MENU
klinika

Antipatrea... ju thotë gjë ky emër?

“Dy vëllezërit anëve të kodrinëzës së pikëlluar”

18.10.2019 - 18:36

       Banesat karakteristike të qytetit të Beratit, janë një dëshmi e vyer e diversitetit urbanistik dhe arkitektonik. Këto shtëpiza tipike me rrugicat e ngushta dhe dritaret sikur mund t’i japësh dorën fqinjit, pa qenë nevoja të shkosh për vizitë –  janë reflektimi i influencave dhe traditës së banesave popullore ballkanike, që kryesisht datojnë gjatë shekujve 18-19 të erës sonë./Konica.al

Kjo traditë është adaptuar për t’iu përshtatur mënyrës së jetesës së qytetit, me shtëpitë e vendosura në shpate, me planimetri kryesisht horizontale dhe që përdorin gjerësisht dritën natyrore. Shtëpitë e bardha duket sikur i mbivendosen njëra-tjetrës, prandaj ndryshe Berati quhet “qyteti i një mbi një dritareve”

Kompleksi i lagjes “Mangalem” është unik në artin e ndërtimeve. Ka formën e një piramide, që imiton siluetën e kodrës, në majën e së cilës është ngritur kështjella. “Mangalemi” është një nga pikat më të fotografuara, pikturuara, gdhendura në dru e gurë, është emblema e Beratit./Konica.al

 

Ndërsa lagjja e Goricës, e zhvilluar që prej shekullit të 16-të është e vendosur përgjatë lumit dhe deri në kohët e fundit lidhej me Beratin vetëm nga një urë. Shumica e shtëpive kanë kopshte të gjera që i japin një karakter më rural.

Në vitin 1961, Berati u shpall zyrtarisht qytet-muze. Sot, Berati trashëgon 210 objekte muzeale, nga të cilat 150 janë objekte në këmbë. Prej tyre, 60 janë monumente të kategorisë së parë dhe të tjerat të kategorisë së dytë.

Ka një gjë, që qyteti i Beratit, dhe shtresëzimet e tij historike nuk e ka ndërruar prej shekujsh. Ajo është bardhësia e tij. Bardhësia, që vjen prej zajeve të Osumit, ajo që ka veshur të gjithë banesën urbane, por edhe peisazhin kudo.

 

Mijëra e mijëra vjet më parë, jetonte një Zanë shumë e bukur. Një ditë, ajo u takua me dy vëllezër viganë, Tomorrin dhe Shpiragun. Sikurse ndodh shumë herë ndër legjenda dhe shpesh në të vërtetë, të dy vëllezërit ranë në dashuri me Zanën e bukur. Kaq fort ua trazoi zemrat të dy vëllezërve dhe kaq thellë u hyri grindja për të, sa që shpërtheu lufta vëllavrasëse. Tomorri, duke patur një shpatë të shkëlqyeshme, i ra vëllait të vet më të vogël brinjëve, ndërsa ky i fundit, i armatosur me një topuz shumë të rëndë, iu turr me furi duke e goditur sa mundëte më fort. Zoti, që shihte çdo gjë, u trishtua dhe u zëmërua prej pamjes aq të dhimbshme, grindjes aq të përgjakshme midis vëllezërve. Ata duheshin ndëshkuar për këtë mënxyrë që shkaktuan. Prandaj, Ai i ktheu fajtorët në gur dhe i dënoi të mbajnë ndër shekuj në trup gjurmët e këtij luftimi të tmerrshëm. Që nga ajo kohë e lashtë e deri sot vëllai i madh, Tomori, i tregon diellit hapësirat e veta gropa-gropa dhe plasa të panumërta.

Ndërsa, vëllait të vogël, Shpiragut, kushdo që kalon në këto treva, i sheh brinjët e coptuara e të thelluara vija-vija. Shkaktarja e kësaj mënxyre, Zana e bukur hirëplotë, nuk duhej t’i shpëtonte zëmërimit të Zotit, ndaj Ai e ktheu në një kodrinëzë shkëmbore, mbi të cilën një ditë filluan të vendosen gurë mbi gurë dhe u ndërtua një kështjellë e madhe, e bukur, që qendron edhe sot madhështore mbi qytetin e Beratit. Zana e bukur, që i donte vëllezërit, po jo zëmërimin e tyre të derdhur mbi njeri-tjetrin, qau e qau pa masë. Ai lumë, që tani mban emrin Osum, sipas legjendës, nuk është gjë tjetër veçse rrëkeja e lotëve, që lagu gurë e shkëmb dhe u derdh mes dy vëllezërve prej Zanës hyjneshë, për t’u treguar se dhimbja për këtë fatkeqësi asnjëherë nuk do t’i shterë lotët.

