
Këshilli vëren se deklarimet e sipërpërmendura janë të tilla që mund të paragjykojnë ecurinë dhe përfundimin e një procesi gjyqësor në vijim dhe të procedurave të tjera ligjore”, thuhet në njoftim.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë thotë se inkurajon deklaruesit, si dhe çdo subjekt tjetër publik ose privat, të denoncojnë pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda të gjitha rastet e dyshuara të kryerjes së veprave penale nga çdo prokuror i Republikës, ndërsa dyshimet për kryerjen e shkeljeve disiplinore duhet të denoncohen pranë Prokurorit të Përgjithshëm (deri sa të krijohet Inspektori i Lartë i Drejtësisë) dhe institucioneve të veting-ut.
Nga ana tjetër, Këshilli i Lartë i Prokurorisë iu bën thirrje të gjithë prokurorëve të Republikës të vijojnë punën me përgjegjshmëri të lartë në zbatim të kompetencave të tyre kushtetuese për ushtrimin e ndjekjes penale dhe përfaqësimin e akuzës në shërbim të shoqërisë.
“Mënyra më e mirë për të arritur tek e vërteta është respektimi i procedurave dhe i institucioneve të ngarkuara nga ligji me dhënien e drejtësisë”, mbyll njoftimin KLP.