MENU
klinika

Nga Shpëtim Nazarko

Edi, a vemë, më mirë, takojmë Arbrin në Qafë-Thanë?

13.10.2019 - 18:32

Shikoni – tha me qetësi, një nga patriotët më të kulluar të Shqipërisë, Mitrush Kuteli, në diskutimet që po bëheshin me Jugosllavinë e Titos, pas pak luftës.

Nëse ne do të barazojmë lekun me dinarin dhe do të njësojmë doganat me Jugosllavinë, atëherë kjo do të ishte një pushtim i hapur i Shqipërisë.

Patriot i kulluar dhe ekonomist i dorës së parë, Kuteli, përfundoi në burg, pasi këto fjalë vajtën lart…

Panariti, nuk është Kutel në profesion, po besoj se shqetësimet e tij ngritur sot, në një nga të përditshmet, imponojnë Ramën për një dalje të hapur dhe të qartë para publikut, për të sqaruar si e kupton ai dhe si duhet ta kuptojmë ne, “Shengenin ballkanik”.

Në këtë histori, nuk është vetëm Panariti, që foli. Së fundmi, shumë gazeta serbe propagandojnë, se po rivitalizohet ideja e vjetër e Jugosllavisë së madhe. Natyrisht që edhe këto do t’i dëgjojmë, a t’i lexojmë. Ballkani, siç thoshte një nga më të mëdhenjtë e kësaj bote, prodhon më shumë histori se konsumon…

Në një kuptim të drejpërdrejtë, nëse i referohemi vetëm termit “Shengen”, ndoshta nuk ka asnjë arsye të shqetësohemi. Ky fshat, a lokalitet i vogël në afërsi të kufirit Luksemburg-Francë, në realitetin tonë të përditshëm shqiptar, është i lidhur vetëm me procesin e dhënies së vizave.

Nëse ideja e Ramës, përfshin vetëm këtë gjë apo procese, pak a shumë të lidhura me lirinë e lëvizjes së mallrave, pa ato pengesat e tmerrshme nëpër dogana, kjo do të ishte e mirë për Shqipërinë dhe veçanërisht, për Kosovën.

Po nëse puna shkon afërsisht tek ajo që citova pak më lart, për Mitrush Kutelin, atëherë, Panariti ka shumë të drejtë dhe duhet të mprehim veshët mirë…

Është e natyrshme që Serbia, bile dhe Maqedonia, janë shumë më sipër nesh në të gjitha fushat, përfshi dhe atë të ekonomisë. Dhe sipas ligjeve të natyrës, që janë më të qarta se ato shoqërore, nivelet energjitikë vijnë e zbresin poshtë. E anasjellta, nuk është e vërtetë. Ndërtimi i Rrugës së Kombit, ishte një shembull i mirë, për të ilustruar këtë gjë. Në tregun tone, hyn me shumicë e lehtësi, jo vetëm gruri i kualitetit më të keq serb, po dhe një sasi mallrash të tjera. Ishin serbët më shumë dhe ne shumë më pak, që e shfrytëzuam këtë rrugë.

E njëjta histroi ndodh edhe me Maqedoninë. Subvencionuese disa herë më shumë se Shqipëria, në fushën e bujqësisë, ajo nxjerr shpesh jashtë loje, tregun shqiptar. Për të kuptuar këtë paradoks në pamje të parë, mjafton të shohësh Pogradec e tutje, der’ në Korçë, ku shpesh hahen mollë maqedonase e jo tonat. Nga sa më sipër, besoj se është vërtet, një detyrë e Ramës, të informojë publikun…

Përpos Kutelit, ai që do të kisha qejf të respektonim më shumë, do të ishte kolosi tjetër i Shqipërisë, Arbër Xhaferi. Ideja e këtij filozofi të lindur, ishte sa nacionaliste në pamje, aq ekonomike në thelb. E akoma më shumë, e lidhur me Strategjinë Kombëtare të Shqipërisë. Arbër Xhaferi, fliste për idenë e një ‘Komunuelthi shqiptar”. Vdekja e parakohshme dhe jeta e mundimshme më pare, për shkak të sëmundjes, nuk e la t’i thellonte idetë e tij, që do t’i quaja për mendjen time, më shumë se brilante…

Si e kuptoj unë, në praktikë, Arbër Xhaferin?

