MENU
klinika

"Rruga e re e mëndafshit"

Evropa duhet patjetër ta kopjojë Kinën

08.10.2019 - 17:27

Bashkimi Evropian duhet të kopjojë nismën e Kinës, të ashtuquajtur “Rruga e re e Mëndafshtë”, për të kanalizuar më mirë miliarda eurot e ndihmave që i dërgon në Afrikë çdo vit.

Propozimi për një institucion të vetëm që të merret me të gjitha ndihmat për kontinentin është pjesë e një raporti mbi strategjinë e huadhënies së jashtme të bllokut dhe do të paraqitet pranë ministrave të financave të bllokut më vonë këtë javë. Ai përfshin krijimin e një “Banke Evropiane për Klimë dhe Zhvillim të Qëndrueshëm” për të konsoliduar aktivitetet e financimit të bllokut.

Raporti thekson se rritja shpërthyese e popullsisë në Afrikë do të jetë një burim “i presioneve migratore intensive dhe të çrregullta” drejt Evropës në vitet në vazhdim, të cilat do të acarohen më tej nga katastrofa e klimës dhe “degradimi i burimeve natyrore”.

Sipas Thomas Wieser, një ish zyrtar i lartë i BE-së, Evropa duhet të rindërtojë mjetet e saj financimin e zhvillimit në mënyrë më efektive jashtë kufijve të saj dhe të pajisë më mirë veten për sfidat e sjella nga ndryshimi i klimës.

Propozimet vijnë pasi BE përballet me sfida të shumta, të cilat mund të përkeqësohen më tej nga ndryshimet klimatike. Fuqitë e tjera kryesore si Kina tashmë kanë investuar shumë në Afrikë.

Raporti paralajmëron se ka “boshllëqe dhe joefikasitet, sektoriale dhe gjeografike, veçanërisht për sa i përket pranisë në Afrikë, të institucioneve kryesore evropiane shumëpalëshe të financave”.

Institucionet në fjalë janë Banka Evropiane e Investimeve, huadhënësi i brendshëm i BE-së, dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Bloomberg