 

Berati u përket qyteteve të rrallë, ku jeta fillon qysh në lashtësinë e thellë dhe vazhdon pa u ndërprerë deri më sot. Dy çekanë guri e datojnë fillimin e jetës në të para Periudhës së Bronzit (2600-1800 P.Kr.). Dëshmitë arkeologjike tregojnë se në shek. VII-VI P.Kr. Këtu është zhvilluar një vendbanim paraqytetar, me punishtet e tij të qeramikës dhe me një jetë shoqërore të diferencuar. Në kufijtë e legjendës dhe të historisë, ky vendbanim thuhet të ketë qenë Orestiada e lashtë, i quajtur kështu ngaqë aty banonin një fis i pellazgëve, orestët, i pari i të cilëve ishte Oresti, i biri i Agamemnonit.
Qyteti i mirëfilltë u themelua më 313-310 P.Kr. si qytet-kështjellë i Dasaretisë, i quajtur Antipatrea nga mbreti Kasandër, në kujtim të gjeneralit mëkëmbës të Lekës së Madh. Ky është emri i parë i qytetit. Pas pushtimit romak në shek. II P.Kr. ai u quajt prej tyre Albanorum Oppidum (Fortesa e Arbërve). Në shek. V, nën perandorinë Bizantine, u përforcua dhe e ndryshoi emrin në Pulheriopolis (Qytet i bukur). I pushtuar nga bullgarët në shek. IX, u quajt Belgrad (Qytet i bardhë) – Berati i sotëm.

 

Nën zotërimin e Muzakajve, në shek. XIII-XIV, qyteti filloi të shtrihej jashtë mureve të kështjellës. Në këtë kohë Berati arrin shtrirjen më të madhe territoriale, zhvillohet dhe bëhet një qendër e rëndësishme ekonomike, tregtare, administrative e kulturore. Në 1417 qyteti pushtohet nga turqit dhe zhvillimi i tij u ul ndjeshëm, por nga fillimi i shek. XVI ai e mori veten, për tu bërë përsëri një nga qytetet më të mëdhenj të Shqipërisë. Në shek. XVII ai vazhdonte të ishte qyteti më i madh i Shqipërisë, me 500 shtëpi të shpërndara në 30 lagje dhe me 5 medrese. Berati në këtë kohë bëhet qendra kryesore ekonomike e vendit, me zhvillim të madh të zejtarisë e të tregtisë. Tani Berati ishte kryeqendra e sanxhakut të Vlorës të përbërë nga kazatë e: Myzeqesë, Tomoricës, Skraparit, Përmetit, Pogonit, Tepelenës e Vlorës. Në Berat tregtonin mallrat e tyre tregtarë të huaj. Në shek. XVIII Berati bëhet qendër e pashallëkut të madh të Ahmet Kurt Pashës. Ali Pashë Tepelena e bashkoi atë me pashallëkun e tij të Janinës dhe përforcoi muret e kështjellës.

 

Në këtë periudhë tregtarët e mëdhenj beratas kishin marrëdhënie me Venetikun, Triesten, Raguzën, Ankonën, Korfuzin, Maltën, Aleksandrinë, Izmirin, Selanikun, Stambollin, Sofien, Nishin, Belgradin, etj. Berati përdorte dy skela: Vlorën dhe Durrësin. Ai ishte bërë kështu kryeqendër e një sistemi të madh ndërkrahinor. Tregtarët beratas kishin agjencitë e tyre në Durrës, Vlorë, Elbasan, Korçë. Tregtarët e mëdhenj shkodranë kishin në Berat, agjencinë e tyre tregtare. Berati vjen nga ilirët, që sipas legjendave, filluan ndërtimin e kalasë për t’u mbrojtur nga sulmuesit./Konica.al

Media spanjolle “La Vanguardia”

Zbuloni Beratin, qytetin përrallor në Shqipëri

Shisnin doza me dr*ga të forta në Vlorë e në Fier

Çmontohet grupi kriminal! 12 në pranga, 2 në kërkim

Donte të vriste prindërit e tij të moshuar

Emri/ Arrestohet 42-vjeçari në Fier

Mjeku: Të hiqet fostoksina, nuk ka kundërhelm

Depresioni vret në Fier! Pesë vetëvrasje në dy javë

Cili është qarku më i rrezikuar

Cikloni mesdhetar, prek Shqipërinë!

"Hapi dyert me kushte dinjitoze për 850 nxënës dhe mësues"

Kryeministri publikon pamjet e shkollës “Naim Frashëri” në Fier