Shqiparët e Shqipërisë, të Maqedonisë dhe Kosovës, do të hynin në Evropë, së pari nëpërmjet Korridorit të 8-të. Kam shkruar shpesh, se kjo rrugë, është e lidhur me Portin e Vlorës. Kjo strategji do të binte së pari, vetë Maqedoninë dhe pastaj, shumicën e vendeve të Ballkanit, madje dhe Greqinë e Veriut, drejt Portit të saj. Do t’i vendoste Shqipërisë, nëpërmjet Korridorit të 8-të edhe “Rripin e pantallonave”, së dyti. Një rrip, mungesa e të cilit, e ka shndërruar një nga qytetet e saj, në zemër të Shqipërisë, Elbasanin, në një geto të stërmadhe… Dhe nëse qendra e saj është e dobët, anët bëhen akoma më keq…

Hapja e këtij korridori, që për Shqipërinë mbaron në Qafë-Thanë, e shpie atë, drejt Shkupit dhe jo Nishit. E nga Shkupi, mund të shkojë drejt Turqisë dhe Lindjes, apo Rrugës së Mëndafshit, drejt Evropës qendrore, apo të transferojë mallrat e ardhura nga bota edhe drejt Rusisë, nëpërmjet Ukrahinës, po të doni.

Një veprim i tillë, do ta nxirrte Shqipërinë nga pozicioni i “zorrës qorre” në Ballkan dhe do t’i pakësonte, jo vetëm rreziqet nga fqinjët, në një tregti të pabarabartë që zhvillohet sot e kësaj dite. Do t’i jepte, bashkë me shqiptarët e saj, ata të Maqedonisë dhe të Kosovës, pozicionin e Zonjës së Rëndë, në Ballkan.

Ndryshe edhe sikur Shengeni ballkanik, të ishte i lidhur vetëm me lëvizje të lirë të njerëzve dhe mallrave nëpër doganat, prapë nuk do të fitonin më shumë sesa nevojitet. Liria, qoftë edhe e lëvizjes nga hallexhinjtë, nuk shfrytëzohet aq sa nga ata që kanë përse ta shfrytëzojnë atë…

Arbër Xhaferi i kishte idetë më të qarta dhe siç thashë, i zhvilloi aq sa mundi, në jetën e tij të shkurtër, por të ndritur. Duke e mbyllur këtë shënim të shkurtër, mund të them:

Kryeministër, është më mirë, ndoshta, të vemë e të takojmë Arbër Xhaferin, në Qafë-Thanë e prej andej, të shikojmë Shqipërinë. Besoj, se do na dalë më për hajër të dëgjojmë atë, për idenë e Komunuelthit, se atë të Shengenit ballkanik.

Ndryshe, pavarësisht qëllimeve të mira edhe ne, do të biem në atë grackën e përjetshme që më kujton shprehjen njohur të tregtarëve…

“Në të gjitha rastet, lojën e fiton i Zoti i dyqanit!”

"Më futën një dru, më shtrembëruan nofullën"

I liruari me amnisti zbulon prapaskenat se si janë kushtet në burg

"Një tjetër skandal i madh pritet të dalë në dritë..."

Eksperti Karamuço paralajmëron “furtunë” në Policinë e Shtetit

“Bashkëpunëtorja e Bashës, miqësi me Xhaçkën”

Bardhi tregon prapaskenat: Pse nuk e ka nënshkruar mocionin kundër deputetes

Ja çfarë shkruan revista amerikane!

Planet e dhëndrit të Trump për Deltën e Vjosës

"‘Hodhe gurin e fshehe dorën’, siç bëre pas 21 Janarit"

Djegia e mandateve, Basha i përgjigjet Metës: Ti na nxite!